Shkuarja në perëndim

17
Jan

Shkuarja në perëndim

Një sqarim për fenomenin e shkuarjes së njerëzve nga vendet tona për në gurbet 

Statistikat e fundit tregojnë se në Kosovë për 800 termine për viza vetëm në ambasadën gjermane janë bërë diku 55.000 aplikime. Ky është një numër enorm në kuptimin se çfarë po ndodh në vendet tona nga ikjet e shumta. 

Une e di dhe jam pjesë e realitetit që gjendja në vendet tona nuk është gjendje për t'u lakmuar dhe se nuk është një gjendje inkurajuese për të qëndruar në këtë vend, po ashtu e di që nuk e gjen njeriu sigurinë dhe përkrahjen e mjaftueshme në shumë aspekte për të qëndruar këtu. Mirëpo mbi të gjitha ne duhet të mbesim këtu dhe duhet të luftojmë për këtë vend. Nëse të gjithë ikim, atëherë kush do ta përmirësojë këtë gjendje?! Nëse të gjithë ikim nga përgjegjësia kush garanton të ardhmen e këtij vendi?! Natyrisht ka raste të llojllojshme kur një anëtar i familjes shkon të mbajë familjen, mirëpo të ikë shumica, kapaciteti dhe koka e këtij vendi, mendoj se për këtë duhet të kemi pak më tepër ndërgjegje dhe përgjegjësi ndaj vendit tonë. 

Fatkeqesisht ne shohim shpesh kur ikin në gurbet edhe njerëz që janë të punësuar dhe kanë rroga të mjaftueshme dhe që e lënë të mangët vendin e punës së tyre. Pastaj kemi edhe nga ata që ikin me mllef, me fjalë si: "Kurrë më mos u kthefsha." Kuptoj se njerëzve të tillë mund t'i ketë bërë keq ndoshta shefi apo polici, apo dikush tjetër, mirëpo nuk lejoj që asnjë individ të më zhgënjejë deri në atë masë saqë më, të mos e dua vendin tim. 

Të dashur, ky është vendi ynë, kjo është toka jonë, ky është dheu që për të është paguar shumë dhe po paguhet vazhdimisht. Unë jam shumë optimist se ky vend do të ketë të ardhme shumë të mirë ngaqë ka djem të ri dhe ka vajza të reja me kapacitet dhe vullnet të madh, por gjithashtu na duhet sakrificë dhe punë meqë këtë e kemi obligim dhe përgjegjësi ndaj vendit tonë dhe ndaj fëmijëve tanë.

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët