28
Oct
Kjo ngjarje fillon qysh në momentet e para të vdekjes së të Dërguarit të Allahut ﷺ. Në atë kohë fiset arabe filluan të dalin nga feja e Allahut grupe-grupe, ashtu siç kishin hyrë grupe-grupe. Saqë nuk mbetën në Islam përveçse banorët e Medinës, Mekës dhe Taifit, e edhe grupe aty-këtu, në zemrat e të cilëve Allahu e kishte ngulitur besimin.
Ebu Bekri, radijAllahu anhu, duke qenë halife i muslimanëve, përballoi këtë fitne shkatërruese, duke qëndruar përballë saj si malet e palëkundura.
Ai përgatiti njëmbëdhjetë ushtri prej muhaxhirëve dhe ensarëve për të shuar këtë fitne. Komandantëve të këtyre ushtrive u dha njëmbëdhjetë flamuj dhe i dërgoi në të gjithë Gadishullin Arabik për t’i kthyer renegatët në rrugën e udhëzimit dhe të së vërtetës, duke përdorur shpatën.
Renegati më i fuqishëm, me numrin më të madh të përkrahësve, ishte Musejleme el Kedheb nga fisi Benu Hanife, i cili e kishte shpallur veten pejgamber. Pas tij rreshtoheshin dyzet mijë luftëtarë të ashpër.
Musejleme e mposhti ushtrinë e parë që u dërgua kundër tij, duke detyruar muslimanët të tërhiqeshin. Menjëherë pas kësaj, Ebu Bekri, radijAllahu anhu, dërgoi ushtrinë e dytë nën komandën e Halid ibn Velidit. Në mesin e kësaj ushtrie kishte shumë sahabë, si nga muhaxhirët ashtu edhe nga ensarët. Udhëçelësi i tyre ishte El-Berra ibn Malik el-Ensarij, së bashku me një numër trimash muslimanë.
Dy ushtritë u takuan në tokën e Jemames, përkatësisht në Nexhd. Pas një kohe të shkurtër, ushtria e Musejlemes kishte fituar epërsi të dukshme ndaj muslimanëve, aq sa toka filloi të dridhej nën këmbët e ushtrisë muslimane. Muslimanët nisën të tërhiqeshin nga pozitat e tyre, madje u godit edhe tenda e Halid ibn Velidit, dhe për pak sa nuk u vra gruaja e tij që ishte brenda.
Menjëherë pas kësaj, Halidi riorganizoi ushtrinë, duke i ndarë muhaxhirët në një anë dhe ensarët në një anë tjetër, ndërsa fiset nomade i ndau veçmas. Pastaj i bashkoi bijtë e çdo babai nën një flamur të vetëm, që të mund të shihte nga larg rezultatin e betejës dhe të vërente nga cila anë po goditeshin muslimanët.
Mes ushtrive u zhvillua një betejë e egër dhe e ashpër, që ushtritë muslimane nuk e kishin përjetuar më parë. Musejleme qëndronte si malet, megjithëse e dinte që ushtria e tij po pësonte humbje dhe kishte shumë të vrarë. Lufta ishte ndezur në të gjithë intensitetin e saj.
Thabit ibn Kajsi, radijAllahu anhu, që mbante flamurin e Ensarëve, hapi një gropë në tokë dhe zbriti në të deri te gjunjët, duke qëndruar i palëkundur në pozicionin e tij dhe mbajtur flamurin e Ensarëve derisa ra shehid.
Zejd ibn Hatabi, radijAllahu anhu, vëllai i Omerit, thërriste me zë të lartë drejt muslimanëve:
"O ju njerëz, shtrëngoni dhëmbët, goditni armikun tuaj dhe ecni përpara. O ju njerëz, nuk do të flas më asnjë fjalë pas kësaj, derisa ta mposht Musejlemen ose të takohem me Allahun dhe t’ia paraqes Atij faktet e mia."
Pastaj u sul drejt armiqve me gjithë forcën e tij, duke luftuar deri sa u vra.
Selimi, radijAllahu anhu, që mbante flamurin e muhaxhirëve, vuri re frikën e njerëzve të tij se mos dobësohej apo luhatej. Ata i thanë: "Kemi frikë se mos të tejkalojmë ty," dhe ai u përgjigj: "Nëse më kaloni mua, sa bartës i keq i Kuranit jam unë." Pastaj u vërsul mbi armiqtë derisa u plagos rëndë.
Kur Halidi pa se flakët e betejës po shtoheshin dhe beteja po bëhej gjithnjë e më e ashpër, iu drejtua El Berra ibn Malikut dhe i tha: "Nisu drejt tyre, o djaloshi i Ensarëve!"
El Berra iu drejtua popullit të tij me këto fjalë:
"O Ensarë, askush sot të mos mendojë të kthehet në Medine; nuk ka Medine për ju pas kësaj dite. Është vetëm Allahu dhe pastaj Xhenneti."
Pas kësaj, El Berra dhe populli i tij u nisën drejt mushrikëve. Ai i shpërthente si vetëtimë radhët e armiqve dhe me shpatën e tij të mprehtë godiste qafat e tyre, derisa toka filloi të dridhej nën këmbët e Musejlemes dhe ushtrisë së tij. Ata nisën të tërhiqeshin drejt një kopshti të rrethuar me mure të larta, i njohur në histori si “Kopshti i Vdekjes” për shkak të numrit të madh të të vdekurve aty.
Ky kopsht ishte i gjerë dhe me mure të larta që i mbronin. Me vrap, Musejleme dhe mijëra ushtarë të tij hynë brenda dhe mbyllën dyert, duke u mbrojtur nga muret e larta. Nga aty filluan t’u gjuajnë muslimanëve me shigjeta, që binin si shi mbi ta.
Në këtë situatë të vështirë dhe pa rrugëdalje, doli përsëri El Berra ibn Malik dhe tha:
"O njerëz, më vendosi mbi një mburojë, ngriheni lart dhe më hidhni matan murit; ose do bie shehid, ose do t'ua hap derën."
Sa hap e mbyll sytë, El Berra u ul mbi mburojë. Ai ishte thatanik dhe i lehtë. Dhjetëra ushtarë e ngritën dhe e hodhën mbi mur, në mesin e mijëra armiqve. Ai kërceu si rrufe mbi ta dhe luftoi me shpatën e tij pranë derës së kopshtit, derisa vrau dhjetë prej tyre dhe hapi derën. Në trup kishte mbi 80 plagë nga shpatat dhe shigjetat.
Sikur bletët, ushtria muslimane u vërsul dhe hyri brenda, duke goditur me ashpërsi qafat e renegatëve. Në këtë luftë të përgjakshme ushtria muslimane vrau 20 mijë prej armiqve, derisa arritën te Musejleme dhe e vranë atë.
El Berra ishte ende gjallë; shokët e morën dhe e dërguan në tendën e tij për t’u shëruar. Halidi qëndroi pranë tij për një muaj, duke i mjekuar plagët, derisa Allahu e shëroi. Allahu i dha fitoren muslimanëve përmes duarve të tij.
Allahu ia ndriçoftë fytyrën El Berra ibn Malikut në Xhenet dhe e shpërbleftë me shoqërinë e Pejgamberit ﷺ.
📖 Shkëputje nga libri "Suverun min hajati es-sahabeh
📌 Përktheu: Eralb Havolli