08
Nov
Nga Shedad ibn el-Hadi, radijAllahu anhu, transmetohet se ka thënë:
Një njeri nga beduinet erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe besoi në të dhe e ndoqi atë (u bë musliman), pastaj i tha: "A mund të bëjë hixhret me ty?" Andaj i Dërguari i Allahut ﷺ i porositi shokët e tij për të.
• KOMENTIM: (Një beduin, banor i shkretëtirës, erdhi te i Dërguari i Allahut ﷺ, pranoi Islamin dhe vendosi ta ndiqte të Dërguarin drejt udhëzimit dhe fesë së vërtetë. Më pas, e pyeti të Dërguarin ﷺ nëse mund të bënte hixhret me të deri në Medinë, duke qenë i vetëdijshëm për shpërblimin e madh që Allahu ka përgatitur për muhaxhirët në rrugën e Tij. Kështu që i Dërguari ﷺ kur e pa vendosmërinë e tij, i dha leje për hixhret, dhe i porositi sahabët që ta ndihmojnë dhe të kujdesen për të).
Kur ndodhi një nga betejat, i Dërguari i Allahut ﷺ fitoi plaçkë lufte dhe e shpërndau atë, duke i dhënë diçka edhe atij. Sahabët e morën pjesën e tij që t’ia jepnin. Ndërkohë, ai ishte duke u kujdesur për devetë. Kur u kthye, sahabët ia dhanë pjesën që i takonte, dhe ai pyeti: "Çka është kjo?"
"Kjo është pjesa që ta ka ndarë ty i Dërguari i Allahut ﷺ!" – iu përgjigjën ata.
• KOMENTIMI: (Kur erdhi koha e betejës, i Dërguari ﷺ doli në luftë dhe fitoi plaçkë lufte, që përfshinte edhe robër. Ai e shpërndau atë mes sahabëve, duke i dhënë diçka edhe këtij beduini, dhe i porositi sahabët që t'ia dorëzonin pjesën e tij. Ndërkohë, ai ishte duke kullotur devetë. Kur sahabët deshën t’ia jepnin pjesën e tij, ai i pyeti me habi: "Çfarë është kjo që po më jepni?" Atëherë ata ia shpjeguan).
Ai e mori pjesën e tij, dhe me të u nis drejt Pejgamberit ﷺ dhe i tha: "Çfarë është kjo?" I Dërguari ﷺ i tha: "Kjo është pjesa që të takon ty!"
Beduini tha: "Nuk të kam ndjekur (besuar) për këtë. Mirëpo të kam ndjekur që të më godasë shigjeta e armikut 'Ja këtu' – bëri me shenjë me shigjetë në fytin e tij – e të vdes, e të futem në Xhennet."
I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: "Nëse je i sinqertë me Allahun, atëherë edhe Allahu do të jetë i sinqertë me ty."
• KOMENTIM: (Beduini e mori pjesën e tij dhe i tha të Dërguarit ﷺ që "Unë nuk të kam besuar, ndjekur e bërë hixhret me ty për pasuri, por të kam ndjekur që t'i luftoj armiqtë e Allahut me ty, e të goditem nga një shigjetë në fytin tim, e të hyj në Xhennet." Atëherë i Dërguari ﷺ i tha: "Nëse je i sinqertë me Allahun, edhe Allahu do të jetë i sinqertë me ty," që nënkupton se nëse këto fjalë që i thua janë të sinqerta, atëherë Allahu do të të shpërblejë për këtë sinqeritet me një vdekje të ndershme në rrugën e Tij).
Pa kaluar shumë kohë, u ngritën për t’u përballur me armikun. E sollën këtë njeri te i Dërguari ﷺ duke e mbajtur. Një shigjetë e kishte goditur pikërisht në vendin që ai kishte treguar më parë (në fyt). Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: "A është ky ai?" - "Po" - iu përgjigjën ata.
"Ishte i sinqertë me Allahun, dhe Allahu u tregua i sinqertë me të," - tha i Dërguari ﷺ.
• KOMENTIM: (Pas pak kohe, i Dërguari ﷺ dhe sahabët u ngritën me shpejtësi për të luftuar kundër armikut. E sollën trupin e këtij njeriu, me një shigjetë të ngulur në fyt, pikërisht në vendin ku ai kishte treguar më parë. Në këtë rast, i Dërguari ﷺ tha: "Ishte i sinqertë me Allahun, dhe Allahu u tregua i sinqertë me të." Pra, ai ishte i sinqertë në dëshirën e tij dhe Allahu e shpërbleu me shehidllëk).
Pastaj i Dërguari ﷺ e mbuloi me xhyben e tij, e vendosi përpara dhe ia fali namazin e xhenazes. Nga ajo që u dëgjua nga lutja e të Dërguarit ﷺ ishte: "O Allah, ky është robi Yt; doli muhaxhir në rrugën Tënde dhe u vra shehid. Unë dëshmoj për të."
• KOMENTIMI: (I Dërguari ﷺ e mbështolli atë me xhyben e tij, duke e bërë xhyben si qefin për të. Kjo mund të jetë bërë për shkak të bekimit të Pejgamberit ﷺ për këtë shehid, pasi shehidët zakonisht qefinosen me rrobat që kanë veshur kur bien shehid. Pastaj e vendosi përpara dhe ia fali namazin e xhenazes, duke bërë dua për të. Kjo ishte një mirësi dhe nder i madh për këtë njeri. Allahu qoftë i kënaqur me të).
📖 Transmeton Nesaiu, Hakimi, Taberani, Abdurrezaku me zingjirë të saktë.
🖇 Komentimi i marrë nga platforma e specializuar për studime islame, e fokusuar në metodologjinë e Ehli Sunetit - DORAR.net
📌 Përktheu: Eralb Havolli