LËNIA PASDORE E SUNETIT!

26
Nov

LËNIA PASDORE E SUNETIT!

📃 LËNIA PASDORE E SUNETIT! 

Dr. Abdullah ibn Hamud el Furejxh, në hyrje të librit të tij të njohur "El Minah el alijjeh fi bejani es sunen el jeumijjeh"  i cili është përkthyer në rreth 30 gjuhë të botës, thotë:

Realiteti ynë dëshmon sot për një dukuri shqetësuese: lënien pas dore e Sunetit të Pejgamberit ﷺ me arsyetimin se ai bën pjesë tek ato vepra për kryerjen e të cilave njeriu shpërblehet, ndërsa për lënien e tyre nuk ndëshkohet.

📌 (Suneti në shkencën e Usulit përkufizohet si: ajo vepër për kryerjen e së cilës njeriu shpërblehet, ndërsa për lënien e saj nuk ndëshkohet. Autori, me këtë hyrje, dëshiron të theksojë se nuk duhet të mjaftohemi vetëm me këtë përkufizim teorik, por duhet të kemi etje dhe përkushtim për ta zbatuar atë në praktikë, pa e kufizuar veten vetëm te pyetja: "A ka mëkat lënia e tij apo jo?) - Shënim i përkthyesit!

I nderuar lexues, po të hulumtoje rreth rrugës së të Dërguarit ﷺ, do të vëreje se sahabët e tij të nderuar në shumicën e rasteve nuk bënin dallim mes veprave që janë vaxhib (obligim) dhe atyre që janë mustehab (të pëlqyeshme) kur bëhej fjalë për pyetjen dhe zbatimin e tyre. Përkundrazi, ata ishin njerëzit më të etur për të mirën dhe më të pikëlluarit për humbjen e saj, qoftë ajo vepër edhe nafile (vullnetare).

Ndërsa sot, sheh shumë prej atyre që i njohin vlerat e mëdha dhe rëndësinë e shumë suneteve, por nuk veprojnë sipas tyre qoftë edhe një herë të vetme. Madje, ndodh që te dikush të vëresh shenja të qarta mirësie, përkushtimi dhe dashurie për të mirën, por njëkohësisht e sheh duke lënë pas dore shumë sunete, madje shumicën prej tyre.

Kështu, Suneti i të Dërguarit ﷺ nuk pasqyrohet tek ai: as në pamjen e tij të jashtme, as në moral, as në sjellje e as në adhurim.

📌 (Kur flasim për Sunetin, qëllimi nuk kufizohet vetëm te sunetet e namazeve ditore, por përfshin çdo fjalë, vepër apo sjellje që i Dërguari ﷺ e ka nxitur dhe rekomanduar, pa qenë në nivelin e obligimit, si: etika dhe morali, sjelljet me njerëzit, pamja e jashtme, lutjet e përditshme, dhikret, namazet vullnetare, agjërimet vullnetare, udhëzimet në lidhje me pastërtinë, urdhërimin për të mirë, ndalimin nga e keqja e shumë të tjera) - Shënim i përkthyesit!

Sa bukur i tha dikush një njeriu që zotëronte shumë dije por nuk punonte me të:

"O ti! Nëse e harxhon gjithë jetën duke mbledhur armë, kur do të luftosh?"

Pikërisht për këtë, të parët tanë të devotshëm (Selefi) e qortonin ashpër atë që mëson por nuk vepron sipas dijes së tij, si dhe atë që grumbullon dije pa nxjerrë dobi prej saj. Kur një mëngjes te dera e Imam el-Euzaiut u mblodhën shumë kërkues të hadithit, ai u kthye nga ata e tha:

"Sa shumë të etur, grumbullues e të pangopur, të cilët as nuk përfitojnë vetë e as nuk u bëjnë dobi të tjerëve!"

Kjo që u përmend më lart pasqyron gjendjen e shumë prej nesh sot. Nuk e mohojmë faktin se kemi edhe shembuj ndriçues në pasimin e Sunetit, por në përgjithësi mbizotëron një neglizhencë e theksuar ndaj tij.

📖 Marrë nga libri: ''El Minah el alijjeh fi bejani es sunen el jeumijjeh", botimi Dar el Hixhaz, fq. 10
📌 Përktheu: Eralb Havolli

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët