Imagjinoje! - Një mëngjes në Medinën e Pejgamberit ﷺ!

30
Oct

Imagjinoje! - Një mëngjes në Medinën e Pejgamberit ﷺ!

Një mëngjes në Medinën e Pejgamberit ﷺ! 

Lexues i dashur, ndalo për një çast..
Shkëputu nga zhurma dhe ngutja e ditës, lejo që zemra jote të ndjejë ajrin e freskët të mëngjesit dhe cicërimat e para të zogjve.

Imagjinoje veten në atë qytet të ndritshëm, Medinën e Pejgamberit ﷺ, në një mëngjes të hershëm dhe të freskët. Njerëzit sapo kanë falur sabahun me të Dërguarin ﷺ, ndërsa një vel drite e butë ngadalë mbush horizontin. Shtëpitë prej balte mbajnë mbi vete ende lagështinë e natës, dhe gjethet e palmave lëvizin lehtë nga era e mëngjesit.

Qielli hapet ngadalë, si një perde që tërhiqet për t’i lënë vend ngjyrave të para të mëngjesit. Zogjtë fillojnë cicërimat e tyre të para, ndërsa gjelat thërrasin herë pas here. Në horizont qëndron mali i Uhudit, hijerëndë dhe krenar. Të gjitha rrugicat e qytetit duket se të çojnë drejt xhamisë së Pejgamberit ﷺ.

Sahabët kanë dalë për t’u marrë me punët e tyre, dhe qyteti po zgjohet ngadalë nga një endërr e qetë. Dritat e para të mëngjesit shpërndahen mbi shtëpi dhe rrugica, ndërsa zërat dhe zhurmat e largëta dëgjohen lehtësisht, dita po fillon të marrë formë.

Rëra ende është e ftohtë, dhe pluhuri nën sandale ngrihet lehtë sa herë dikush shkel. Herë pas here dëgjohen edhe hingëllimat e kuajve nëpër oborre!

Befas, disa hapa të shpejtë dëgjohen në rrugicat e qeta të Medinës; dikush po shkonte me ngut tek i Dërguari i Allahut ﷺ për t’i rrëfyer diçka të rëndësishme.

Imagjinoje sahabiun e ndershëm, Usejd ibn Hudajri, duke shkuar për t’i treguar të Dërguarit ﷺ se çfarë i kishte ndodhur mbrëmë.

Këtu do ta përmendim këtë hadith të bukur, që t'ia shtojmë hijeshinë këtij tregimi. Hadithin na e transmeton Ebu Seid el-Hudriu, radijAllahu anhu, i cili thotë:

Një natë, ndërsa Usejd ibn Hudajri po lexonte nga surja Bekare, kalin e kishte të lidhur pranë vetes. Gjatë leximit, kali filloi të shqetësohej (lëvizte me forcë), andaj ai heshti, dhe kështu edhe kali heshti.

Ai filloi të lexonte përsëri, dhe kali u trazua sërish. Pastaj lexoi sërish, dhe kali filloi të ecte. Djali i tij, Jahja, ishte afër, dhe Usejdi u frikësua se kali mund ta shkelte, andaj e mori dhe e largoi djalin, dhe ngriti kokën drejt qiellit derisa nuk pa më asgjë.

Në versionin e Buhariut, Usejd ibn Hudajr tregon:

"U frikësova që kali mund ta shkelte Jahjanë, andaj u ngrita te afrohem, kur ja, kishte diçka si hije mbi kokën time, dhe në të diçka si llampa. Ato u ngjitën në qiell derisa nuk u dukën më, kështu që mora rrugën deri tek i Dërguari ﷺ."

Sapo zbardhi mëngjesi, ai shkoi t’i tregonte ngjarjen të Dërguarit ﷺ. Gjatë tregimit, i Dërguari i Allahut ﷺ po i thoshte:

"Lexo o Ibn Hudajr, Lexo o Ibn Hudajr."

(Ky nuk ishte urdhër për lexim në ato momente, por kuptimi është që duhej të vazhdoje të lexoje).

Usejdi tha:

"U frikësova se mos kali e shkelte Jahjanë, (andaj ndalova së lexuari) dhe u largova prej tij. Ngrita kokën drejt qiellit, dhe pashë diçka si hije, me llampa të ndritshme brenda, që u ngjitën në qiell derisa nuk i pashë më."

I Dërguari i Allahut ﷺ i tha:
“A e di se çfarë ishin?”

Usejdi tha: “Jo.”

I Dërguari ﷺ u përgjigj:

“ Ata ishin melekë që u afruan për të dëgjuar zërin tënd. Dhe sikur të vazhdoje leximin, njerëzit do t’i shihnin dhe nuk do të fshiheshin prej tyre.”

Ky hadith transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

Allahu ekber! Siç përmendin dijetarët, melekët afrohen tek ai që lexon Kur’anin, dhe kjo dëshmon për bereqetin, qetësinë dhe mëshirën që zbret me leximin e Fjalës së Allahut.

Vazhdojmë aty ku mbetëm! 

Tani, imagjinojeni momentin ku i Dërguari ﷺ ka përfunduar bisedën me Hudajrin. Xhamia e tij qëndron përball teje, xhamia e thjeshtë, por plot dritë, tingulli i leximit të Kuranit dhe cicërimat e zogjve përzihet me bisedat e buta të sahabëve. Dhe aty, i ulur në mes, me qetësinë dhe hijeshinë e tij, më i bukur se hëna, me mjekrën e dendur dhe shikimin e butë, qëndron i Dërguari i Allahut ﷺ!

A do të doje të shkoje e të i flisje?

Allahume sali ue selim ala nebijna Muhamed!

Shkroi: Eralb Havolli,
Medinë 30.10.2025

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët