11
Mar
Nga vlerat e agjërimit është ajo që, Allahu atë e ka caktuar për të gjithë umetet dhe ua ka bërë farz atyre. Ka thënë Allahu i Lartësuar:
يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ كُتِبَ عَلَيْكُمُ ٱلصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ
O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë detyrë për ju, sikurse ka qenë edhe për ata që ishin para jush, me qëllim që të bëheni të devotshëm. [ El-Bekare : 183 ]
Pastaj, nga vlerat dhe mirësitë e agjërimit është se ai është shkak për faljen e mëkateve dhe shlyerjen e veprave të këqija, andaj është transmetuar në dy librat e saktë të hadithit nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
"Atij që e agjëron Ramazanin, duke besuar dhe llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës."
Që do të thotë: Duke besuar në Allahun, i kënaqur që ia ka bërë detyrë agjërimin dhe duke llogaritur për shpërblimin për të, pra, jo duke e urrejtur këtë detyrë e as duke qenë dyshues në shpërblimin e Allahut, të tillit Allahu do t'ia falë mëkatet që i ka bërë në të kaluarën!
Nga mirësitë e agjërimit është se shpërblimi për të nuk është i lidhur me numër të caktuar, përkundrazi do t'i jepet agjëruesit shpërblim pa hesap. Siç është transmetuar në dy librat e saktë të hadithit nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu, që i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: Allahu i Lartësuar ka thënë:
"Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, ai është për Mua dhe unë do ta shpërblej për të..."
Pastaj, nga mirësitë e agjërimit është se ai do të bëjë ndërmjetësim për agjëruesin në Ditën e Kijametit, siç është transmetuar nga Abdullah ibn Amër radijAllahu anhume, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
"Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Kijametit. Agjërimi do të thotë: 'O Zot, e ndalova atë nga ushqimi dhe epshet andaj më lejo të ndërmjetësoj për të!'; Dhe Kurani do të thotë: 'O Zot e privova atë nga gjumi i natës, andaj më lejo të ndërmjetësoj!'; E Allahu thotë: 'Ndërmjetësoni!'"
Transmeton Ahmedi
Vëllezërit e mi! Vlerat e agjërimit nuk mund të arrihen derisa t'i përmbahet agjëruesi, edukatës së agjërimit. Andaj jepni përpjekje në perfeksionimin e agjërimit tuaj dhe ruajtjen e kufijve të tij. Dhe pendohuni te Zoti juaj nga neglizhenca në lidhje me këtë.
Allahu ynë, na ruaj agjërimin tonë dhe bëje atë ndërmjetësim për ne, na fal neve e prindërit tanë, e të gjithë muslimanët!
🖇Shejh Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë!
📖 Mexhelisu Shehri Ramadan
Përktheu: Kanali Muslimani Ideal