Zjarri që shpërtheu në Medinë dhe u pa deri në Sham!

11
Sep

Zjarri që shpërtheu në Medinë dhe u pa deri në Sham!

Zjarri që shpërtheu në Medinë dhe u pa deri në Sham!

🖇 Transmetohet nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

"Kiameti nuk do të ndodhë derisa të dalë një zjarr nga toka e Hixhazit, që do të ndriçojë qafat e deveve në Busra (Sham)."  (Buhariu dhe Muslimi)

📌 Sqarim: (Toka e Hixhazit përfshin rajonin perëndimor të Arabisë Saudite, ku ndodhen Meka dhe Medina)

📃 Neveviu, ka thënë: “Në hadith nuk thuhet se zjarri i Hixhazit ka lidhje me grumbullimin e njerëzve në Ditën e Kijametit;  përkundrazi ajo është një shenjë e pavarur nga shenjat e tjera të Kijametit. Një zjarr i tillë ka dalë në kohën tonë në Medinë, në vitin 654 hixhri. Ishte një zjarr shumë i madh, pranë qytetit lindor, pas shkretëtirës së Harrahit. Lajmi për të u përhap në të gjithë Shamin dhe vendet e tjera, dhe më informuan për të banorët e Medinës.” (Sherh Sahih Muslim)

🖇 Në këtë artikull do të sjellim disa prej fjalëve të dijetarëve të hershëm, si edhe të atyre bashkëkohorë, rreth kësaj ngjarjeje!

📃 Kurtubiu, kur flet për këtë ngjarje, jep një përshkrim të hollësishëm, duke përmendur se zjarri u pa edhe nga Meka dhe nga malet e Busras. (Et-Tedhkirah)

📃 Ibn Tejmijje, ka thënë: “Ky zjarr ka dalë para se shumica e kufarëve të shkonin në Bagdad, në vitin 654 hixhri. Banorët e Busras e panë dritën e këtij zjarri mbi qafët e deveve. Lajmi për këtë zjarr është i njohur. Ai e digjte gurin, por nuk e piqte mishin, dhe njerëzit u frikësuan shumë.” 

📃 Ibn Rexhebi, ka thënë: ''Ky zjarr u shfaq nga një luginë pranë Medinës në vitin 654 hixhri. Ngjarja u bë e njohur dhe drita e tij u pa natën deri tek qafat e deveve në Busra (në Sham)(Fedail esh-Sham)

📃 Ibn Kethiri transmeton se shumë prej beduinëve që ndodheshin në qytetin e Busras, panë qafat e deveve nën dritën e këtij zjarri që shpërtheu nga toka e Hixhazit. 

📃 Ibn Haxheri, ka thënë: ''Zjarri i përmendur në këtë hadith është ai që u shfaq në rrethinat e Medinës, siç e ka përmendur Kurtubiu dhe të tjerët.”

📃 Sheukani, ka thënë: “Ky zjarr ka dalë në Hixhaz në vitin 654 hixhri, dhe ndriçoi qafët e deveve në Busra.”

📃 Shejh Ibn Baz, ka thënë: “Ngjarja ndodhi në vitin 654 hixhri, dy vite para shkatërrimit të Bagdadit.”

📃 Shejh Ibn Uthejmini ka thënë: “Ndër argumentet e profecisë së tij ﷺ është se ai lajmëroi për ngjarje të fshehta (gajb), një pjesë e të cilave u realizuan gjatë jetës së tij, e pjesa tjetër pas tij. Një shembull i qartë është lajmi për daljen e zjarrit në tokën e Hixhazit, i cili ndriçoi qafat e deveve në Busra. Ky zjarr shpërtheu në lindje të Medinës, në muajin Xhumada el-Ahirah të vitit 654 hixhri, zgjati afro një muaj dhe mbushi luginat. Nga drita e tij, njerëzit panë qafat e deveve në Busra, një qytet në Sham."

📖 Hulumtim i realizuar nga platforma e specializuar në metodologjinë e Ehli Sunetit, DORAR.net
📌 Përktheu: Eralb Havolli

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët