SUNETET E AGJËRIMIT

31
Mar

SUNETET E AGJËRIMIT

Sunetet e agjërimit:


1. Shpejtimi i iftarit menjëherë pas sigurimit se dielli ka perënduar, bazuar në thënien e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të):

"Njerëzit do të vazhdojnë të jenë mirë (në rregull), derisa të shpejtojnë iftarin" 1;

- dhe në thënien e Enesit, Allahu qoftë i kënaqur me të:

"Profeti nuk e falte namazin e akshamit pa çelur iftar, qoftë edhe me një gllënjkë ujë."

2. Hapja e iftarit me hurma arabie të freskëta (rutab) apo të thata, ose me ujë. Më e mira është me hurma arabie të freskëta dhe më e fundit, me ujë. Është e pëlqyeshme që iftari të hapet me një numër tek hurmash: tre, pesë apo shtatë. Kjo argumentohet me thënien e Enes Ibn Malikut:

"Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të) hapte iftarin me disa hurma arabie të njoma, para se të falej. Nëse nuk kishte, e hapte me hurma arabie të thata, e nëse nuk kishte, pinte disa gllënjka ujë." 2. 

3. Duaja në iftar. Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të) thoshte kur hapte iftarin:

"Allahumme leke sumna ue ala riskike eftarna, fetekabbel minna ineke entes- semiul alim (O Allah, për Ty agjëruam dhe me riskun Tënd po e hapim këtë iftar, ndaj pranoje prej nesh! Ti je i Gjithëdijshmi dhe që dëgjon gjithçka)".

Ibn Omeri thoshte:

"Allahume inni eseuleke birahmetike el-leti uesiat kul-le shej'in en tegfire li dhunubi (O Allah, unë të lutem Ty me mëshirën Tënde, e cila përfshin çdo gjë, të falësh mëkatet e mia!)".

4. Syfyri, ose ngrënia dhe pirja në pjesën e fundit të natës me nijetin për të agjëruar ditën pasuese, bazuar në thëniet e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të):

"Ndryshimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarëve të Librit është ngrënia e syfyrit." 3;

"Hani syfyr, pasi te syfyri ka bereqet!" 4.

5. Shtyrja e syfyrit deri në pjesën e fundit të natës, bazuar në thënien e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të):

"Umeti im do të vazhdojë të jetë mirë, derisa të përshpejtojnë iftarin dhe të shtyjnë syfyrin."

6. Koha e syfyrit fillon nga gjysma e dytë e natës dhe mbaron disa minuta para agimit, bazuar në thënien e Zejd Ibn Thabitit, Allahu qoftë i kënaqur me të:

"Hëngrëm syfyr me të Dërguarin e Allahut. Pastaj ai u ngrit për namaz". Kur dikush e pyeti Zejdin se sa kohë kishte mes ezanit dhe syfyrit, ai u përgjigj: “Sa masa e pesëdhjetë ajeteve." 5.

Kujdes!

Ai që dyshon për shkrepjen e agimit, ka të drejtë të hajë dhe të pijë derisa të sigurohet për atë, e pastaj të ndalojë, bazuar në thënien e Allahut të Madhëruar: "Hani dhe pini derisa të dallohet qartë peri i bardhë nga peri i zi në agim." {Bekare: 187}.

Dikush i tha Ibn Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të:

"Unë, kur ha syfyr, ndaloj së ngrëni vetëm kur dyshoj." Ibn Abbasi iu përgjigj: "Kur dyshon ha, derisa të mos dyshosh fare!"

1.Buhariu, Muslimi

2.Taberaniu

3.Muslimi

4.Buhariu, Muslimi

5.Buhariu, Muslimi

Ebu Bekër el Xhezairi 
“Minhaxh el Muslim” fq. 365,366

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët