Kuptimi i drejtë i meseleve të ngritura mbi ixhtihad

09
Feb

Kuptimi i drejtë i meseleve të ngritura mbi ixhtihad

"Ixhtihadi nuk rrënohet me ixhtihad."

Vërejtje: Ixhtihadi nuk pranohet në mesele të Akides, në mesele që ka konsensus (ixhma) dhe karshi teksteve të prera fetare.

Le të themi se një dijetar në bazë të argumenteve që ka grumbulluar ka bërë ixhtihad (përpjekje) për një çështje dhe ka arritur në përfundim se është mubah (e lejuar). Ndërkohë, vie një dijetar tjetër, bën ixhtihad, mbledh argumente dhe arrin në përfundim që kjo çështje nuk është mubah, por është bidat (e shpikur, jo e lejuar).

A e obligon kjo dijetarin e parë që të ndjekë ixhtihadin e dijetarit të dytë?
- Sigurisht që jo!

A i obligon ata që e kanë marrë mendimin e dijetarit të parë që tash ta pasojnë mendimin e dijetarit të dytë?
- Jo, as ata nuk obligohen me pasimin e dijetarit të dytë!

Kjo për arsye se dijetari i parë nuk e ka pasuar epshin e tij por i ka pasuar argumentet që ka gjetur në lidhje me atë çështje, dhe në bazë të atyre argumenteve e ka ndërtuar ixhtihadin e tij.

Ixhtihadi është mundi maksimal që një dijetar jep për të arritur në një përfundim të caktuar. Ky ixhtihad nuk është i bazuar assesi në mendjen e tij të lirë, mirëpo është i bazuar në argumente nga Kurani dhe Suneti.

Siç thotë Allahu:

وَٱلَّذِينَ جَـٰهَدُوا۟ فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا ۚ وَإِنَّ ٱللَّهَ لَمَعَ ٱلْمُحْسِنِينَ 

"Ata që përpiqen për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!"


Allahu i Lartmadhëruar sa herë që flet në Kuran për të vërtetën, islamin ose imanin, asnjëherë nuk flet në shumës. Ndërkaq për meselet ku mund të ketë më shumë se një mendim Allahu përmend në Kuran shumës - "udhëve Tona".

Pra, ata (dijetarë) që përpiqen të arrijnë tek e vërteta përmes Kuranit dhe Sunnetit dhe arrijnë në një përfundim të caktuar, asnjëri nga ata nuk konsiderohet mëkatar. Përkundrazi, konsiderohen që kanë fituar shpërblim. Ai i cili është përpjekur dhe nuk ia ka qëlluar ka një shpërblim për mundin që ka dhënë, ndërsa ai që ia ka qëlluar i ka dy shpërblime, njërin (shpërblim) për mundin e dhënë dhe tjetrin për shkak se ia ka qëlluar meseles.

E njëjta gjë ndodh edhe nëse janë më shumë se dy mendime, qoftë edhe nëse dhjetë dijetarë përpiqen që t'ia qëllojnë meseles, secili nga ta ka nga një shpërblim për ixhtihadin e bërë dhe njëri nga ta ka dy shpërblime për shkak se ia qëllon meseles.

Shumë mospajtime lindin duke mos e njohur mirë dhe drejt çështjen e ixhtihadit, pa marrë parasysh a është mesele më e vjetër apo është çështje bashkëkohore.

Dhe një gjë me rëndësi që duhet të ceket në këtë çështje është se ai i cili ka mendimin për një çështje të caktuar se është bidat është normale që të jetë më i ashpër në mbrojtje të mendimit të tij karshi atij i cili thotë se është sunet.

