Dita e Ashurës

28
Jul

Dita e Ashurës

Kjo është dita në të cilën Allahu pranoi pendimin e një populli. Në hadithin e Aliut, të cilin e shënon Tirmidhiu, përcillet se Profeti (sal-lallllâhu alejhi ue sel-lem) i tha një njeriu: "Nëse ke ndërmend të agjërosh një muaj pas ramazanit, atëherë agjëro muajin muharrem; sepse në këtë muaj gjendet dita në të cilën Allahu pranoi pendimin e një populli; dhe po në këtë ditë do të pranojë edhe pendimin e të tjerëve." (1)

Fjalët e Profetit ﷺ "...dhe po në këtë ditë do të pranojë edhe pendimin e të tjerëve", janë një nxitje për përtëritjen e pendimit të sinqertë në Ditën e Ashures, dhe një shpresë për pranimin e pendimit të atij që është penduar për mëkatet tek Allahu i Lartësuar; njësoj siç u pranua pendimi i atyre që qenë para nesh. Në lidhje me Ademin, Allahu i Lartësuar thotë:

فَتَلَقَّىٰٓ ءَادَمُ مِن رَّبِّهِۦ كَلِمَـٰتٍۢ فَتَابَ عَلَيْهِ ۚ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلتَّوَّابُ ٱلرَّحِيمُ

"Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti." (El-Bekare, 37)

 

Allahu i Lartësuar ka njoftuar se ai dhe gruaja e tij thanë:

قَالَا رَبَّنَا ظَلَمْنَآ أَنفُسَنَا وَإِن لَّمْ تَغْفِرْ لَنَا وَتَرْحَمْنَا لَنَكُونَنَّ مِنَ ٱلْخَـٰسِرِينَ

"O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit." (El-A'raf, 23)

 

Pranimi i mëkatit nga ana e mëkatarit dhe keqardhja për kryerjen e mëkatit përbëjnë vetë pendimin e pranuar. Allahu i Madhërishëm thotë:

وَءَاخَرُونَ ٱعْتَرَفُوا۟ بِذُنُوبِهِمْ خَلَطُوا۟ عَمَلًۭا صَـٰلِحًۭا وَءَاخَرَ سَيِّئًا عَسَى ٱللَّهُ أَن يَتُوبَ عَلَيْهِمْ ۚ

"Ndërkaq, disa të tjerë i pranojnë gjynahet e veta, se i kanë përzier veprat e mira me të këqijat. Me gjasë Allahu t'ua pranojë pendimin." (Et-Teube, 102)

 

I Dërguari ﷺ ka thënë: "Përnjëmend që kur robi e pranon mëkatin e pastaj pendohet, Allahu e pranon pendimin e tij." (2)

Në lutjen e çeljes së namazit, me të cilën Profeti ﷺ e niste këtë adhurim, thuhet: "O Allah! Ti je Zoti im. S'ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje. Unë i kam bërë padrejtësi vetes sime dhe e pranoj mëkatin tim, prandaj, më fal; sepse askush s'mund t'i falë mëkatet përveç Teje!" (3)

Në lutjen të cilën Profeti ﷺ ia mësoi Ebu Bekrit për ta lexuar në namaz, lexojmë: "O Allah! I kam bërë shumë padrejtësi vetvetes, dhe askush tjetër përveç Teje nuk i fal mëkatet, prandaj, më fal me faljen tënde dhe më mëshiro, sepse Ti je Falësi dhe Mëshirëploti!" (4)

Në hadithin e Shedad ibn Eusit, transmetohet se Profeti ﷺ ka thënë: "Kërkimfalja më e arrirë është thënia e robit: O Allah! Ti je Zoti im dhe askush tjetër përveç Teje nuk meriton adhurim. Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt, do t'i përmbahem marrëveshjes dhe premtimit Tënd sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam vepruar dhe jam mirënjohës ndaj dhuntive të Tua. I pranoj mëkatet e mia, prandaj më fal, sepse askush tjetër përveç Teje nuk i fal gjynahet!" (5)

Pranimi e shlyen fajin, siç thuhet:

Pranimi e shlyen fajin, të çliron sikurse mohimi i gjynahut një tjetër gjynah shkakton.

Disa prej të parëve tanë kanë thënë: "Ademi (alejhis-selam!) ka dalë nga Xheneti për shkak të një gjynahu, ndërsa ju bëni gjynahe dhe i shpeshtoni ato, dhe përmes tyre doni të hyni në Xhenet! Thuhet se:

Gjynahet mblidhen një e nga një e megjithatë, ndonjë shpreson të ngjitet lart në Xhenet sa s'ka më të arrijë shpëtimin e një adhuruesi duke harruar babën tonë Adem që Allahu e nxori nga ai vend vetëm për shkak të një gjynahu që kushtoi njëmend.

Është e çuditshme për dikë që e njeh Zotin e tij dhe përsëri bën mëkate. Çudia vazhdon kur, nga ana tjetër, njeh edhe shejtanin, e megjithatë i bindet.

Pranimi i mëkatit nga ana e mëkatarit dhe keqardhja për kryerjen e mëkatit përbëjnë vetë pendimin e pranuar. Allahu i Madhërishëm thotë:

 أَفَتَتَّخِذُونَهُۥ وَذُرِّيَّتَهُۥٓ أَوْلِيَآءَ مِن دُونِى وَهُمْ لَكُمْ عَدُوٌّۢ ۚ بِئْسَ لِلظَّـٰلِمِينَ بَدَلًۭا

"Atëherë, a do ta merrnit atë dhe pasardhësit e tij për mbrojtës në vendin Tim, edhe pse ata janë armiqtë tuaj?! Sa këmbim i shëmtuar që është ky për keqbërësit!" (El-Kehf, 50)

 

O bashkësi e këtij umeti, ju ka ardhur një mesazh nga babai juaj, Ibrahimi, nëpërmjet Profetit tuaj ﷺ, ku thuhet: "Natën e Isrã-së kam parë Ibrahimin, i cili më tha: - 0 Muhamed, bëju selam nga ana ime umetit tënd, dhe njoftoji se uji i Xhenetit është i ëmbël, dheu është i pastër dhe toka e sheshtë, mbjellja e së cilës bëhet me subhanallah, ue el-hamdulilah, ue lailahe il-lallah, ue Allahu ekber". (6)

Nesaiu dhe Tirmidhiu përcjellin nga Xhabiri se Profeti ﷺ ka thënë: "Kushdo që thotë subhanallahil-adhim uebihamdihi i mbillet një palmë në Xhenet.” 

I patëmeta është Allahu i Madhërishëm. Atij i pëket lavdërimi!

Ibn Rexheb
Leatif el Mearif 39-42

(1) [Tirmidhiu (741). Ky hadith nuk është autentik (daif). Shih veprën Daif Et-Termidhi (741)].
(2) [Buhariu, nr. 4025; Muslimi, nr. 2770].
(3) [Muslimi, nr. 1771].
(4) [Buhariu, nr. 834; Muslimi, nr. 2705].
(5) [Muslimi, nr. 6306].
(6) [Tirmidhiu, nr. 3462. Shejh Albani e vlerëson për autentik (hasen) te vepra Sahih Et-Tirmidh, nr. 3462].

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët