Këshillë për ata që frikësohen nga xhinët!

20
Jan

Këshillë për ata që frikësohen nga xhinët!

Frika dhe vesveset që i kaplojnë disa njerëz nga bisedat për xhinët, sihrin, shejtanët e kështu me radhë, është tregues i imanit të dobët dhe të luhatshëm të tyre. Kur Allahu Dijeplotë e përmend shejtanin thotë:

إِنَّما ذٰلِكُمُ الشَّيطانُ يُخَوِّفُ أَولِياءَهُ فَلا تَخافوهُم وَخافونِ إِن كُنتُم مُؤمِنينَ

"Është shejtani ai që i frikëson ithtarët e vet. Ju mos iu frikësoni atyre, por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë!" (Ali Imran, 175)

Allahu i Lartësuar po na njofton me kategorinë që frikësohet prej Iblisit, xhinëve, sihrit etj., e përballë këtyre, kategorinë që i mbështetet Allahut Fuqiplotë. Besimtarët e mirëfilltë janë të bindur se Allahu nuk i ka dhënë pushtet shejtanit, e as ndjekësve të tij, mbi njerëzit që i mbështeten Allahut të Lartësuar.

Kur Iblisi, i pari i shejtanëve, është betuar kundër bijëve të Ademit, siç Allahu Dijeplotë e përshkruan në Fjalën e Tij hyjnore, ka thënë:

قالَ رَبِّ بِما أَغوَيتَني لَأُزَيِّنَنَّ لَهُم فِي الأَرضِ وَلَأُغوِيَنَّهُم أَجمَعينَ

“Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ua zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim,
 

إِلّا عِبادَكَ مِنهُمُ المُخلَصينَ

përveç robërve të Tu të sinqertë." (Hixhër, 39-40)

Pra, menjëherë pas betimit për armiqësi sjell përjashtimin: përveç robërve të Tu të sinqertë.

Por, kush janë këta? Janë robërit që e njohin Allahun e Madhërishëm si Zotin e tyre të Vetëm, tek i Cili duhet mbështetur, të Cilit duhet t’i druhen dhe tek i Cili duhet të shpresojnë, e pas kësaj i realizojnë sebepet (shkaqet) legjitime të përcaktuara në Librin e Allahut dhe fjalët e Dërguarit صلى الله عليه وسلم për t’u ruajtur nga shejtanët, xhinët dhe kurthat e tyre.

Në anën tjetër, nëse dikush bie nën ndikimin e frikës prej tyre dhe kjo i shndërrohet në vesvese, i tilli duhet ta rishiqojë imanin e vet të dijë se në cilin tabor është radhitur; pra, a është në radhët e besimtarëve të mbështetur në Allahun Fuqiplotë, përveç të Cilit askujt nuk i frikësohen, apo është në radhët e ndjekësve të djajve, të cilëve ua kanë frikën dhe u druhen. Prandaj kjo punë paraqet një rrezik të lartë.

Rreziku vazhdon të rritet kur kjo kategori njerëzish fillojnë të kenë frikë prej shejtanëve e xhinëve më shumë sesa prej Allahut Lavdiplotë. Nuk po promovojmë ballafaqimin apo mosrealizimin e sebepeve. Përkundrazi, sebepet sheriatike i realizojmë ashtu siç na është kërkuar, por pa asnjë pikë frike në zemrat tona prej djajve, ngase kemi Allahun, më të Mirin Mbrojtës. Allahu i Lartësuar thotë:

ذٰلِكَ بِأَنَّ اللَّهَ مَولَى الَّذينَ آمَنوا وَأَنَّ الكافِرينَ لا مَولىٰ لَهُم

"Kjo për shkak se Allahu është Mbrojtës i atyre që besojnë, kurse për mohuesit nuk ka mbrojtës.” (Muhamed, 11)

Përmes frikës që Iblisi dhe ushtarët e tij e fusin tek njeriu, synohet që robërit të pengohen nga veprat e mira. Nëse ka qenë besimtar i sinqertë dhe ka kontribuar në përhapjen e Fjalës së Allahut, me këtë frikë mundohen t'ia largojnë vullnetin për davet. Por, nuk ndalen me kaq! Me të njëjtin mjet, ata synojnë ta ndalin robin edhe nga ibadetet (adhurimet). Po e arritën këtë, nuk pushojnë pa e çuar robin edhe në shirk. Megjithatë, dorëzimi karshi tyre assesi nuk guxon të jetë alternativë e besimtarit, ngase një gjë e tillë nënkupton pranim të disfatës.

Vallë, kush ka mundësi ta mposhtë atë që është strehuar nën mbrojtjen e Fuqiplotit?

Duke i pasur parasysh të gjitha këto, nëse je besimtar i mbështetur në Allahun e Madhërishëm, assesi mos u frikëso! Assesi mos u lëkund! Assesi mos prano vesvese të tilla, mbrapa të cilave qëndron largimi nga veprat e mira, largimi nga përhapja e Fjalës së Allahut dhe nga jetësimi i Sunetit të Profetit Fisnik صلى الله عليه وسلم.

Pra, duhet ta rishiqojmë besimin (imanin) tonë. Ta kuptojmë se që nga momenti i ardhjes në këtë botë jemi në ballafaqim të vazhdueshëm me këtë kundërshtar, armik të përbetuar të babait tonë Ademit صلى الله عليه وسلم dhe gjithë njerëzimit. Allahu Dijeplotë ka thënë:

إِنَّ الشَّيطانَ لَكُم عَدُوٌّ فَاتَّخِذوهُ عَدُوًّا

"Djalli është armik i juaji, ndaj konsiderojeni armik...''(Fatir, 6)

Me të nuk ka miqësi. Në momentin që i tolerojmë vesveset e tilla kemi pranuar të ndërtojmë raporte miqësore me djallin. Prandaj të ballafaqohemi me krenari duke pasur mendim pozitiv për Allahun. T'i mbështetemi Atij dhe t'i realizojmë sebepet legjitime. Të mos zbrapsemi nga fronti i betejës së nisur qysh moti, që nga koha e Ademit ,صلى الله عليه وسلم e që nuk do të përfundojë pa përfunduar Iblisi dhe ndjekësit e tij në zjarrin e Xhehenemit, kurse besimtarët në Xhenetin e Zotit Bujar me mëshirën e Tij.

Allahu e di më së miri!

Hoxhë Bajram Karabeg

 

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët