Tregtia me Meme Coins

06
Dec

Tregtia me Meme Coins

Ndër kushtet e tregtisë së lejuar është që artikulli i tregtuar të jetë gjësend i dobishëm që mund të shfrytëzohet në mënyra të lejuara sheriatikisht.

Dijetari i mirënjohur, Shejhul Islam Ibn Tejmije - Allahu e  mëshiroftë! - ka thënë:

"Shitblerja e gjërave që nuk përmbajnë dobi (sheriatikisht) nuk lejohet.” (Mexhmu’ el-fetawa, 31/224)

 

Meme Coins janë të ndërtuara mbi shaka
 

Nëse shikojmë natyrën e Meme Coins gjejmë se ato janë kryptovaluta të frymëzuara nga shakatë e internetit të ashtuquajtura “memes” (shih: meme definition), personalitete apo trende të përhapura ndër komunitete të caktuara në internet. Kjo natyrë e Meme Coins nuk plotëson kushtin e lartpërmendur të tregtisë së legjitimuar sheriatikisht, sepse nuk përmbajnë ndonjë dobi konkrete për të justifikuar pasurinë e këmbyer për to.

Madje, në shumicën e rasteve, për të mos thënë në të gjitha rastet, shohim se ato janë të ndërtuara mbi shakatë që promovojnë kafshë, si Dogecoin, Shiba Inu dhe të tilla. Shikuar nga një aspekt tjetër, legjislatura sheriatike ndalon mbajtjen dhe shitblerjen e qenëve, madje në esencë ato llogariten si krijesa të ndyra të papastra, prandaj çdo promovim i tyre apo i shitblerjes së tyre llogaritet i ndaluar. E çfarë për një valutë virtuale të padobishme që është e ndërtuar mbi një ideologji të ndyrë.


Meme Coins janë të padobishme
 

Në botën e teknologjisë së blockchain-it gjejmë kryptovaluta që ofrojnë shërbime dhe shfrytëzime të ndryshme, por kategoria e Memecoins nuk gjejmë se sjellin ndonjë shërbim apo shfrytëzim të veçantë. Zakonisht shohim se komunitete të caktuara i blejnë dhe i mbajnë për një kohë duke supozuar rritjen e çmimit të tyre, për t’i shitur më vonë për fitim të caktuar.

Shitja e gjërave të këtilla të padobishme, sheriatikisht llogaritet zhvatje e pasurisë së njerëzve padrejtësisht dhe shpenzim i pasurisë me mendjelehtësi.

 

Thjeshtë manipulim i tregut
 

Natyra e padobishme e Meme Coin, i bën mjet të përshtatshëm për manipulim të tregut. Për shkak të padobisë tyre, tregu nuk gjen ndonjë motiv që t’i blejë kryptovalutat e tilla, e që pastaj nga shfrytëzimi dhe dobia e tyre të varet edhe çmimi i tyre, si çdo produkt tjetër në treg. Kryptovalutat Meme blihen nga grupe të caktuara manipulantësh në sasi të mëdha, të cilat më pastaj nëpërmjet grupeve në rrjete sociale me motive pump-and-dump (fryj-dhe-shit) e manipulojnë çmimin e kryptovalutës në fjalë në mënyrë artificiale dhe kur masa e gjerë e kanë blerë në sasi të mëdha dhe çmimi është fryrë, ata i shesin sasitë e tyre për profit të lartë, gjë e cila më pastaj e rrëzon çmimin dhe u shkaktojnë njerëzve humbje të mëdha.

Duke qenë se kjo është natyra e tregtisë së Memecoins, gjejmë se kjo tregti shkel ndalesën e manipulimit të çmimit. Ebu Hurejra - Allahu qoftë i kënaqur me të! - transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë:

“Mos manipuloni çmimin e ankandit.” (Buhariu, 2160)

Prandaj, për shkak se çmimi i kryptovalutave Meme nuk ndikohet nga asgjë përveçse nga manipulimi i qartë, nuk lejohet tregtia e tyre dhe të dyja palët, si shitësi ashtu edhe blerësi, llogariten pjesëmarrës në mëkat.

 

Përmbledhje


Pra, nga trajtimi i mësipërm kuptojmë se tregtia me Meme Coins përmban shkelje shumëdimensionale fetare: ngrënie e pasurisë së njerëzve padrejtësisht, manipulim i çmimit, mashtrim i masës, shpenzim i pasurisë me mendjelehtësi, promovim i gjërave të ulëta dhe promovim i gjërave të ndaluara.

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët