Dispozitat e Kurbanit, informata që duhet t'i dijë çdo besimtar!
- Me kurban nënkuptojmë kafshën e cila therret në shtëpi, në ditën e Kurban Bajramit dhe ditët e Teshrikut, me të vetmin qëllim, afrimin tek Allahu i Lartësuar.
- Kafsha më e pëlqyeshme për kurban është deveja, pastaj lopa, sepse këto kanë vlerë më të madhe dhe përfitojnë nevojtarët më shumë, e pastaj deleja. Ndërsa më e pelqyeshmja nga secili lloj është kafsha më e majme dhe më e shtrenjtë, e kjo përkitazi me fjalën e Allahut të Lartësuar:
وَمَن يُعَظِّمْ شَعَـٰٓئِرَ ٱللَّهِ فَإِنَّهَا مِن تَقْوَى ٱلْقُلُوبِ
Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij. (El-Haxhxh : 32)
- Prej kushteve që duhet t'i plotësojë Kurbani, është arritja e moshës së duhur, e që është: Delja duhet t'i ketë gjashtë muaj, dhia një vjet, lopa dy vjet dhe deveja pesë vjet."
- Delja vlen për personin që e therr dhe familjen e tij. Kurse lopa për shtatë persona, siç transmeton Xhabiri, radijAllahu anhu, se: "I Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëronte që të merrnim pjesë shtatë veta në një deve ose lopë." (Muslimi)
Transmeton Ebu Ejubi, radijAllahu anhu, se: "Njeriu në kohën e të Dërguarit ﷺ e therrte një dele për vete e familjen e tij, e nga ajo hanin dhe i ushqenin të tjerët." (Ahmedi, Tirmidhiu dhe të tjerët)
- Një dele për kurban është më e vlefshme sesa një e shtata e lopës.
- Nuk vlen për kurban ajo kafshë që nuk është e shëndoshë nga sëmundjet dhe mangësitë trupore, apo që është e dobët. Pra, nuk vlen për kurban kafsha që njërin sy e ka të verbër, apo të dy sytë, apo që është e dobët e nuk ka forcë, apo që është e çalë e nuk mund të ecë normalisht, apo që i kanë rënë dhëmbët, apo ajo që nuk prodhon qumësht për shkak të moshës së madhe, e po ashtu edhe kafshët e sëmura, e që sëmundja e tyre është e dukshme!
Siç transmeton Bera ibn Azib, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi te ne dhe na tha: "Katër gjëra nuk lejohet (që t'i ketë një kafshë) për Kurban: "E verbëra, që vërehet verbëria e saj, e sëmura, që sëmundja e saj është e dukshme, ajo që çalon dhe vërehet qartë dhe e dobëta, që nuk ka dhjamë." (Ebu Davudi dhe Nesaiu)
- Koha e therrjes së kurbanit është pas namazit të Kurban Bajramit e deri në ditën e fundit të ditëve të teshrikut.
- Është mustehab (e preferueshme) që të hahet një pjesë e Kurbanit, e një pjesë të jepet sadaka, përkitazi me fjalën e Allahut të Lartësuar:
فَكُلُوا۟ مِنْهَا وَأَطْعِمُوا۟ ٱلْبَآئِسَ ٱلْفَقِيرَ
Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër! (El-Haxhxh : 28)
📖 Shkëputje nga libri "El-Mulahas el-Fikhij" te Shejh Salih el-Feuzan, Allahu e ruajttë!
📌 Përktheu: Eralb Havolli