Në asnjë formë nuk lejohet që cilido nga këta ta pasojnë njëri-tjetrin në ixhtihadin e tyre, përkundrazi, e kanë haram ta pasojnë njëri-tjetrin në ixhtihad. Kjo përshkak se asnjëri nga ta nuk ka gjykuar me epsh apo me hamendje, por në bazë të argumenteve përkatëse që i kanë arritur. Pra, dijetari i parë, pasi që ka bërë ixhtihad dhe i ka shikuar argumentet, nuk lejohet që të pasojë dijetarin e dytë që edhe ai ka bërë ixhtihad, se pastaj i bie që dijetari i parë nuk është duke i pasuar argumentet që i ka por po e pason dikë tjetër duke lënë anash argumentet.

Gjithashtu duhet ditur që nuk është e nevojshme që të bëhet punim shkencor për një çështje te caktuar që të arrihet ixhtihadi, nuk është ky kriter. Poashtu as shkrimi i një libri për një mesele apo çështje nuk është kriter. Ai që e ka shkruar një fletë për një çështje dhe ai që e ka shkruar një libër për të njëjtën çështje janë të barabartë, dallimi qëndron vetëm në argumentim. Pra, nuk bëhet i pari më i dobët përballë të dytit, përveçse në argumentim.

Duhet mos të harrojmë që të dy këta kanë frikë ndaj Allahut dhe gjithnjë synojnë Kënaqësinë e Tij. Nëse që të dy këta i kanë plotësuar kushtet e ixhtihadit, ne ia besojmë çështjen. Sepse nëse nuk ia besojmë, atëherë ne bëhemi sikurse havarixhët të cilët as Pejgamberit ﷺ nuk ia besuan çështjet.

Lart u përmend se në një çështje ixhtihadije një dijetar dhe ndjekësit e tij nuk lejohet ta pasojnë dijetarin tjetër dhe ndjekësit e tij. Shumica e fitneve ndodhin për shkak të mos njohjes së kësaj rregulle, e jo nga ajetet apo hadithet e qarta apo meselet që nuk ka mospajtime. Sikurse ne t'i kuptonim mirë çështjet ixhtihadije, nuk do të ndodhnin shumë mospajtime dhe fitne të mëdha, e që disa nga këto fitne, disa nga xhemati i thjeshtë ka ndodhë t'i dërgojnë në luftë. Krejt kjo përshkak të keqkuptimit të rregullave që duhet ditur, e për të cilat shumica e tyre nuk kanë aspak njohuri.

Për të pasur çasje korrekte, vetëm duhet ditur që meselja e caktuar se çfarë mesele është. Nëse është mesele ixhtihadije, atëherë xhemati duhet gjetur hoxhën apo dijetarin që është i denjë për pasim, pastaj çështja bëhet shumë e lehtë dhe e kuptueshme, për arsye se ne jemi duke e pasuar një dijetar me kredibilitet dhe që meriton të pasohet.

Prandaj edhe dijetarët kanë shkruar libra voluminozë sa i përket çështjeve në të cilat ka ixhtihad. Dijetari i njohur Ibn Mundhir ka shkruar libër për ixhma'in (koncensusin), poashtu ka shkruar "El-Eusat fil hilaf", pastaj "El-ishraf fi mearifeti medhehibi ulema'il emsar", të gjitha këto libra i ka shënuar që të na tregojë që ixhmaja nuk kundërshtohet, ndërsa meselet hilafije shikohet se a është hilafi (kundërshtimi) i fortë apo i dobët.

Nëse hilafi është i dobët dhe ixhtihadi është ai që shtyn mendimin përpara, nuk ke të drejt të dalësh dhe ta kundërshtosh, por ke të drejtë të tregosh se si ke arritur në një përfundim tjetër, pra t'i tregosh argumentet apo mënyrën e argumentimit.

Por, a ke të drejt ta bësh dikënd bidatçi në mesele ixhtihadie? Le të themi filan dijetari thotë që meselja është mubah, ndërsa një dijetar tjetër thotë që është bidat. A ka të drejt ky i dyti t'i thotë të parit se është bidatçi pasi e vepron atë punë, ose ndjekësit e të dytit t'i thonë ndjekësve të të parit se janë bidatçinj, kur e gjithë meselja është e ndërtuar mbi ixhtihad?

Jo, duke u bazuar në këtë prizëm, nuk ke të drejt ta bësh dikë bidatçi në mesele ixhtihadie. Ke të drejt të thuash ashtu sikurse thoshte Imam Shafiu: "Mendimi im është i saktë dhe mendimi i kundërshtarit është gabim, por ka mundësi që mendimi i tij të jetë i saktë dhe mendimi im të jetë gabim."

Përderisa dikush jep mund për diçka dhe arrin në një përfundim të caktuar nuk lejohet mos ta mbrojë atë mendim, por njëkohësisht kur kemi edhe një mendim ndryshe, nuk na lejohet t'ia mohojmë tërësisht tjetrit. Pra, e lëmë mundësinë që edhe ai mund ta ketë mirë dhe anasjelltas, por jo ta konsiderojmë të prerë atë mesele. Për këtë është shkruar një libër i cili titullohet: "Nuk bëhet bidatçi dikush në çështjet ku ka ixhtihad."

Shumica e mospajtimeve bashkohore janë si rezultat i meseleve ixhtihadije. Gabimi kryesor në të gjithë këtë që u tha është nga mosnjohja e mertebeve, ixhmasë, hilafit të fortë, hilafit të dobët dhe meseleve ku ka ixhtihad.

Mospajtimet ku ka ixhtihad nuk na lejojnë neve të ndërtojmë çfarëdo gjykimi mbi ata dijetarë si bidatçinj, sepse ata tërë përpjekjen e kanë bërë me xhelozi ndaj sheriatit të Allahut. Tani po e marrim një shembull. A lejohet të ndërtohet kishë në tokat islame? Për këtë çështje ka ixhma (koncensus) që nga sahabet se është haram. Nëse në një rast të tillë vie dikush dhe thotë se kjo mesele është ixhtihadije - ku dikush që e thotë të kundërtën (se është e lejuar) fiton shpërblim për shkak të ixhtihadit - ne themi se ky ndërtim i këtij koncepti është gabim trashanik, madje ka mundësi e dërgon në kufër nëse ixhmaja është e prerë. Për këtë arsye duhet ta dimë se ku fillojnë dhe ku mbarojnë kufinjtë e ixhmasë, ku është hilafi i fortë dhe ku përfundon ai hilaf, ku është hilafi i dobët dhe ku përfundon, apo ku është hapësira e ixhtihadit. Kur këto i kemi të qarta, problemet pakësohen.

Nga e tërë kjo do e nxjerrim si konkluzë që njeriu nuk guxon të flasë për një çështje të caktuar me injorancë, për arsye se Allahu nuk e ka ngarkuar me këto gjëra, andaj le të heshtë. Njeriu i cili e di që nuk ka dituri, rri i qetë dhe nuk nxjerr telashe. Ndërkaq njeriu i paditur i cili nuk e di që është injorant, atëherë ky merr guximin të flasë, e ky guxim i tij i shoqëruar me injorancë shkakton probleme të mëdha. Pra injoranca siç po e shohim është dy llojesh:

  1. Xhehl Besit - injorancë e thjeshtë,
  2. Xhehl Murekeb - injorancë e dyfishtë.

Prandaj edhe imam Shafiu për këtë llojin e dytë të injorantit thoshte:

"Sa herë kam debatuar me një injorant, çdo herë kam humbur në debat, ndërkaq sa herë kam diskutuar me një njeri të ditur gjithmonë kam fituar."

Gjatë këtij procesi njeriu duhet ta dijë se nga cilët lloje apo grupe të njerëzve merr pjesë: muxhtehid, mukalid (pasues i hoxhës/dijetarit) apo njeri i thjeshtë.

Hoxhë Bajram Karabeg, shkëputje nga derset e Fikhut

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët