Kujdesi i madh i selefit për gjuhën e pastër arabe

20
Feb

Kujdesi i madh i selefit për gjuhën e pastër arabe

Gjuha arabe konsiderohet ndër bazamentet e umetit islam, një pjesë e pandashme e tij (جزء لا يتجزّأ), diçka si “mishi me asht”. Prandaj, njohja e gjuhës së pastër arabe, kujdesi për të dhe thirrja për përvetësimin e saj janë amanet i përcjellë brez pas brezi nga dijetarët e shumtë të selefit.

Dijetarët e hershëm të selefit, po edhe ata të mëvonshëm i kanë kushtuar kujdes të jashtëzakonshëm mësimit të gjuhës arabe, e disa prej tyre e konsideruan atë edhe “vaxhib” (Ibn Tejmije rahimehullah).

Në këtë kontekst, përcillet prej tij se ka thënë: “Gjuhët janë ndër nishanet më të qarta të popujve me të cilët dallohen; e gjuha arabe është nishan i islamit dhe i pasuesve të tij".

Në vijim, do t’i përmendim disa ndodhi e thënie nga brezat e selefit lidhur me kujdesin e tyre të jashtëzakonshëm për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës së pastër arabe.

Përcillet se Umeri (radijallahu anhu) ishte shumë i kujdesshëm për gjuhën e pastër arabe, meqë ajo është materia me të cilën ka zbritur Kur’ani, është mjeti i parë e kryesor për ta kuptuar drejt atë si dhe për t’i nxjerrë saktësisht dispozitat e tij. Transmetohet se Ebu Musa el-Esh’ari ia kishte dërguar një herë Umerit (radijallahu anhu) një shkresë, ku ishte bërë një lëshim gjuhësor. Umeri (radijallahu anhu) ia kishte kthyer përgjigje duke i thënë: “Godite sekretarin tënd me shkop!” (البيان والتبيين، ص 321) Sipas një transmetimi tjetër, kishte urdhëruar që ta lirojë atë nga pozita.

Imam Shafiu (rahimehullah), ndër të tjera, ishte edhe njohës i thellë i gjuhës dhe poezisë arabe. Autor i një divani poezish. Në mexhliset e tij fliste herë pas here për bidatet (risitë në fe) dhe përhapjen e tyre. Kur ishte pyetur për arsyen e përhapjes së tyre të madhe në kohën e tij, qe përgjigjur: “Për shkak të largimit të njerëzve nga arabishtja” (لِبُعْدِ النَّاسِ عَنِ الْعَرَبِيَّةِ).

Madje, ai (rahimehullah), thotë:

“Sa herë që pyetem për ndonjë mesele të fikhut, e gjej përgjigjen për të në rregullat e sintaksës (قواعد النحو)”.

(شذرات الذهب, لابن العماد الحنبلي)

El-Hasen ibn ebil-Hasen, njëri nga tabi’inët, kur bënte ndonjë lëshim gjuhësor, thoshte: “أستغفر الله” (Kërkoj falje nga Allahu). Kur pyetej për këtë, thoshte: “Kush gabon në të - pra në arabisht - i tilli ka gënjyer kundrejt arabëve, e kushdo që gënjen, ka bërë vepër të keqe, ndërkohë që Allahu i Lartësuar thotë:

وَمَن يَعمَل سوءًا أَو يَظلِم نَفسَهُ ثُمَّ يَستَغفِرِ اللَّهَ يَجِدِ اللَّهَ غَفورًا رَحيمًا

“Dhe kushdo që bën një të keqe ose i bën padrejtësi vetes së tij dhe pastaj kërkon falje nga Allahu, do ta gjejë Allahun Falës dhe Mëshirues”. [En-Nisa: 110].

Për kujdesin, peshën dhe rëndësinë që ka njohja e gjuhës arabe, ka folur edhe Ibn Hazm el-Endelusi, i cili ia ka kushtëzuar mësimin e gjuhës arabe secilit që dëshiron ta mësojë fikhun. Kështu, ai thotë: “Kushdo që dëshiron të mësojë fikhun duhet të mësojë gjuhën arabe. Përndryshe, personi i tillë është i mangët dhe i cekët dhe nuk lejohet që ai të japë fetva për çështjet e fesë”. (الإحكام، 1:208)

Jemi dëshmitarë që në kohën e sotme, shumë njerëz e mësojnë fikhun (jurisprudencën), hadithin dhe shkencat e tjera islame, duke shpërfillur njëkohësisht gjuhën arabe, e pikërisht për këtë arsye u shtuan edhe devijimet e ndryshme, për faktin se e lanë mjetin kryesor për kuptimin e mirëfilltë të fesë.

Gjatë epokës së dinastisë emevite, kur edhe filloi të shfaqej e të përhapej dukuria e gabimeve gjuhësore, halifi i arsimuar Abdul-Melik bin Mervan, një orator i shkathtë, thoshte:

“Gabimet në të folur janë më të shëmtuara se grisja e veshjes dhe lia në fytyrë.” (العقد الفريد, 308: 2).

Nga dashuria e madhe për arabishten e pastër, Muhamed el-Bejruni ka thënë:

“Pasha Allahun, më shumë pëlqej t’më kritikojnë në arabisht sesa t’më lavdërojnë në persisht”.

El-Hatib transmeton nga Shu’be, i cili ka thënë:

“Ai që studion hadith dhe nuk e kupton arabishten, është si një njeri që ka kapelë, por është pa kokë!” (الجامع 26/2)

Gjithashtu ai transmeton nga Hammad ibn Seleme, i cili ka thënë:

“Shembulli i atij që studion hadith dhe nuk e njeh sintaksën e gjuhës arabe (النحو) është si shembulli i gomarit mbi të cilin është një strajcë, por nuk ka elb në të!”

Ebu Ubejdi ka thënë:

“E kam dëgjuar El-Asma’in duke thënë: E kam dëgjuar Halil ibn Ahmedin duke thënë: E kam dëgjuar Ejub es-Sihtijanin duke thënë: “Shumica e njerëzve të Irakut janë bërë heretikë për shkak të injorancës së tyre në gjuhë arabe”.

Këtë e vërteton edhe Ebu Mensur eth-Thea’libi (vdiq në vitin 429 hixhrij) kur thotë:

“Kush e do Allahun e Lartësuar, e do të dërguarin e Tij, Muhamedin alejhissalatu vesselam, e ai që e do të dërguarin arab, i do edhe arabët, dhe ai që i do arabët, e do edhe arabishten në të cilën u shpall Libri më i vlefshëm krijesës më të vlefshme në botë. Ai që e do arabishten, angazhohet për ta mësuar atë, duron në këtë qëllim dhe përpiqet fort në realizimin e kësaj ambicie. Dëshira dhe përpjekja për ta kuptuar arabishten është pjesë e fesë, është mjet i dijes, çelës i kuptimit të thellë të fesë dhe shkak për rregullimin e kësaj bote dhe botës tjetër”.

Transmetohet nga ez-Zexhxhaxh (vdiq në vitin 311 hixhrij) se ai e kishte dëgjuar Ebul-Abbas el-Muberredin duke thënë:

“Njëri nga selefët thoshte: “Kapuni fuqishëm për arabishten, sepse ajo është njerzillëk i pastër, dhe është fjalë e Allahut të Plotfuqishëm dhe e të dërguarve dhe melekëve të tij”.

 

Këtë shkrim po e përmbyllim me thënien e imam Shafiut (rahimehullah), të cilën e përcjell Es-Sujuti (vdiq në vitin 911 hixhrij), në librin e tij "صون الكلام عن فنّ المنطق والكلام "nga Harmele ibn Jahja i cili thotë:

“E kam dëgjuar Shafiun duke thënë: “Njerëzit u bënë injorantë dhe ranë në mospajtime e kundërshti mes vete veç për shkak të shpërfilljes e braktisjes së gjuhës arabe dhe prirjes së tyre ndaj gjuhës së Aristotelit” (lexo këtu: gjuhët evropiane, shënimi im).

 

Jahja Hondozi

Ky artikull u shkrua enkas për Muslimani Ideal

 

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët