14
Jun
Dita e Arafatit është dita e nëntë e muajit Dhul Hixhe, dita më e mirë e vitit, dita në të cilën pranohen duatë, e lirohën robër nga zjarri. Siç transmeton Imam Muslimi nga Aishja, radijAllahu anha, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
"Nuk ka ditë në të cilën Allahu liron më shumë robër nga zjarri sesa në ditën e Arafatit."
Ibn Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
"Dita e Arafatit është dita në të cilën Allahu liron robër nga zjarri, i liron ata që qëndrojnë në Arafat (Meke), por i liron edhe ata që janë në vende të ndryshme, prandaj është festë për të gjithë muslimanët."
Transmetohet nga Talha ibn Ubejdullah, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
"Nuk është parë shejtani në asnjë ditë tjetër më i nënçmuar, më i shpartalluar e më i përbuzur, e më i irrituar sesa në ditën e Arafatit. E kjo sapo ta shohë mëshirën e madhe që e zbret Allahu, e se si Allahu i fal mëkatet e mëdha atë ditë." (Transmeton Imam Maliku në "Muvata")
Enes Ibn Malik, radijAllahu anhu, ka thënë:
"Është thënë që dita e Arafatit është sa dhjetëmijë ditë." Domethënë në vlerën e saj, po ashtu është transmetuar nga Ata ibn Ebi Rebah, se ka thënë: "Kush e agjëron ditën e Arafatit është për të sikur t'i ketë agjëruar njëmijë ditë." (Ibn Rexhebi, në "Lataif el-mearif")
Transmetohet nga Ebu Katade, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ﷺ në lidhje me agjërimin e ditës së Arafatit, ka thënë:
"I shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe këtij viti." (Muslimi)
Në një transmetim tjetër: "E llogaris tek Allahu që agjërimi i ditës së Arafatit t'i shlyejë mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm." (Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Nesaiu)
Transmetohet se Abdullah Ibn Mubarek, Allahu e mëshiroftë ka thënë:
"Shkova te Sufjan eth-Theuriu, ndërkohë që ishim në prag të Arafatit, ai kishte rënë në gjunjë, e sytë i rridhnin lot, andaj fillova të qaj edhe unë, u kthye kah unë e më tha: "Çfarë ke?"
-Thashë: "Vallë, kush është më i keqi nga kjo turmë (e njerëzve)?"
-Tha: "Ai i cili mendon që Allahu nuk do t'i falë ata sot." ( Ibn Ebi Dunja, në "Husnu Dhan")
Transmetohet se Imam Euzaiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
"Kam takuar njerëz që i ruanin nevojat (kërkesat) e tyre për në Ditën e Arafatit, që t'iu përgjigjet Allahu në to."
Shfrytëzoje këtë ditë, është mundësia jote e jetës.
📖 Shkëputje nga libri "Lataif el-Mearif" - Ibn Rexheb el Hanbelij
📌 Përktheu: Eralb Havolli