13
Feb
🖇 Ebu Seid el-Hudrij, radijAllahu anhu, ka thënë:
"I Dërguari i Allahut ﷺ ishte më i turpshëm se një vajzë e re në dhomën e saj. Kur shihte diçka që e urrente, ne e vërenim këtë në fytyrën e tij." (Buhariu dhe Muslimi)
📃 KOMENTIM:
Ky turp manifestohej tek i Dërguari ﷺ përderisa nuk shkelej asnjë nga kufijtë e Allahut. Por kur shkelej ndonjë prej tyre, ai ﷺ zemërohej, i udhëzonte shokët e tij dhe madje i qortonte. Ai vepronte gjithçka që ishte e nevojshme për t'i drejtuar besimtarët dhe për t'i nxitur ata të zbatonin Sheriatin e Allahut të Lartësuar.
I Dërguari i Allahut ﷺ ishte njeriu më i turpshëm nga të gjithë, saqë përshkruhej më i turpshëm se një vajzë e re (e virgjër) që qëndronte në dhomën e saj. Ky krahasim nënkupton se vajzat që rriten të mbuluara brenda shtëpisë janë më të turpshme, madje edhe përballë grave të tjera. Ndryshe ndodh kur ato janë jashtë shtëpisë, për shkak të përzierjes me të tjerët, ose kur hyjnë dhe dalin shpesh; në këto raste ato bëhen më pak të turpshme.
Pjesa "e vërenim këtë në fytyrën e tij" - pra, fytyra e tij ndryshonte dhe kështu kuptohej pakënaqësia e tij. Kjo është e ngjashme me një vajzë që qëndron në dhomën e saj, e cila nuk flet në prani të njerëzve, por shpreh kënaqësinë ose pakënaqësinë përmes shprehjes së fytyrës.
Ky hadith thekson virtytin e turpit dhe rëndësinë e tij si cilësi e lavdërueshme, përderisa nuk çon në dobësi apo paaftësi.
📃 Komentimi i marrë nga platforma e specializuar për studime islame, në metodologjinë e Ehli Sunetit - DORAR.net
📌 Përktheu: Eralb Havolli