Si dukej Aliu, radijAllahu anhu?

08
Oct

Si dukej Aliu, radijAllahu anhu?

Si dukej Aliu, radijAllahu anhu?

Aliu, radijAllahu anhu, kishte lëkurë esmere (ngjyrë kafe e lehtë, karakteristike për racën arabe), me një fytyrë të bukur dhe sy shumë të zinj. Ai nuk ishte as shumë i gjatë, as shumë i shkurtër, mirëpo anonte nga njerëzit e shkurtër.

Ishte i gjerë mes shpatullave, me bark pak të madh, tullac, me një mjekër të gjatë dhe të bardhë, të cilën herë pas here e lyente. Të bardhë e kishte edhe kokën. Ishte njeri që buzëqeshte shpesh dhe njihej për bukurinë e fytyrës së tij.

Ebu Is'haku ka thënë: "E pashë Aliun, ishte tullac dhe mjekrën e kishte të bardhë." (Ibn Sadi në "Tabakat")

Në një transmetim tjetër: "Mjekrën e madhe" (Ibn Sadi në "Tabakat")

Aliu, radijAllahu anhu, kishte lartësi mesatare, sy të mëdhenj e të zinj, dhe një fytyrë të bukur si hëna e plotë. Barkun e kishte të madh dhe shpatullat të gjera. Ishte tullac, por në pjesën e pasme të kokës kishte disa flokë. Mjekra e tij ishte e madhe dhe e dendur.

Kockat e shpatullave i kishte të fuqishme, si ato të një luani. Kur ia shtrëngonte dikujt dorën, mund t’i ndalte frymën. Edhe pse ishte i plotë, kishte duar shumë të fuqishme. Kur ecte në betejë, dukej sikur vraponte; ishte i qëndrueshëm, i fortë dhe trim. (El-Isti'ab fi ma'rifet el-as'hab)

Aliu ishte i njohur për kalorësinë, trimërinë, guximin, mençurinë, oratorinë dhe për asketizmin e tij. Ai kishte një njohuri të thellë për Librin e Allahut dhe ishte ndër më të diturit e sahabëve për shkaqet e zbritjes së ajeteve dhe interpretimin e tyre.

📖 Shkëputje nga libri "Sirah Ebi Turab - Ali ibn Ebi Talib"

📌 Përktheu: Eralb Havolli

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët