I Dërguari i Allahut ﷺ qeshte kur e kujtonte këtë ngjarje!

21
Feb

I Dërguari i Allahut ﷺ qeshte kur e kujtonte këtë ngjarje!

I Dërguari i Allahut ﷺ qeshte kur e kujtonte këtë ngjarje! 

Transmeton Ummu Selemeh, radijAllahu anha, se:

"Një vit para se të ndërronte jetë i Dërguari i Allahut ﷺ, Ebu Bekri, radijAllahu anhu, shkoi për tregti në Busra (Sham), së bashku me Nuajman ibn Amrin dhe Sulejt ibn Harmelën, të dy këta sahabë që kishin marrë pjesë në betejën e Bedrit me të Dërguarin e Allahut ﷺ.

Sulejti, radijAllahu anhu, ishte përgjegjës për furnizimet ushqimore, ndërsa Nuajmani ishte pak shakaxhi. 

Nuajmani i tha Sulejtit:
"Më jep pak ushqim."

Sulejti iu përgjigj:
"Nuk të jap, derisa të vijë Ebu Bekri."

Atëherë Nuajmani tha: "Do të të zemëroj."

Kaluan pranë disa njerëzve dhe Nuajmani iu tha atyre: "A dëshironi të blini një rob nga unë?"

Ata u përgjigjën: "Po."

(Nuajmani e kishte fjalën për Sulejtin)

Nuajmani tha: "(Shikojeni këtë rob) ai flet shumë dhe do t'ju thotë: 'Unë nuk jam rob, por jam djali i xhaxhait të tij. Nëse kur t'ju thotë këtë, do ta lini të lirë, atëherë mos e blini fare, e mos ma prishni tregtinë me robin tim."

Ata thanë: "Jo, përkundrazi ne do ta blejmë, dhe nuk na intereson çfarë thotë."

Kështu, ata e blenë për dhjetë deve. Kur erdhën ta merrnin, ai refuzoi të shkonte me ta. Atëherë, ata i vunë një shall rreth qafës, ndërsa ai thoshte: "Ky po bën shaka, unë nuk jam robi i tij."

Ata i thanë: "Ai na ka treguar për ty" – dhe nuk ia dëgjuan fjalën.

Kur Ebu Bekri es-Siddik u lajmërua për ngjarjen, ai i ndoqi ata njerëz, u shpjegoi se Nuajmani kishte bërë shaka, ua ktheu devetë dhe e mori Sulejtin prej tyre.

Kur u kthyen te Pejgamberi ﷺ, ia treguan këtë ngjarje.

I Dërguari i Allahut ﷺ dhe shokët e tij qeshën me këtë ngjarje për një vit ose edhe më gjatë.

📖 Transmeton Imam Ahmedi, Ibn Maxhe dhe Ibn Asakir. Në disa tekste emri i sahabiut është Suvejbit, e jo Sulejt.

📌 Përktheu: Eralb Havolli

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët