23
Sep
Shikimi i Pejgamberit ﷺ në ëndërr!
(Sqarime të rëndësishme).
📃 Së pari: Duhet ta kemi të qartë se njeriu mund ta shohë në ëndërr të Dërguarin e Allahut ﷺ, sepse shejtani nuk mund të marrë pamjen e tij, pra pamjen e tij të vërtetë. Në pamje të tjera, ai mund të shfaqet dhe të pretendojë se është Pejgamberi ﷺ, por kjo nuk është e vërtetë.
🖇 Transmetohet nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se i Dërguari ﷺ ka thënë:
"Kush më sheh mua në ëndërr, më ka parë vërtet, sepse shejtani nuk mund të marrë formën time." (Sahih Ibn Hiban)
📎 Transmetohet se Muhamed ibn Sirinit, kur dikush i tregonte se e kishte parë në ëndërr të Dërguarin ﷺ, e pyeste:
"Ma përshkruaj si e ke parë?"
Nëse përshkrimi nuk përputhej me tiparet e njohura të Pejgamberit ﷺ, ai thoshte: "Nuk e ke parë."
📎 Po ashtu, transmetohet nga Asim ibn Kulajb se ai ka thënë: "Babai im më tregoi dhe tha: I thashë Ibn Abasit se e kisha parë në ëndërr të Dërguarin ﷺ.
Ai më tha: ‘Ma përshkruaj?’
Unë e përshkrova duke ngjasuar me Hasan ibn Ali, radijAllahu anhu!
(Sepse Hasani i ngjante shumë gjyshit të tij, pra të Dërguarit ﷺ).
Atëherë Ibn Abasi tha: ‘Vërtet e paske parë.’
📃 E dyta: Nëse dikush thotë se e ka parë të Dërguarin ﷺ në ëndërr dhe ai ishte një djalosh i ri apo fëmijë, është e mundur, por gjithmonë me kushtet që përmendëm më parë, pra që ta shohë në pamjen e tij të vërtetë në atë moshë.
📎 Ibn Haxheri ka thënë:
"Fjala që ka ardhur në hadith, ‘shejtani nuk mund ta marrë pamjen time’, tregon se shejtani, megjithëse mund të shfaqet në çdo formë, Allahu nuk ia ka mundësuar të marrë pamjen e të Dërguarit ﷺ."
''Disa dijetarë kanë kufizuar këtë deri aty sa thanë se njeriu duhet ta shohë në pamjen që kishte në momentin e vdekjes, duke përfshirë edhe numrin e qimeve të bardha, që nuk kalonin njëzet. Por mendimi më i saktë është se kjo vlen për të gjitha gjendjet e jetës së tij ﷺ, me kusht që pamja të jetë e vërtetë në atë kohë të caktuar, qoftë në rini, në burrëri, në pleqeri apo në ditët e fundit të jetës.'' (Fethul Bari, 12/386)
📃 E treta: Pamja e të Dërguarit ﷺ duhet të përputhet me atë që është përshkruar në hadithe, pra me tiparet e tij fizike të vërteta.
Ndërkaq, veç dëgjimi i zërave, shfaqja e njerëzve të bukur, apo të dëgjosh dikë që thotë "Muhamedi ﷺ" nuk lidhet me të parit e të Dërguarit ﷺ me të vërtetë.
📖 Shejh Salih el-Munexhid, në platfmorën e tij ''El-Islam sual ue xhevab''
📌 Përktheu: Eralb Havolli