Vlera e lutjeve që kanë të bëjnë me veprat e ditës dhe të natës

17
Sep

Vlera e lutjeve që kanë të bëjnë me veprat e ditës dhe të natës

Muslimani të gjitha veprimet e tij duhet t'i kryejë i përulur ndaj Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Gjatë bërjes së tyre, ai duhet ta përmendë Zotin, të kërkojë ndihmë vetëm prej Tij dhe vetëm Atij t'i mbështetet.

Në koleksionin e Imam Muslimit shënohet në mënyrë autentike se i Dërguari (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) e ka përmendur Zotin e tij në çdo gjendje natën, ditën, në udhëtim, kur është zgjuar nga gjumi, etj. dhe nuk ka filluar asnjë vepër pa e përmendur dhe lutur Allahun.

Kush mediton rreth Sunetit të bekuar dhe udhëzimit fisnik të të Dërguarit (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të), do të kuptojë se në këtë udhëzim hyjnor gjendet edhe dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes, i paragjumit dhe i zgjimit, i namazit, i të ushqyerit dhe i udhëtimit, por gjithashtu edhe lutjet të cilat kanë të bëjnë me largimin e brengave, mërzisë, shqetësimeve të ndryshme, lutjet që duhet të thuhen kur besimtari sheh diçka që i pëlqen ose e urren si dhe shumë lutje të tjera, të cilat u përgjigjen momenteve dhe gjendjeve të ndryshme të besimtarit.

Këto lutje madhore, duke pasur parasysh karakterin dhe shkakun e tyre, përmbajnë në vetvete ripërtëritjen e imanit dhe forcojnë lidhjen me Allahun. Besimtari gjatë dhikrit të tij shpreh mirënjohje për begatitë pa fund dhe dhuntitë e panumërta dhe vazhdimisht e falënderon Zotin e tij, Begatuesin Absolut, për nderin, bujarinë dhe mirësitë që gëzon. Gjatë dhikrit besimtari tregon modestinë e tij duke iu kthyer Allahut, të Vetmit Sundues Absolut, të cilit nuk mund t'i përshkruhet asnjë e metë. Ai çdo herë i mbështetet vetëm Atij dhe në çdo moment kërkon mbrojtjen e Tij nga cytjet e shejtanit, nga të këqijat e vetes së tij, nga çdo e keqe që mund t'i kanoset nga cilado krijesë si dhe nga sprovat, tragjeditë apo fatkeqësitë që mund ta godasin.

Besimtari përmes dhikrit pranon paluhatshëm teuhidin (njëshmërinë) e Allahut të Lartësuar, denoncon shirkun (të bërit shok Atij) dhe zhvishet prej tij, dëshmon dhe i përulet Madhërisë së Tij. Ai që tregon interesim për lutjet e transmetuara nga i Dërguari (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të), pranon dobësinë dhe lëshimet e tij në raport me Krijuesin, pohon me dhjetëra herë (gjatë veprimeve të përditshme) se në të vërtetë vetëm Allahu jep jetën dhe vdekjen, ushqen, jep pasuri dhe varferon (Furnizues Absolut), është i Vetmi i Cili udhëzon dhe lë në humbje dhe se Allahu është i Vetmi që meriton të adhurohet, t'i nënshtrohemi dhe të tregojmë përulje ndaj Tij.

Dhikri është siç thotë dijetari i madh Ibën Kajimi:

"Një pemë, frytet e së cilës janë njohuritë dhe arritjet për të cilat u angazhuan njerëzit e mëdhenj. Këto fryte mund të arrihen vetëm nëpërmjet pemës së dhikrit. Me rritjen e pemës dhe me zgjatjen e rrënjëve të saj, shtohen frytet. Dhikri jep fryte të shumta, përveç të tjerash jep zgjuarsi që udhëzon drejt teuhidit, i cili është baza e çdo suksesi."

Dhikri është synimi dhe kulmi i çdo ambicieje. Përmes tij arrihet çdo e mirë, çdo e dobishme, begatia dhe shumë rezultate të mëdha që nuk mund të përshkruhen me fjalë, prandaj është me rëndësi të veçantë për besimtarin që të jetë sa më i kujdesshëm dhe të mundohet t'i bëjë këto lutje në kohën e tyre, gjatë ditës dhe natës, siç janë transmetuar në traditën profetike. Kështu arrihen vlerat e mëdha dhe porositë fisnike të dhikrit dhe në këtë mënyrë besimtari do të radhitet në mesin e atyre të cilët Allahu i Lartësuar i lavdëron me fjalët:

وَٱلذَّٰكِرِينَ ٱللَّهَ كَثِيرًۭا وَٱلذَّٰكِرَٰتِ أَعَدَّ ٱللَّهُ لَهُم مَّغْفِرَةًۭ وَأَجْرًا عَظِيمًۭا

"Përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh."  Ahzab, 35

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) duke komentuar këtë ajet thotë:

"Me fjalët "përkujtuesit e Allahut" cilësohen ata që bëjnë dhikrin pas namazeve të mëngjesit dhe të mbrëmjes, pas zgjimit nga gjumi, gjatë hyrjes dhe daljes nga shtëpia, etj."

Muxhahidi (Allahu e mëshiroftë) gjatë komentit të tij thotë:

"Besimtari nuk mund të jetë prej atyre që e përmendin Allahun e Madhërishëm shumë (qoftë mashkull apo femër) derisa nuk e përmend Allahun në këmbë, ulur dhe shtrirë”.

Shejh Ebu Amër ibën Salah është pyetur se sa duhet përmendur Allahu në mënyrë që muslimani të konsiderohet prej atyre të cilët e përmendin Allahun shumë. Ai ka thënë:

"Nëse e bën rregullisht dhikrin e transmetuar nga i Dërguari (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) në mëngjes e në mbrëmje, gjatë momenteve dhe gjendjeve të ndryshme gjatë ditës dhe natës në përgjithësi, e që të gjitha këto lutje gjenden në librin e veprave të ditës dhe natës, atëherë ky konsiderohet prej atyre që e përmendin Allahun shumë”.

Kjo temë e rëndësishme ka provokuar interesim të madh në mesin e dijetarëve, të cilët shkruan libra dhe vepra të shumta dhe dhanë shpjegime të hollësishme nga të cilat përfituan besimtarët me ndihmën e Allahut. Libra të tillë janë: "Amelul-jeumi vel-lejleh" i Imam Nesaiut, "Amelul-jeumi vel-lejleh" i nxënësit të tij Ibën Sunijut, "Ed-Duaul-Kebir" i Hafidh Bejhekiut, "El-Edhkar" i Imam Neveviut, "El-Kelimut-Tajjib" i Shejhul-Islam Ibën Tejmijes, "El-Vabilus-Sajjib" i Ibën Kajimit, "Tuhfetul-Ahjar" i Shejh Abdul-Aziz bin Bazit (Allahu i mëshiroftë të gjithë) si dhe shumë libra të tjerë të shkruar nga dijetarët e hershëm dhe të kohës sonë. Një gjë është tejet me rëndësi te dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes. Fatkeqësisht një pjesë e madhe e muslimanëve, të cilët kanë shumë dëshirë që ta praktikojnë këtë dhikër gjatë jetës së tyre, nuk i dallojnë lutjet e transmetuara në mënyrë autentike nga ato që nuk janë të tilla. Në anën tjetër, ndodh që shumë prej atyre që e praktikojnë dhikrin gjatë përditshmërisë së tyre nuk i njohin domethëniet dhe kuptimet e tij, duke u privuar kështu nga dobitë e shumta dhe ndikimi direkt që mund të ketë dhikri. Në këtë kontekst, Ibën Kajimi thotë:

"Dhikri më me vlerë dhe më i dobishëm është ai i transmetuar në mënyrë autentike nga i Dërguari, të cilin, teksa gjuha e shqipton, zemra e ndien. Kush e bën këtë dhikër, i përjeton kuptimet dhe qëllimet e tij. "

Dr. Abdurezak el-Abad
Fikhu i duave dhe dhikrit, fq 13,14,15.

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët