Muaji i Kuranit

01
Apr

Muaji i Kuranit

Leximi i Kuranit është prej veprave më të dashura tek Allahu dhe depo me shpërblime të shumta. Ka shumë citate të Pejgamberit alejhi selam në lidhje me shpërblimin e leximit të Kuranit, e nga citatet më të ëmbla në lidhje me këtë temë është hadithi të cilin e transmeton Ibn Mes'udi:

"Kush e lexon një shkronjë nga Libri i Allahut i shkruhet një vepër e mirë, e vepra e mirë shpërblehet dhjetëfish. Nuk them se 'Elif Lam Mim' llogaritet si një shkronjë, mirëpo 'Elifi' është shkronjë, 'Lami' është shkronjë dhe 'Mimi' është shkronjë."

Rrjedhimisht sipas kësaj i bie që kushdo që e lexon Kuranin nga fillimi e deri në fund (e bën hatme), i fiton mbi 3,200,000 shpërblime. Andaj, kush e gjen veten përtac karshi kësaj, le të mos harrojë se nga një faqe e Kuranit i fiton 5000 sevape, nga një xhuz i Kuranit 100.000 sevape dhe nga një hatme mbi 3 milionë sevape. Shtoja kësaj edhe muajin Ramazan, vërtet mundësi që duhet shfrytëzuar!


I Dërguari i Allahut po ashtu na përgëzoi edhe me këto hadithe, në të cilat tha:

"Ai që e lexon Kuranin bukur (rrjedhshëm) është me shënuesit (melekët) e ndershëm, ndërsa ai që e lexon Kuranin me vështirësi, i ka dy shpërblime."1

"Lexoni Kuranin, se vërtet Ai do të vijë në Ditën e Gjykimit si Ndërmjetës për ata që e kanë lexuar Atë."

Edhe pse shpërblimi i leximit të Kuranit është shumë i madh, mos t'na habis leximi për shpërblime e të harrojmë qëllimin kryesor, zgjimin e zemrave përmes Kuranit, siç na porosit sahabiu i nderuar Abdullah Ibn Mesudi "Lexoni Kuranin dhe zgjoni zemrat nëpërmjet tij. E të mos jetë brenga e ndonjërit prej jush se si të arrijë në fund të sures." 2

Ajetet e Kuranit i ngjallin zemrat, ashtu siç e ngjall uji tokën. 

يَـٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ قَدْ جَآءَتْكُم مَّوْعِظَةٌۭ مِّن رَّبِّكُمْ وَشِفَآءٌۭ لِّمَا فِى ٱلصُّدُورِ وَهُدًۭى وَرَحْمَةٌۭ لِّلْمُؤْمِنِينَ 

"O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët." [Junus: 57]

1. Buhariu

2. Es-Sunen El-Kubra

3. Miftah Dar Es-Se'adeh

 

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët