O lënës i namazit!

23
Feb

O lënës i namazit!

Çdo falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve, dhe përfundimi i lumtur është për të devotshmit. Armiqësi nuk ka, veçse ndaj mizorëve. Lavdërimi dhe shpëtimi qofshin për krijesën më të mirë dhe njeriun më me vlerë, të Dërguarin tonë, Muhamedin (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!), familjen dhe mbarë shokët e tij.

Më pas…

O lënës i namazit!

Si ta filloj bisedën time me ty, kur ti tanimë e ke ndërprerë çdo lidhje mes meje dhe teje?!

E ç’të të them ty?!

Në ç’mënyrë të të flas?!

A të të flas me inkurajim?!

Apo të gjuaj mbi ty kamxhikët e kërcënimit?!

O lënës i namazit

Ç’po mendon shpirti yt?! A je i pavarur ndaj Zotit tënd deri në këtë masë saqë kjo të pengon nga sexhdeja ndaj Krijuesit tënd?! A ka arritur mendjemadhësia jote deri në këtë masë saqë ta nënçmosh qëndrimin para Zotit tënd, duke qenë i nënshtruar dhe i përulur?!

Allahu i Lartësuar thotë:

يا أَيُّهَا الإِنسانُ ما غَرَّكَ بِرَبِّكَ الكَريمِ

"O njeri ç’të mashtroi ty që nuk i besove Zotit tënd bujar,

الَّذي خَلَقَكَ فَسَوّاكَ فَعَدَلَكَ

i Cili të krijoi ty, të dha përmasa të rregullta dhe të harmonizoi,

في أَيِّ صورَةٍ ما شاءَ رَكَّبَكَ

dhe që të ka mbrujtur në çfarëdo forme që ka dashur?!" (El-Infitar, 6-8)

O lënës i namazit!

A nuk e di se namazi është gjëja e fundit pas së cilës do të kapet njeriu prej fesë së tij; nëse e braktis atë, veçse e ka braktisur krejt fenë e tij?!

I Dërguari (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Do të zgjidhen nyjat e Islamit nyje pas nyje. Çdoherë që zgjidhet një nyje, njerëzit do të kapen për atë që vjen pas saj. E para prej tyre është zgjidhja e pushtetit, ndërsa e fundit është namazi.” (Shënon ibn Hibani, ndërsa Albani e saktësoi)

O lënës i namazit!

A nuk e di se kush e lë namazin qëllimisht, veçse është larguar mbrojtja e Allahut prej tij?!

I Dërguari (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Mos i shoqëro Allahut askënd në adhurim (mos i bëj shirk), edhe nëse vritesh dhe digjesh; bindu prindërve të tu, edhe nëse të urdhërojnë të dalësh dhe të ndahesh nga familja dhe pasuria jote; dhe assesi mos e lër namazin (obligativ) qëllimisht, ngase ai i cili e lë namazin qëllimisht, është larguar mbrojtja e Allahut ndaj tij.” (Shënon Taberaniu, ndërsa Albani thotë se hadithi është hasen i varur nga të tjerët)

O lënës i namazit!

Çfarë të ka mbetur prej Islamit, kur ti tashmë e  ke lënë namazin?! A nuk e di se namazi është shtylla e fesë dhe trungu mbajtës i imanit?!

O lënës i namazit!

A nuk e di se lënia e namazit është kufër, shirk e humbje?!

I Dërguari (lavdërimi dhe shpëtim i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Në mes njeriut, shirkut (idhujtarisë) dhe kufrit (mosbesimit) është lënia e namazit.” (Shënon Muslimi)

I Dërguari (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Premtimi i dhënë mes nesh dhe mes tyre (jobesimtarëve) është namazi, prandaj ai që e lë atë, veçse ka bërë kufër.” (Shënojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu, ndërsa Albani e saktësoi)

Omer ibën Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Me të vërtetë, nuk ka hise në Islam për askënd që e lë namazin.”

Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kush e lë namazin, nuk ka fe.”

Abdullah ibën Shekiki (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Shokët e të Dërguarit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!), nuk e kanë llogaritur lënien e ndonjë vepre kufër, përveç lënies së namazit.”

Ibrahim Nehaiu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kush e lë namazin, ka bërë kufër.”

O lënës i namazit!

