Vdekja e dijetarëve - Ethere nga Selefi!

19
Mar

Vdekja e dijetarëve - Ethere nga Selefi!

Vdekja e dijetarëve - Ethere nga Selefi! 

🖇 Transmetohet nga Abdullah Ibn Amër, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

"Allahu nuk e merr diturinë duke e zhdukur atë nga robërit, por Ai e merr atë me vdekjen e dijetarëve. Derisa, kur të mos mbetet më asnjë dijetar, njerëzit do të marrin si udhëheqës injorantët, të cilët, kur të pyeten, do të japin fetva pa dituri, dhe kështu do të humbin vetë dhe do t’i çojnë në humbje edhe të tjerët." (Buhariu)

🖇 Ibn Abasi, radijAllahu anhu, në momentin kur ndërroi jetë Zejd ibn Thabit, radijAllahu anhu, kishte thënë:

"Kush dëshiron ta dijë se si largohet dituria, le ta dijë se kështu largohet." 

🖇 Ebu Xha'fer Muhamed ibn Ali, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: 

"Pasha Allahun! Vdekja e një dijetari është më e dashur për Iblisin sesa vdekja e shtatëdhjetë (70) adhuruesve."

🖇 Ejub Es-Sihtijanij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

"Kur më njoftojnë për vdekjen e një njeriu nga Ehlu Suneti, më duket sikur kam humbur një gjymtyrë të trupit tim."

🖇 Abdullah Ibn Mesudi, radijAllahu anhu, ka thënë:

"Kapuni pas diturisë para se të zhduket dhe dijeni se ajo do të zhduket atëherë kur të vdesin dijetarët.

🖇 Hasan el-Basriu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

"Vdekja e dijetarit e lë një boshllëk në Islam, të cilin nuk mund ta mbushë asgjë përderisa dita dhe nata vazhdojnë (sa të ekzistojë kjo botë).

🖇 Hilal ibn Habab, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

"E kam pyetur Seid ibn Xhubejrin për shenjën e Kiametit dhe shkatërrimin e njerëzve.

Tha: 'Kur të vdesin dijetarët e tyre.'"

🖇 Tregon Temam ibn Nexhih, Allahu e mëshiroftë:

"Ishim ulur te Muhamed Ibn Sirini, kur papritur erdhi një njeri dhe i tha: 'Kam parë në ëndërr sikur një zog zbriti nga qielli mbi një lule jasemini, këputi disa petale prej saj dhe pastaj fluturoi e hyri në qiell."

Kur e dëgjoi këtë, Muhamed Ibn Sirini tha:

'Kjo tregon për vdekjen e dijetarëve.'

Temam ibn Nexhih, Allahu e mëshiroftë, shtoi:

'Ende nuk kishte kaluar një vit, dhe veçse vdiqën Hasan el-Basriu, Ibn Sirini, Mekhuli dhe gjashtë dijetarë të tjerë në vende të ndryshme."

📖 Shkëputje nga librat: ''"Xhemiu bejan el-ilmi ue fedlihi - Ibn Abdul Berr'' dhe ''Hiljetul Eulija - Ebu Nuajm el Asbahani''


📌 Perktheu: Eralb Havolli

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët