07
Mar
Udhëzime për gratë lidhur me namazin e teravive
Gratë lejohen të marrin pjesë në namazin e teravive në xhami, me kusht që të mos ketë ndonjë fitne, as nga ana e tyre dhe as ndaj tyre. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
"Mos i ndaloni robëreshat e Allahut nga xhamitë e Allahut." (Buhariu dhe Muslimi)
Gjeneratat e para të muslimanëve (Es-Selefus Salih), Allahu qoftë i kënaqur me ta, e praktikonin këtë udhëzim. Megjithatë, kur gratë shkojnë në xhami, ato duhet të respektojnë disa rregulla të sheriatit:
Allahu i Lartësuar thotë:
وَلَا يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ إِلَّا مَا ظَهَرَ مِنْهَا ۖ
"Të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme." (En-Nur, 31)
Shpjegimi i frazës "përveç atyre që janë të dukshme" i referohet veshjeve të jashtme si xhilbabi dhe abaja, të cilat nuk mund të fshehen.
I Dërguari i Allahut ﷺ ka lejuar që gratë të dalin për namaz në ditën e Bajramit. Kur Ummu Atije, radijAllahu anha, tha:
"O i Dërguari i Allahut! Disa prej nesh nuk kanë xhilbab."
Ai ﷺ u përgjigj:
"Atëherë le t’ia japë motra e saj një xhilbab të saj." (Buhariu dhe Muslimi)
Është sunet që gratë të qëndrojnë në safat e fundit, sa më larg burrave. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
"Safat më të mirë të burrave janë safat e parë, ndërsa safat më të këqij për ta janë safat e fundit. Kurse safat më të mirë të grave janë safat e fundit, ndërsa safat më të këqij për to janë safat e parë." (Muslimi)
📎 (Ndërsa, kur vendet janë të ndara me mure apo diç tjetër, siç janë edhe tek ne, atëherë safi i parë për gratë është më i mirë sesa ai i fundit.) - Shënim i përkthyesit
Gratë duhet të largohen menjëherë pas përfundimit të namazit, pa u vonuar, përveçse në raste domosdoshmërie. Ummu Selemeh, radijAllahu anha, ka thënë:
"Kur i Dërguari ﷺ jepte selam, gratë menjëherë largoheshin nga xhamia, ndërsa ai ﷺ qëndronte në vendin e tij për pak kohë."
Ajo gjithashtu tha:
"Mendoj, e Allahu e di më së miri, se ai vepronte kështu që gratë të dilnin nga xhamia para se të ngriheshin burrat." (Buhariu)
🖇 Shejh Salih Ibn Uthejmin, Allahu e mëshiroftë!
📖 Mexhalis Shehri Ramadan
📌 Përktheu: Eralb Havolli