A nuk e di se lënia e namazit dhe pakujdesia ndaj tij janë hipokrizi?!
I Lartësuari thotë:

إِنَّ المُنافِقينَ يُخادِعونَ اللَّهَ وَهُوَ خادِعُهُم وَإِذا قاموا إِلَى الصَّلاةِ قاموا كُسالىٰ يُراءونَ النّاسَ وَلا يَذكُرونَ اللَّهَ إِلّا قَليلًا

"Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t`u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak." (En Nisa, 142)

Ndërsa i Dërguari (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Me të vërtetë namazi më i rëndë për hipokritët është namazi i jacisë dhe sabahut, dhe sikur ta dinin çfarë (shpërblimi) ka në to, do të kishin ardhur edhe duke u zvarritur.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi, ndërsa teksti është i Muslimit)

A e vërejte, o lënës i namazit, hipokritët janë falur, por faleshin për syefaqësi, ndërsa ti asnjëherë s’je falur!

O lënës i namazit!

Krejt krijesat bëjnë sexhde për Zotin e tyre, pos teje! Allahu i Lartësuar thotë:

أَلَم تَرَ أَنَّ اللَّهَ يَسجُدُ لَهُ مَن فِي السَّماواتِ وَمَن فِي الأَرضِ وَالشَّمسُ وَالقَمَرُ وَالنُّجومُ وَالجِبالُ وَالشَّجَرُ وَالدَّوابُّ وَكَثيرٌ مِنَ النّاسِ ۖ وَكَثيرٌ حَقَّ عَلَيهِ العَذابُ ۗ وَمَن يُهِنِ اللَّهُ فَما لَهُ مِن مُكرِمٍ ۚ إِنَّ اللَّهَ يَفعَلُ ما يَشاءُ ۩

"A nuk e sheh ti se, në të vërtetë, Allahut i përulen në sexhde ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, edhe Dielli, edhe Hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe drurët, edhe kafshët dhe shumë nga njerëzit (muslimanët). Por ka shumë njerëz (mohues), që meritojnë dënimin." (El Haxhxh, 18)

E, ti je prej atyre që e meritojnë dënimin!

O lënës i namazit!

A je i kënaqur që çdo materie inorganike, çdo gjallesë dhe krijesë, të jenë më të mira dhe me të mençura sesa ti?!         

O lënës i namazit!

A nuk e di se lënësin e namazit do ta godasë poshtërimi, frika dhe nënçmimi në Ditën e Kijametit?!
Allahu i Lartësuar thotë:

يَومَ يُكشَفُ عَن ساقٍ وَيُدعَونَ إِلَى السُّجودِ فَلا يَستَطيعونَ

"Ditën e (Kijametit), kur kërciri do të zbulohet, ata do të thirren që të përulen në sexhde, po nuk do të munden!"

خاشِعَةً أَبصارُهُم تَرهَقُهُم ذِلَّةٌ ۖ وَقَد كانوا يُدعَونَ إِلَى السُّجودِ وَهُم سالِمونَ

"Të ulura do të jenë shikimet e tyre dhe do t’i mbulojë poshtërimi, sepse kanë qenë të ftuar të përuleshin në sexhde, sa qenë shëndoshë (dhe nuk pranuan)." (El Kalem, 42-43)

-Sa e rëndë është dhimbja jote kur të vdesësh, e ti je lënës i namazit!

-Sa fatkeqësi e madhe është kur të ringjallesh, e ti je lënës i namazit!

-Sa krim i madh, o lënës i namazit, është lënia e namazit!

O lënës i namazit!

A nuk e di se lënia e namazit është pakujdesi dhe ashpërsim për zemrën?!

I Dërguari (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Disa njerëz ose t'i japin fund lënies së xhumave, ose Allahu do t'ua vulosë zemrat, e pastaj do të jenë nga të shkujdesurit (do ta harrojnë Allahun).” (Shënon Muslimi)

O lënës i namazit!

A nuk e di se lënësi i namazit do të dënohet në Sekar (Xhehenem) së bashku më qafirët dhe të shthururit?! Dëgjoje përgjigjen e banorëve të Zjarrit kur të pyeten:

ما سَلَكَكُم في سَقَرَ

“Çfarë ju ka sjellë në Sekar?"

قالوا لَم نَكُ مِنَ المُصَلّينَ

Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz.” (El Muddeththir, 42- 43)

Dhe:

۞ فَخَلَفَ مِن بَعدِهِم خَلفٌ أَضاعُوا الصَّلاةَ وَاتَّبَعُوا الشَّهَواتِ ۖ فَسَوفَ يَلقَونَ غَيًّا

"Pas tyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh." (Merjem, 59)

O lënës i namazit!

A nuk e di se lënia e namazit është padrejtësi, shkatërrim e humbje në dynja dhe Ahiret?! I Dërguari (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Kush ka kujdes ndaj tij (namazit), do të jetë për të dritë, argument e shpëtim në Ditën e Gjykimit; kush nuk ka kujdes ndaj tij, nuk do të jetë dritë për të, as argument e as shpëtim në Ditën e Gjykimit, dhe në Ditën e Gjykimit do të jetë në shoqëri me Karunin, Faraonin, Hamanin dhe Ubej ibn Halefin.” (Shënon Ahmedi me sened të mirë, siç thotë Tirmidhiu)

Andaj, o lënës i namazit, a dëshiron të ringjallesh me prijësit e kufrit, udhëheqësit e ateizmit, tiranisë e humbjes?!     

O lënës i namazit!

A nuk e di se lënia e namazit është nga fatkeqësitë dhe sprovat më të mëdha që të kanë goditur?! I Dërguari (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Atij që i ikën namazi i ikindisë është sikur t’i humbë familja dhe pasuria e tij.” (Shënon Buhariu)

Kjo është për atë të cilit i ikën vetëm namazi i ikindisë, e si është puna me lënien e krejt namazeve?!

O lënës i namazit!

A nuk e di se lënia e namazit është brengosje, ngushtim në gjoks, problem shpirtëror dhe vështirësi në jetë?! I Lartësuari thotë:

وَمَن أَعرَضَ عَن ذِكري فَإِنَّ لَهُ مَعيشَةً ضَنكًا وَنَحشُرُهُ يَومَ القِيامَةِ أَعمىٰ

"Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kijametit, do ta ringjallim të verbër.

قالَ رَبِّ لِمَ حَشَرتَني أَعمىٰ وَقَد كُنتُ بَصيرًا

Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha të shikuar më parë?

قالَ كَذٰلِكَ أَتَتكَ آياتُنا فَنَسيتَها ۖ وَكَذٰلِكَ اليَومَ تُنسىٰ

(Allahu) do t`i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar." (Ta Ha, 124-126)

Sa keq dhe sa shkatërrim për ty, o lënës i namazit! Si të shkon koha, të ikën jeta, kurse zemra jote është e penguar nga Zoti yt!

Si po del nga kjo dynja e nuk e ke shijuar gjënë më të bukur në të?! Dhe vërtet gjëja më e bukur në këtë dynja është adhurimi i Allahut të Lartmadhëruar, dhikri (përmendja e Tij), falënderimi e namazi për Të.

O lënës i namazit!

Cilën gjë do të madhërosh në fenë tënde, nëse përbuz namazin?! A nuk e di se ai që e braktis namazin ndaj gjërave tjera është akoma më i pakujdesshëm?!

Haseni ka thënë: “O bir i Ademit! Nëse e përbuz namazin, atëherë çfarë do të madhërosh?!”

Pendohu tek Zoti yt, o i pavëmendshëm, para se të të vijë vdekja e ti ende je lënës i namazit!

Pendohu tek Zoti yt, para se të thuash:

حَتّىٰ إِذا جاءَ أَحَدَهُمُ المَوتُ قالَ رَبِّ ارجِعونِ

“Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” (El Muminun, 99)

E të të thuhet:

كَلّا

“Kurrsesi!” (El Muminun, 100)

Pendohu tek Zoti yt, para se të thuash:

يَقولُ يا لَيتَني قَدَّمتُ لِحَياتي

“Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!” (El Fexhr, 24)

Pendohu tek Zoti yt, para se të thuash:

رَبَّنا أَخرِجنا نَعمَل صالِحًا غَيرَ الَّذي كُنّا نَعمَلُ

“Zoti ynë, nxirrna se do të bëjmë vepra të mira e jo nga ato që kemi bërë.” (El Fatir, 37)

Pendohu tek Zoti yt, para se të thuash:

يا لَيتَني كُنتُ تُرابًا

“Ah, sikur të isha pluhur!” (En Nebe, 40)

Allahu na mundësoftë neve dhe juve një pendim dhe kthim të sinqertë para vdekjes! Lutja jonë e fundit është: Çdo falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve.

Përktheu: Hoxhë Burim Koçinaj

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët