Si ia zbukuron shejtani njeriut të keqen?

27
Aug

Si ia zbukuron shejtani njeriut të keqen?

Një nga intrigat që shejtani ia bën njeriut është edhe të nxitur në diç që i duket e dobishme, pastaj e hedh në situata të cilat për njeriun janë shkatërrim, pastaj e lë vetëm, e tradhton, qesh me mjerimin e tij, e shtyn të vjedhë, të bëjë zina, të vrasë dhe në fund e drejton gishtin duke e denoncuar para njerëzve.

Allahu i Madhëruar thotë:

وَإِذْ زَيَّنَ لَهُمُ ٱلشَّيْطَـٰنُ أَعْمَـٰلَهُمْ وَقَالَ لَا غَالِبَ لَكُمُ ٱلْيَوْمَ مِنَ ٱلنَّاسِ وَإِنِّى جَارٌۭ لَّكُمْ ۖ فَلَمَّا تَرَآءَتِ ٱلْفِئَتَانِ نَكَصَ عَلَىٰ عَقِبَيْهِ وَقَالَ إِنِّى بَرِىٓءٌۭ مِّنكُمْ إِنِّىٓ أَرَىٰ مَا لَا تَرَوْنَ إِنِّىٓ أَخَافُ ٱللَّهَ ۚ وَٱللَّهُ شَدِيدُ ٱلْعِقَابِ ٤٨


"Shejtani ua zbukuroi atyre veprat e këqija dhe u tha: Askush në botë nuk do t'ju mundë sot dhe unë jam mbrojtësi juaj. Mirëpo, kur u ndeshën dy ushtritë (me melaqet përkrah besimtarëve), ai u kthye nga thembrat e tij dhe u tha (jobesimtarëve): Unë nuk kam të bëj me ju; unë shoh atë që ju nuk e shihni dhe i frikësohem Allahut, sepse Allahu ndëshkon ashpër" (Kurani, Enfal: 48).

Kështu, shejtani u kishte thënë politeistëve, kur këta ishin nisur ne luftën e Bedrit, duke iu shfaqur si Suraka bin Maliku: "Unë jam fqinji juaj nga fisi Benu Kinan, nëse ata duan që familjeve tuaja dhe fëmijëve tuaj t'u shkaktojnë dëm, unë jam me ju".
Mirëpo, kur armiku i Allahut e vërejti ushtrinë e melekëve që ishin lëshuar për ta ndihmuar të Dërguarin, iku prej tyre duke i lënë në zgrip, siç thuhet në vargjet e kënduara nga Hasani:

“I mashtroi me trillime, pastaj i tradhtoi, i mbrapshti kur bën miqësi me dikë, në realitet e mashtron keq.”

Shejtani ka vepruar ngjashëm edhe me eremitin, i cili i kishte mbytur një femër dhe fëmijën e saj. E kishte nxitur të bëjë zina me të, pastaj e kishte vrarë, ndërsa më pas familjen e saj e kishte nxitur kundër tij dhe ua kishte zbuluar ç'kishte ndodhur. Më pas e kishte shtyrë t'i bënte sexhde. Eremiti e bëri këtë, ndërsa shejtani iku prej tij duke e lënë vetëm.

Allahu ﷻ ka shpallur:

كَمَثَلِ ٱلشَّيْطَـٰنِ إِذْ قَالَ لِلْإِنسَـٰنِ ٱكْفُرْ فَلَمَّا كَفَرَ قَالَ إِنِّى بَرِىٓءٌۭ مِّنكَ إِنِّىٓ أَخَافُ ٱللَّهَ رَبَّ ٱلْعَـٰلَمِينَ ١٦


"Aleatët e tyre hipokritë do t'i lënë në baltë, siç bën shejtani, i cili i thotë njeriut: "Mos beso!". Por, kur ky bëhet mohues, shejtani i thotë: “Unë nuk kam të bëj me ty! Në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve"  (Hashr: 16).

Fjalët e cituara Kuranore nuk kanë të bëjnë vetëm me rrëfimin e përmendur me sipër, por ato i përfshijnë të gjithë ata që i binden shejtanit kur ai i urdhëron, duke shpresuar me këtë rast se shejtani do t'u ndihmojnë dhe t'ua zgjidhë nevojat e tyre. Ai do t'i braktisë të gjithë ata duke e hequr dorë prej tyre, siç do të heqë dorë në Xhehenem nga të gjithë që e kanë konsideruar mik dhe mbështetje. Atëherë, ai do të deklarojë:

وَمَا كَانَ لِىَ عَلَيْكُم مِّن سُلْطَـٰنٍ إِلَّآ أَن دَعَوْتُكُمْ فَٱسْتَجَبْتُمْ لِى ۖ


"...Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m'u përgjigjet..." (Kurani, Ibrahim: 22).


Pra, shejtani do t'i sjellë në vendin me të keq, e pastaj do t'i braktisë të gjithë.

Shejtani do të deklarojë: "Unë i frikësohem Allahut." Këtë disa e kanë kontestuar, për shembull Ibn Katade dhe Is'haku kanë deklaruar: “Armiku i Allahut e thotë të vërtetën kur deklaron: "Unë e shoh atë që ju nuk e shihni", por gënjen kur deklaron: "Unë i frikësohem Allahut", ngase ai assesi nuk i frikohet Allahut. Në të vërtetë, ai e di se s'ka fuqi dhe se s'mund të qëndrojë, prandaj i ka sjellë aty ku i ka sjellë, pastaj ka hequr dorë prej tyre duke i tradhtuar. Në mënyrë të njëjtë shejtani vepron edhe me ata që i binden".

Disa, ndërkaq, kanë deklaruar: "Shejtani i frikësohet vetëm ndëshkimit të Allahut ﷻ në këtë botë, ngjashëm me jobesimtarin dhe të shfrenuarin që kanë frikë se do të vriten apo dënohen për shfrenim, e nuk frikohen nga dënimi në ahiret!" Ky sqarim është më i drejtë, ngase frika e këtij lloji nuk nënkupton as besimin, as shpëtimin.

El-Kelbi deklaron: "Shejtani është frikësuar se Xhibrili do ta zbulojë para atyre që i ka mashtruar, andaj ata s'do t'i binden më".

Ky koment nuk ka bazë, meqë shejtani i ka deklaruar fjalët e cituara vetëm pasi ka ikur, ndërkaq idhujtarët e dinin se ai që u kishte prirë dhe i kishte ëruar ishte Iblisi; ata nuk do ta përkrahnin pas kësaj.

Ata i kuptojnë fjalët e cituara të shejtanit në këtë mënyrë: "Frikësohem që Allahu do të më shkatërrojë bashkë me ata që do t'i shkatërrojë. Kjo është frikë nga shkatërrimi në këtë botë dhe shejtani nuk do të këtë dobi nga kjo frikë".

Ibni Zexhaxhi dhe El-Enbari deklarojnë: "Shejtani ka menduar se koha që i është dhënë për t'i mashtruar njerëzit ka kaluar"; ndërsa El-Enbari ka shtuar edhe: "Shejtani është frikësuar se koha e tij ka skaduar dhe se ka arritur dënimi. Kur i vërejti melekët, e kaploi tmerri dhe e tha atë që e deklaroi nga dhimbja për veten".

Ibn Kajjim
Kurthet e Shejtanit, fq. 174-176

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët