Ti që nuk agjëron!

19
Mar

Ti që nuk agjëron!

Çdo lavdërim i takon Allahut, Zotit të botëve, ndërsa përfundimi i lumtur është për të devotshmit. Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të Dërguarin e Tij besnik, Muhamedin, familjen dhe mbarë shokët e tij.

O lënës i agjërimit!

S’di si t’ia filloj… jam shumë i pikëlluar, kur po të shoh, që s’po agjëron, o rob i Allahut!

E ke braktisur një obligim fetar, një shtyllë të Islamit!

Dëshiroj të flas me ty, në mënyrë që mos ta rrënosh këtë adhurim madhështor!

O lënës i agjërimit!

O ti që i ke thënë vetes musliman! Ja… të erdhi një obligim prej Allahut, një rast që ta dëshmosh Islamin tënd.

A nuk e di se edhe popujt e mëparshëm kanë agjëruar?! Ja se si Allahu i Madhëruar na tregon këtë fakt në Kuran:

يا أَيُّهَا الَّذينَ آمَنوا كُتِبَ عَلَيكُمُ الصِّيامُ كَما كُتِبَ عَلَى الَّذينَ مِن قَبلِكُم لَعَلَّكُم تَتَّقونَ

“O besimtarë! Ju është bërë obligim agjërimi, ashtu si u ishte bërë obligim atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.”  (El Bekare, 183)

Ndërsa Muhamedi (sal-lallahu alejhi ue selem), kur i përmendi shtyllat e Islamit, mes tjerash tha: “…agjërimi i Ramazanit.”

O lënës i agjërimit!

A nuk e ke kujtuar Ditën kur zjarri i Xhehenemit do të vërshojë, e dëshiron t’i përfshijë të gjithë njerëzit?!

A nuk e di, vallë, madhësinë e Xhehenemit?!

Muhamedi (sal-lallahu alejhi ue selem), ka treguar se atë Ditë do të hidhet Dielli dhe Hëna në Xhehenem. Tani, a e kuptove se sa i madh është ai?!

E ti, o lënës i agjërimit, me se do ta mbrosh veten tënde?

Mos vallë mendon se mund të të shpëtojnë atë Ditë pasuria, pozita e familja?! Jo! Atë Ditë të shpëton vetëm puna e mirë që e ke bërë për hir të Allahut. Të shpëton agjërimi, o rob i Allahut! Agjërimi do t’i thotë Allahut: “O Zoti im! Unë e ndalova atë nga ushqimi dhe epshi gjatë ditës, andaj pranoje ndërmjetësimin tim për të! ….dhe do t’i pranohet ndërmjetësimi.” Ndërsa ti s’e ke me vete këtë ndërmjetësues, sepse e ke braktisur!

O lënës i agjërimit!

A nuk e di se ai që ia kthen shpinën Këshillës së Allahut të Madhëruar, do të ketë jetë të mjeruar, jetë më plot brenga e mërzi. Allahu i Madhëruar, ka thënë:

وَمَن أَعرَضَ عَن ذِكري فَإِنَّ لَهُ مَعيشَةً ضَنكًا وَنَحشُرُهُ يَومَ القِيامَةِ أَعمىٰ

Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kijametit, do ta ringjallim të verbër.

قالَ رَبِّ لِمَ حَشَرتَني أَعمىٰ وَقَد كُنتُ بَصيرًا

Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha të shikuar më parë?

قالَ كَذٰلِكَ أَتَتكَ آياتُنا فَنَسيتَها ۖ وَكَذٰلِكَ اليَومَ تُنسىٰ

(Allahu) do t`i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.”  (Taha, 124-126)

O lënës i agjërimit!

A nuk e di se ai që e braktis agjërim pa ndonjë arsye, ka rënë në një mëkat prej mëkateve të mëdha?!

O lënës i agjërimit!

A nuk e di se çmimi i Allahut është i shtrenjtë?! Çmimi i Allahut është Xheneti nëpër të cilin rrjedhin lumenj, ku në të njerëzit do të jetojnë përgjithmonë!

Hyrja në Xhenet është e lidhur ngushtë, o rob i Allahut, me kryerjen e obligimeve që i ke ndaj Tij.

A nuk e di, o lënës i agjërimit, se Xheneti ka tetë porta! Për Allahun, më thuaj, prej cilës do të hysh?! Kurse ti s’ke namaz, s’ke agjërim, s’ke haxhillëk, s’ke sadakë, me se dëshiron që të hysh në Xhenet?!

O lënës i agjërimit!

Ja përse unë këmbëngul që ti të agjërosh, ngase në këtë muaj:

1. Prangosen shejtanët.

2. Është zbritur Kurani.

3. Hapen portat e Xhenetit dhe mbyllen portat e Zjarrit.

4. Në të është Nata e Kadrit, Natë kjo më e mirë se njëmijë muaj.

5. Sadakaja në Ramazan është nga sadakatë më të mira.

6. Umreja në Ramazan e ka shpërblimin e haxhit.

7. Atij që e agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar (shpërblim prej Allahut), i falen mëkatet e kaluara.

8. Është një portë në Xhenet që quhet Rejjan, nga e cila do të hyjnë agjëruesit në Ditën e Ringjalljes dhe askush nuk do të hyjë andej, përveç tyre.

9. Agjëruesi ka dy gëzime: Një në iftar dhe një në Ditën kur ta takojë Zotin e tij.

10. Agjërimi do të ndërmjetësojë për robin në Ditën e Kijametit.

11. Agjërimi është mburojë nga zjarri i Xhehenemit.

12. Atij që agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu ia largon fytyrën e tij me këtë ditë nga Zjarri shtatëdhjetë vjet.

13. Tri lutje janë të pranuara: Lutja e agjëruesit, atij që iu është bërë padrejtësi dhe e udhëtarit.

14. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë sesa era e parfumit.

15. Atij që falet me imamin (namazin e teravisë), derisa ai të mbarojë, do t’i shkruhet sikur është falur gjithë natën.

E shumë e shumë vlera të tjera…

O lënës i agjërimit!

A thua vallë edhe pas gjithë kësaj s’do të agjërosh?!

Mos të të mashtrojë shejtani, se ka kohë kur do t’i kthehesh Zotit tënd, ngase shumica e atyre që sot vdesin janë të rinjtë!

Vdekja s’të pyet, ajo të vjen pa pritur, e ti s’mund ta shtysh afatin e saj. Allahu i Madhëruar thotë.

وَلِكُلِّ أُمَّةٍ أَجَلٌ ۖ فَإِذا جاءَ أَجَلُهُم لا يَستَأخِرونَ ساعَةً ۖ وَلا يَستَقدِمونَ

“Çdo popull ka afatin e vet. Kur t`i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.” (El Araf, 34)

O lënës i agjërimit!

Të ta them edhe këtë: A nuk e di, o rob i Allahut, se në Somali dhe në vendet me varfëri të skajshme, njerëzit vdesin nga uria?!

Por vazhdojnë të agjërojnë, ndoshta këtë s’e ke ditur?!

A thua vallë, a kanë me se ta çelin iftarin?!

E ti, o lënës i agjërimit, sa e sa të mira Allahu t’i dhuroi, e, megjithatë, ende s’i bindesh Atij!

Pse vallë kjo mosmirënjohje ndaj Zotit tënd?!

O lënës i agjërimit!

Eja… eja e kthehu tek Krijuesi yt!

Bashkoju edhe ti karvanit të agjëruesve!

Përjetoji edhe ti kënaqësitë e agjërimit!

Dhe mos harro se Allahu nuk të obligon me një gjë të cilën s’mund ta bartësh! Allahu i Madhëruar thotë:

لا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفسًا إِلّا وُسعَها 

“Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka.” (El Bekare, 286)

Dhe në fund, o rob i Allahut, e lus Allahun të të udhëzojë e të kthehesh tek Ai i penduar para se të vijë VDEKJA e ti je mospërfillës ndaj urdhrave të Tij!

Mos harro se Allahu e do pendimin tënd, andaj kthehu tek Ai i penduar në këtë muaj! Allahu i Madhëruar thotë:

وَمَن يَعمَل سوءًا أَو يَظلِم نَفسَهُ ثُمَّ يَستَغفِرِ اللَّهَ يَجِدِ اللَّهَ غَفورًا رَحيمًا

“Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (En Nisa, 110)

Dhe në fund: Çdo lavdërim i takon Allahut, Zotit të botëve.

Hoxhë Burim Koçinaj

2012, Prizren

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët