06
Jun
Nga sunetet që i praktikon muslimani në ditën e Bajramit janë:
📃 1. Gusli (larja) para se të shkojë në xhami:
Është transmetuar se Abdullah ibn Umeri lahej në ditën e Bajramit para se të dilte për namaz.
Ebu Zekiria en-Nevevi, Allahu e mëshiroftë, ka përmendur se dijetarët janë unanimë për pëlqyeshmërinë e larjes për namazin e Bajramit.
Arsyeja pse është e pëlqyeshme larja për xhumanë dhe për tubime të tjera të përgjithshme, vlen edhe për Bajramin, madje kjo është edhe më e theksuar.
📃 2. Ngrënia para daljes në xhami në Fitr Bajram dhe mosngrënia para daljes në xhami në Kurban Bajram
Është e pëlqyer që në ditën e Bajramit të Fitrit të hahet diçka para se të dilet për në xhami. Kjo bëhet për të theksuar ndalimin e agjërimit në atë ditë dhe për të treguar se muaji i Ramazanit ka përfunduar.
Ndërsa në Kurban Bajram është e pëlqyer të mos hahet gjë para faljes së namazit, por të pritet deri pas kthimit nga xhamia, e të hajë nga mishi i Kurbanit. Nëse nuk ka kurban, nuk ka problem nëse hahet diçka edhe para namazit.
📃 3. Tekbiri
Tekbiri është prej suneteve madhështore në ditët e Bajramit.
Ibn Umeri, radijAllahu anhu, kur dilte në mëngjesin e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit, bënte shumë tekbire derisa arrinte në vendin e faljes. Edhe aty vazhdonte të bënte tekbir derisa dilte imami. (Transmeton Imam Darekutni dhe të tjerët)
Imam Zuhriu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "Njerëzit bënin tekbire në Bajram që nga dalja nga shtëpia e deri sa arrinin në vendin e faljes, dhe derisa të dilte imami. Kur dilte imami, ata ndalonin. Pastaj, kur ai bënte tekbir, ata bashkoheshin me të."
Koha e tekbireve për Fitër Bajramin fillon që nga nata e Bajramit dhe zgjat deri në hyrjen e imamit në namaz.
Ndërsa koha e tekbirit për Kurban Bajramin fillon që nga dita e parë e Dhul-Hixhes dhe vazhdon deri në perëndimin e diellit të ditës së katërt të Bajramit, e cila është dita e fundit e ditëve të teshrikut.
📃 Forma e tekbireve
Transmetohet se Abdullah ibn Mes'udi, radijAllahu anhu, i bënte tekbiret e ditëve të teshrikut, kështu:
''Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lAllah, uAllahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahil hamd''
📃 4. Urimet
Nga edukata e ditës së Bajramit janë edhe urimet e mira që besimtarët i shkëmbejnë me njëri-tjetrin, pa marrë parasysh formën e tyre. Shembuj të zakonshëm janë:
Tekabbel Allahu minna ue minkum!
(Allahu i pranoftë veprat e mira nga ne dhe nga ju)
Apo "Urime Bajrami, Përhajr Bajrami" e të ngjajshme.
Transmetohet se Sahabët e të Dërguarit ﷺ kur takoheshin në ditën e Bajramit, i thonin njëri tjetrit:
Tukubbile minna ue mink!
(U pranoftë prej nesh dhe prej jush)
📃 5. Veshja e rrobave të bukura dhe zbukurimi
Transmetohet se Xhabiri, radijAllahu anhu, ka thënë: "I Dërguari i Allahut ﷺ kishte një xhybe (mantel i gjatë që vishet mbi rrobat e tjera), të cilin e vishte për festën e dy Bajrameve dhe për ditën e xhuma."
Gjithashtu, transmetohet se Ibn Umeri, radijAllahu anhu, vishej me rrobat më të bukura në ditët e Bajramit.
Sa i përket grave, atyre u ndalohet zbukurimi kur dalin jashtë shtëpisë, dhe është e haram të përdorin parfum, (po ashtu mbulesa e tyre duhet të jetë e plotë), në mënyrë që të mos shfaqin asnjë shkëndije tërheqje nga meshkujt.
📃 6. Shkuarja në xhami nga një rrugë dhe kthimi nga një rrugë tjetër.
Transmetohet se Xhabiri, radijAllahu anhu, ka thënë: "I Dërguari i Allahut ﷺ në ditën e Bajramit, e ndërronte rrugën."
📖 Nga faqja zyrtare e Shejh Muhamed Salih el-Munexhid
📌 Përktheu: Eralb Havolli