02
Sep
SHIRKU në tyrbe dhe varreza!
Shkruan: Shejh Salih el-Feuzan, Allahu e ruajttë!
I Dërguari i Allahut ﷺ e ka mbyllur çdo rrugë që të çon drejt shirkut dhe ka paralajmëruar ashpër prej tij. E sidomos për çështjen e varrezave, ai ka vendosur rregulla të qarta për t'u mbrojtur nga kjo dhe i ka parandaluar të gjitha shkaqet që shpien drejt tij. Ai ﷺ ka paralajmëruar nga teprimi ndaj njerëzve të mirë dhe të devotshëm (evlijave), ngase kjo çon në adhurimin e tyre krahas Allahut. Në hadithin e Ibn Abasit, radijAllahu anhu, I Dërguari ﷺ ka thënë:
"Kini kujdes nga teprimi në fe, sepse ata që ishin para jush i shkatërroi pikërisht teprimi në fe!" (Transmeton Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe)
Po ashtu në një hadith tjetër ka thënë:
"Mos e teproni me lavdërimin tim ashtu siç e tepruan të krishterët me të birin e Merjemes (Isain, alejhi selam); unë jam vetëm një rob, prandaj thoni: Robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij." (Transmeton Buhariu)
I Dërguari i Allahut ﷺ ndaloi që të ndërtohet mbi varre, siç transmetohet nga Ebul Hajaxh el-Esedi se Ali ibn Ebi Talib, radijAllahu anhu, i tha atij:
''A të të dërgoj për një detyrë me të cilën më dërgoi mua i Dërguari i Allahut ﷺ? Që të mos lësh asnjë statujë/figurë pa e shkatërruar dhe asnjë varr të ngritur lart pa e niveluar (rrafshuar).'' (Transmeton Muslimi)
Po ashtu Ai ﷺ ndaloi gëlqerosjen e varreve; nga Xhabir ibn Abdilah, radijAllahu anhu, transmetohet se ka thënë:
''I Dërguari i Allahut ﷺ ndaloi që varri të gëlqeroset, të ulet mbi të dhe që të ngrihet ndonjë ndërtim mbi të.'' (Transmeton Muslimi)
Po ashtu I Dërguari i Allahut ﷺ na paralajmëroi me vendosmëri që të mos falemi te varrezat. Në çastet e fundit të jetës së tij, i Dërguari i Allahut ﷺ thoshte:
"Allahu i mallkoftë jehudët dhe të krishterët, të cilët i morën varret e pejgamberëve të tyre dhe i shndërruan në faltore (vende faljeje)!" (Transmeton Buhariu)
Mirëpo sot, shumë njerëz i kanë shpërfillur këto ndalesa profetike dhe kanë vepruar pikërisht atë për të cilën paralajmëroi i Dërguari i Allahut ﷺ, e kështu kanë ngritur faltore e tyrbe mbi varre, duke hapur kështu dyert e shirkut dhe duke rënë në të. Ata ndërtuan mbi varre vendfalje e tyrbe dhe i bënë ato vende vizitash, ku praktikohen të gjitha llojet e shirkut të madh: si prerja e kurbanit për to, lutja ndaj të vdekurve, kërkimi i ndihmës prej tyre, kushtimi i zotimeve për ta, e të tjera si këto.
🖇 Ka thënë dijetari i madh Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë!:
''I Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar faljen e namazit te varret, ndërsa këta njerëz falen pranë tyre. Ka ndaluar marrjen e tyre si vendfalje, ndërsa këta ndërtojnë mbi to vendfalje dhe i quajnë ato TYRBE për t'iu ngjasuar shtëpive të Allahut (xhamive). Ai ﷺ ka ndaluar ndezjen e qirinjve mbi to, ndërsa këta lënë pasuri vakëfi posaçërisht për ndezjen e kandilave mbi to. Ka ndaluar që varret të merren si vende festash (tubimesh të përsëritura), ndërsa këta i marrin ato si festa e rite festive, duke u tubuar pranë tyre ashtu siç tubohen për bajram apo edhe më shumë."
''Ajo që ligjësoi i Dërguari i Allahut ﷺ gjatë vizitës së varreve është vetëm kujtimi i botës tjetër dhe bërja e mirë ndaj të vdekurit; duke u lutur për të, duke kërkuar mëshirë për të, duke kërkuar falje për të dhe duke lutur Allahun për shpëtim për të. Mirëpo, këta idhujtarë e përmbysën çështjen dhe e kthyen mbrapsht fenë. Ata e bënë qëllimin e vizitës: shirkun me të vdekurin, lutjen drejtuar atij, lutjen me anë të tij, kërkimin e nevojave prej tij, kërkimin e zbritjes së bereqeteve prej tij dhe ndihmës së tij kundër armiqve... e të tjera si këto. Kështu ata u bënë keqbërës ndaj vetvetes dhe ndaj të vdekurit.'' (Këtu përfundon fjala e Ibn Kajimit).
Me këtë bëhet e qartë se paraqitja e zotimeve dhe kurbanëve për tyrbet është SHIRK I MADH. Shkaku i saj është kundërshtimi i udhëzimit të Dërguarit ﷺ lidhur me gjendjen në të cilën duhet të jenë varret, pra mosndërtimi mbi to vendfalje. Sepse kur mbi to u ndërtuan kupola dhe përreth tyre u ngritën tyrbe e vendfalje, të paditurit menduan se të varrosurit aty mund të sjellin dobi ose dëm, se i ndihmojnë ata që kërkojnë ndihmë prej tyre dhe se u kryejnë nevojat atyre që u mbështeten. Prandaj u paraqitën atyre sakrifica, derisa ato u bënë idhuj që adhurohen përveç Allahut.
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
"O Allah, mos e bëj varrin tim idhull që adhurohet." (Transmeton Imam Maliku)
Dhe i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e bëri këtë lutje veçse sepse diçka nga kjo mund të ndodhte, siç edhe ka ndodhur te varret në shumë prej vendeve të Islamit.
Sa i përket varrit të tij (të Dërguarit ﷺ), Allahu e mbrojti atë, kështu që njerëzit nuk janë në gjendje të arrijnë te varri i tij; sepse varri i tij është brenda shtëpisë së tij dhe nuk është brenda xhamisë, si dhe është i rrethuar me mure.
🖇️ Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, në poezinë ''Nunija'' e përmend këtë:
''Zoti i botëve lutjen ia pranoi,
andaj varrin e tij me tri mure e bllokoi.''
📖Shkëputje nga libri ''Akidetu et-Teuhid'' i shejhut të nderuar Salih el Feuzan
📌 Përktheu: Eralb Havolli