Xhindi që mori pamjen e Ibn Tejmijes dhe endej nëpër fshatrat e Lindjes!

10
Apr

Xhindi që mori pamjen e Ibn Tejmijes dhe endej nëpër fshatrat e Lindjes!

🖇 Tregon Shejh Salih el-Usajmi, Allahu e ruajttë:

Kur njëri nga sulltanët e futi në burg Ibn Tejmijen, filluan të përhapen lajme mes njerëzve se ai kishte dalë nga burgu. Disa thoshin se e kishin parë në një fshat të caktuar, se ishte ulur me njerëzit dhe u kishte dhënë mësim.

Lajmi arriti deri te sulltani. Kur e dëgjoi këtë, ai u shqetësua, duke menduar se ndoshta ndonjë nga ushtarët e tij e kishte nxjerrë fshehurazi nga burgu.

Menjëherë urdhëroi që ta sillnin para tij dhe e pyeti:

– A ke shkuar në atë fshat? Kush të nxori nga burgu?

Ibn Tejmije u përgjigj:
Nuk kam dalë fare nga burgu!

Sulltani tha:
Por njerëzit po tregojnë se të kanë parë atje, se ke qëndruar me ta, madje u ke dhënë edhe mësim!

Ibn Tejmije u tha:
Ndoshta ka qenë një xhind që merrte pjesë në derset e mia, e është paraqitur në formën time dhe u ka folur njerëzve.

Sulltani i tha:
Pse nuk thua që ka qenë një melek?

Ibn Tejmije u përgjigj:
Sepse melekët nuk gënjejnë!

🖇 Këtë e pohon vetë Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ku ndër të tjera thotë:

“Xhindët, në disa raste, mund t’i shfaqen njeriut, ta zëmë kur ai është i vetmuar në shkretëtirë – qoftë ai mbret apo udhëheqës dhe ndodhet në gjendje të kufizuar, i etur dhe i frikësuar për jetën e tij, ndërkohë që është pabesimtar.

Në këtë gjendje, një xhind mund t’i vijë në formë njerëzore, t’i japë ujë, ta ftojë në Islam dhe ta bëjë të pendohet. Ai përmes këtij xhindi e pranon Islamin, pendohet, ushqehet dhe i tregohet rruga e shpëtimit.

Kur e pyet: ‘Kush je ti?’, ai përgjigjet: ‘Jam filani...’, dhe del të jetë prej xhindëve besimtarë.

🖇 Më pas, Ibn Tejmije rrëfen ngjarjen e pazakontë që ndodhi gjatë kohës së burgimit të tij, ku ndër të tjera thotë:

"Ashtu siç ndodhi me mua – isha në Egjipt, i burgosur në kalanë e tij – ndodhi një ngjarje e ngjashme me shumë prej turqve nga lindja.

Një person i tha udhëheqësit: “Unë jam Ibn Tejmije.” Dhe ai nuk dyshoi fare në këtë, duke besuar se ishte vërtet unë. Menjëherë e lajmëroi mbretin e Merdinit, i cili pastaj dërgoi një lajmëtar te mbreti i Egjiptit. Ndërkohë, unë isha ende në burg, pa lëvizur fare prej aty. Kjo gjë i habiti shumë prej tyre, pasi ishte e qartë që nuk kisha dalë nga burgu.

Por, në realitet, ai ishte një xhind që na donte. Ai vepronte me turqit tatarë njësoj siç veproja unë kur ata erdhën në Damask: i ftoja në Islam, dhe kur ndonjëri prej tyre shqiptonte shehadetin, e ushqeja me atë që kisha mundësi. Edhe ai xhind bënte të njëjtën gjë si unë, dhe këtë e bënte për të më nderuar, që tjetri të mendonte se isha unë që po veproja kështu.

Disa njerëz thanë: “Pse nuk është e mundur të ketë qenë një melek?”

Unë thashë: “Jo, sepse meleku nuk gënjen, ndërsa ky tha: ‘Unë jam Ibn Tejmije’, duke e ditur se po gënjente.”

📖 Mexhmua Fetaua, 13/92-93
📌 Përktheu: Eralb Havolli
 

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët