04
Apr
Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
"Në kategorinë e sahabëve hyn edhe ai nga xhindët që e ka parë të Dërguarin e Allahut ﷺ apo e ka takuar duke qenë besimtar."
Ibn Haxheri ka pohuar se disa herë kanë ardhur delegacione të xhindëve te i Dërguari i Allahut ﷺ. Gjatë periudhës në Mekë, ata vinin për të dëgjuar Kuranin, ndërsa në Medinë vinin për të bërë pyetje rreth dispozitave fetare. Secila nga këto dy gjendje ishte e ndryshme nga tjetra.
Ibn Tekijudin esh-Shibli, ka thënë:
''Nuk ka dyshim se xhindët kanë ardhur në mënyrë të përsëritur te i Dërguari i Allahut ﷺ, si në Mekë ashtu edhe në Medinë.''
Allahu i Lartësuar, ka thënë:
قُلْ أُوحِىَ إِلَىَّ أَنَّهُ ٱسْتَمَعَ نَفَرٌ مِّنَ ٱلْجِنِّ فَقَالُوٓا۟ إِنَّا سَمِعْنَا قُرْءَانًا عَجَبًا
Thuaj (o Muhamed): “Mua më është shpallur se disa prej xhindëve kanë dëgjuar (Kuranin) dhe kanë thënë: ‘Me të vërtetë, kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm, (El-Xhinn: 1)
I Dërguari i Allahut ﷺ i ka takuar xhindët disa herë, pasi ai është dërguar për të dy krijesat e rëndësishme: njerëzit dhe xhindët. Më poshtë do t'i përmendim disa shembuj:
Si rasti i xhindëve të Nusejbinës që erdhën një ditë te i Dërguari i Allahut ﷺ.
Në hadithin që e transmeton Buhariu, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Më erdhi një delegacion nga xhindët e Nusejbinës – e sa xhind të mirë janë ata! – dhe më kërkuan ushqim. Atëherë unë iu luta Allahut që ata të mos kalonin pranë ndonjë kocke apo jashtëqitjeje, veçse ta gjenin të mbushur me ushqim.”
Në transmetimin e Imam Ahmedit qëndron:
"Xhindët e Nusejbinës erdhen për të më paraqitur një mosmarrëveshje që kishin mes tyre dhe më kërkuan ushqim..."
Po ashtu kishte nga xhindët që e kishin pranuar Islamin në Medinë siç transmeton Muslimi.
Tregon Safuan ibn Muatili, Allahu e mëshiroftë:
“Dolëm për haxh, dhe kur arritëm në vendin e quajtur el-Arxh, papritur pamë një gjarpër që po përpëlitej, por nuk vonoi shumë dhe vdiq.
Një burrë nga ne nxori një copë (leckë) nga arka e tij, e mbështolli (gjarprin), hapi një gropë dhe e varrosi.
Kur ishim në Meshxid el-Haram (Qabe), na erdhi një person dhe na tha:
‘Kush prej jush është shoku i ‘Amr ibn Xhabirit?’
Ne i thamë: ‘Nuk e njohim.’
Ai tha:
‘Ai është xhindi që e varrosët. Allahu ju shpërbleftë me të mira! Ai ishte i fundit nga nëntë xhindët që kishin ardhur te i Dërguari i Allahut ﷺ për të dëgjuar Kuranin – dhe tashmë ka ndërruar jetë.’" (Hakimi, Taberani etj.)
Ibn Haxheri ka thënë:
“Mendimi më i saktë është se xhindët përfshihen në kategorinë e sahabëve, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ është dërguar edhe për ta."
Allahu i Lartësuar ka thënë:
تَبَارَكَ ٱلَّذِى نَزَّلَ ٱلْفُرْقَانَ عَلَىٰ عَبْدِهِۦ لِيَكُونَ لِلْعَـٰلَمِينَ نَذِيرًا
I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët; El-Furkan : 1
Të gjithë komentuesit e Kuranit (mufesirët) janë në pajtim se në këtë ajet përfshihen edhe xhindët.
Ibn Hazmi ka thënë:
“Allahu na ka njoftuar se një grup xhindësh kanë besuar dhe kanë dëgjuar Kuranin nga i Dërguari i Allahut ﷺ, andaj në mesin e tyre ka pasur sahabë të ndershëm dhe të virtytshëm.”
🖇 Shkëputje nga libri: "El-muteledhidhune bil-ilm" dhe "El-Isabeh fi temjiz es-sahabeh"
📌 Përktheu: Eralb Havolli