15
Oct
Si dukej i Dërguari i Allahut ﷺ?
Transmetohet se Enes ibn Malik, radijAllahu anhu, ka thënë: "I Dërguari i Allahut ﷺ kishte shtat mesatar; as shumë i gjatë, por as i shkurtër. Kishte një trup të mirë, flokët e tij as nuk ishin shumë kaçurrela, por as tërësisht të drejta." (Tirmidhiu)
Ali ibn Ebi Talib, radijAllahu anhu, ka thënë:
"I Dërguari i Allahut ﷺ nuk ishte as shumë i gjatë, por as i shkurtër. Shuplakat dhe shputat i kishte të gjera, kokën të madhe dhe nyjet e eshtrave të mëdha. Kishte qime të gjata në gjoks. Kur ecte, lëkundej sikur po zbriste nga një shpat. Nuk kam parë kurrë para tij e as pas tij dikë më të mirë se ai ﷺ." (Tirmidhiu)
Enes ibn Malik, radijAllahu anhu, tregon:
"Kurrë nuk kam prekur mëndafsh ose diçka më të butë se pëllëmba e dorës së Pejgamberit ﷺ." (Buhariu dhe Muslimi)
Aliu, radijAllahu anhu, gjithashtu ka thënë:
"I Dërguari i Allahut ﷺ nuk ishte as shumë i gjatë, as i shkurtër. Kishte shtat mesatar dhe flokë mes kaçurrelave dhe të drejtave. Nuk ishte i shëndoshë dhe fytyrën nuk e kishte plotësisht të rrumbullakët, por pak të tillë. Ngjyra e tij ishte e bardhë me nuanca të kuqe, sytë të zinj me çerpikë të gjatë. Kishte nyje të mëdha në shpatulla dhe qime nga gjoksi deri te kërthiza. Shuplakat dhe shputat i kishte të gjera dhe ecte fuqishëm, sikur po zbriste nga një shpat. Kur kthehej, lëvizte me gjithë trupin. Në mes të shpatullave e kishte vulën e profetësisë." (Tirmidhiu)
Xhabir ibn Semura, radijAllahu anhu, ka thënë:
"I Dërguari i Allahut ﷺ kishte gojë të madhe, të bardhën e syrit paksa në të kuqe dhe thembra me pak mish." (Muslimi)
Në një transmetim tjetër, Xhabir ibn Semura, radijAllahu anhu, ka thënë:
"... e shikoja fytyrën e tij, pastaj e shikoja hënën; për mua fytyra e tij ishte më e bukur se hëna." (Tirmidhiu)
Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, tregon: "Fytyra e të Dërguarit ﷺ ishte e bardhë dhe shkëlqente sikur të ishte prej argjendi. Flokët i kishte mesatar."
Ebu Tufejli, radijAllahu anhu, sahabiu i fundit që ka vdekur, ka thënë: "E kam parë të Dërguarin ﷺ dhe nuk kishte në fytyrë të tokës dikë tjetër që e ka parë." (Domethënë gjatë kohës sa ishte gjallë Ebu Tufejli).
Seid ibn Xhubejri i ka thënë: "Ma përshkruaj atë."
Ebu Tufejli iu përgjigj: "Ka qenë i bardhë, i bukur dhe me shtat mesatar." (Muslimi)
📖 Shkëputje nga libri: Shemeil el-Muhamedije ﷺ"
📌 Përktheu: Eralb Havolli