06
Dec
Imam Ahmedi ka shënuar hadithin e Ebu Seid El-Hudriut (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se i Dërguari (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem!) ka thënë:
“Dimri është pranvera e besimtarit.”
Ahmedi, 3/75
Dimri është pranvera e besimtarit, sepse gjatë tij ai argëtohet në kopshtet e adhurimeve, shëtit ndër ato hapësira dhe dëlirë zemrën, bash si bagëtia që kullosin atë që ofron pranvera, dhe kështu shëndoshen dhe përmirësohen trupat e tyre. Po kështu përmirësohet edhe feja e besimtarit gjatë dimrit, me anë të adhurimeve që ia lehtëson Allahu. Gjatë dimrit besimtari ka mundësi të agjërojë ditën pa ndonjë mundim dhe pa ato vështirësi që mund të sjellin uria dhe etja; sepse ditët janë të shkurtra e të ftohta. Pra, thuajse nuk e ndien fare vështirësinë e agjërimit.
- Ebu Hurejra u tha disave: “A t'ju drejtoj drejt një preje të ftohtë?”
“Po, patjetër!” – qe përgjigjja.
Ai u tha: “Agjërimi gjatë dimrit.”
E quajti pre të ftohtë, ngaqë është një pre që fitohet pa luftë, pa lodhje e pa vështirësi. Njeriu e fiton atë falas, pastër dhe pa lodhje.
Ndërsa në lidhje me faljen gjatë netëve të dimrit, për shkak të gjatësisë së tyre njeriu mund të fle aq sa ka nevojë e më pas të ngrihet për namaz. Kur njeriu fle mirë ka mundësi të lexojë gjithë pjesën e caktuar nga Kurani. Pra, ai bën një kombinim midis hises së gjumit për të cilën ka nevojë dhe meditimit mbi pjesën që lexon nga Kurani. Kështu plotëson nevojat/interesat e fesë dhe rahatinë e trupit.
Nga Jahja ibn Muadhi janë përcjellë këto fjalë:
“Nata është e gjatë dhe mos e shkurto me gjumë. Islami është i pastër, ndaj dhe mos e ndot me mëkatet e tua.”
Ndryshe nga netët e verës, që duke qenë të shkurtra e të nxehta të zë gjumi, dhe njeriu e ka të vështirë të çlodhet mirë pa fjetur gjithë natën. Kështu që, për të falur namaz nate kërkohet një përpjekje e madhe dhe, është e mundur që duke qenë të shkurtra njeriut nuk i jepet mundësia të përfundojë pjesën e caktuar nga Kurani.
Ngritja për të falur namaz gjatë netëve të dimrit është e vështirë për njeriun duke e vështruar nga dy aspekte:
I pari: Njeriu e ka të vështirë të grihet e të lërë shtratin, kjo për shkak të ftohtit të madh.
I dyti: Vështirësia që përjetohet gjatë marrjes së abdesit për shkak të ftohtit të madh. Marrja e abdesit gjatë kohës së ftohtë bën pjesë te veprat më të dobishme. [Muslimi]
Te Sahīh-u i Muslimit përcillet nga Ebu Hurejra se i Dërguari (sal-lalli llâhu alejhi ue sel-lem!) ka thënë:
“A dëshironi t'ju bëj me dije për ato vepra përmes të cilave Allahu u shlyen gjynahet dhe ju ngre në grada të larta.”
I thanë: “Patjetër! Na trego, o i Dërguari i Allahut.”
Ai u tha: “Marrja abdes mirë kur ndjeni vështirësi; hapat e shumtë për në xhami; pritja nga namazi në namazin tjetër. Kjo ka vlerën e vigjiluesit në xhihād."
Ata El-Hurasani i thërriste shokët e tij natën duke u thënë: “O filan!, o filan!, o filan! Ngrihuni, merrni abdes dhe faluni! Ngritja për t'u falë gjatë natës dhe agjërimi gjatë ditës janë më të lehta se pirja e ujit të qelbur dhe rrobat prej hekurit nesër në Xhehenem! Shpejtoni, shpejtoni, në mënyrë që të shpëtoni!"
Rrëfehet në formë autentike se Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) pa një ëndërr, ku dikush erdhi dhe e çoi te Zjarri dhe ia tregoi atë. Ai pa aty disa njerëz të lidhur në pranga, të cilët i njihte. Ndërkohë i erdhi një engjëll dhe i tha: “Mos ke frikë, sepse ti nuk je prej banorëve të tij!"
Këtë ëndërr ai ia tregoi motrës së vet Hafsas, dhe ajo ia tregoi të Dërguarit (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem!), i cili tha:
“Sa njeri i mirë është Abdullahi, sikur të falej në një pjesë të natës. [Buhariu]
Pas kësaj Ibn Umeri nuk flinte gjatë natës veçse pak.
Haseni thotë: “Adhurimi më i mirë është namazi në mesnatë.” Gjithashtu ai thotë: “Ai është gjëja më e mirë me të cilën mund të afrohemi tek Allahu." Po ashtu: “Nuk kam hasur në ndonjë adhurim më të vështirë se ai.”
Duke qenë se shumica e njerëzve ndiejnë të ftohtë gjatë dimrit, është e ligjshme t'i shmangin dëmet e tij përmes veshjes etj. Prej mirësisë së Allahut është fakti se përmes kafshëve Ai u dhuroi leshin, gëzofin dhe fijet prej të cilave sigurojnë rroba të ngrohta.
Allahu i Lartësuar thotë:
وَالأَنعامَ خَلَقَها ۗ لَكُم فيها دِفءٌ وَمَنافِعُ وَمِنها تَأكُلونَ
“Kafshët Ai i ka krijuar për ju. Nëpërmjet tyre ju siguroni rroba të ngrohta dhe dobi të tjera. Prej tyre ju ushqeheni.” (En-Nahl, 5)
Nga vlerat e dimrit është fakti se të kujton zemherīr-in (të ftohtin e egër) e Xhehenemit, që na detyron të kërkojmë mbrojte nga Allahu prej tij.
Në një hadith autentik përcillen këto fjalë nga i Dërguari i Zotit (sallall-llâhu alejhi ue sel-lem!):
“Xhehenemi merr frymë dy herë: një herë në dimër dhe një herë tjetër në verë. Frymëmarrja e verës është kur ju ndieni vapën më përvëluese, ndërsa frymëmarrja e dimrit është kur ju ndieni të ftohtin më të egër.
Buhariu
Përcillet se Ibn Abasi ka thënë:
“Banorët e Zjarrit kërkojnë ndihmë për të nxehtin dhe u jepet një erë, i ftohti i së cilës u copëton eshtrat; kështu që, kërkojnë prapë të nxehtin.”
Përcillet se Ka'bi ka thënë:
“Në Xhehenem është një i ftohtë që quhet zemherīr. I ftohti i tij qëron mishin, e kështu detyrohen të kërkojnë ndihmë nga i nxehti i Xhehenemit.”
Përmbledhi Ibn Rexheb el Hanbeli në librin e tij Latif el-Mearif.