26
Apr
🖇 Shejh Salih el Feuzan, Allahu e ruajjtë, thotë:
Akika është një e drejtë e fëmijës që duhet përmbushur nga babai i tij. Ajo nënkupton therjen e një kurbani për fëmijën, si një akt adhurimi dhe afrimi ndaj Allahut të Madhëruar.
Ky veprim është sunnet i vendosur nga i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili vetë e zbatoi duke bërë akikë për nipërit e tij, Hasanin dhe Husejnin. Me këtë traditë vazhduan edhe shokët e tij fisnikë, duke bërë akikë për fëmijët e tyre, dhe pas tyre e trashëguan gjenerata e tabiinëve.
Disa dijetarë kanë shkuar me mendimin se akika është obligim, duke u mbështetur në hadithin e transmetuar nga Semurah, radijAllahu anhu, i cili përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Çdo fëmijë është peng i akikës së tij." (Ahmedi, Ebu Davudi etj.)
Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, e komentoi këtë hadith duke thënë: "Ai është i penguar nga ndërmjetësimi (shefati) për prindërit e tij."
Ndërsa Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "Akika është shkak për përmirësimin e sjelljes dhe moralit të fëmijës."
Por mendimi më i saktë është se akika është sunnet i fortë, dhe është më e vlefshme sesa të japësh sadaka në vlerë të saj. Ajo është falënderim ndaj Allahut për furnizimin me fëmijë, dhe një afrim ndaj Tij përmes këtij adhurimi.
Për lindjen e djalit therren dy dele të përafërta në moshë, ndërsa për lindjen e vajzës një dele e vetme. Kjo bazohet në hadithin e transmetuar nga Umu Kurz el-Ka‘bîjjeh, e cila thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: ‘Për djalin dy dele të njëjta, kurse për vajzën një dele.’” (Ahmedi dhe Tirmidhiu)
Koha për prerjen e akikës është dita e shtatë pas lindjes së fëmijës. Megjithatë, nëse ajo bëhet para ose pas kësaj dite, lejohet dhe është e vlefshme.
Është e preferuar që fëmijës t’i vendoset emri në ditën e shtatë, por nëse emri i vendoset më herët, nuk ka asnjë problem. Madje, sipas disa dijetarëve, vendosja e emrit menjëherë pas lindjes është më e preferuar sesa pritja deri në ditën e shtatë.
Është sunnet që fëmijës t’i vihet një emër i mirë, duke u bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Vërtet, do të thirreni me emrat tuaj dhe emrat e etërve tuaj, andaj zbukuroni (zgjidhni mirë) emrat tuaj.” (Ebu Davudi). Në hadithin që e shënon Muslimi, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Emrat më të dashur për Allahun janë Abdullah dhe Abdurrahman.” (Ebu Davudi)
Këtu përfundon fjala e Shejh Salih el Feuzan!
- Disa sunnete të tjera në lidhje me të porsalindurin, nga libri ''El ifade bima jushrau filuhu ejamel vilade''
📃 Është sunnet që njerëzit të lajmërohen dhe të përgëzohen për lindjen e një fëmije, ashtu siç përmendet në fjalën e Allahut të Lartësuar kur Ibrahimi, alejhi selam, ka thënë:
رَبِّ هَبْ لِى مِنَ ٱلصَّـٰلِحِينَ
“O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!”
فَبَشَّرْنَـٰهُ بِغُلَـٰمٍ حَلِيمٍ
Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë! (Es-Saffat: 100-101)
📃 Është sunnet që fëmijës t’i këndohet ezani në veshin e djathtë dhe ikameti në veshin e majtë. Transmetohet nga Abdullah ibn Ebi Rafi’, i cili përcjell nga babai i tij, se ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke i kënduar ezanin Hasanit, birit të Aliut, kur e lindi Fatimja.” (Tirmidhiu, Ebu Davudi etj.)
Po ashtu, transmetohet se Abdullah ibn Ebi Bekr ka thënë: “Omer ibn Abdulazizi, kur i lindte një fëmijë, e merrte të mbështjellë me mbulesë dhe i këndonte ezanin në veshin e djathtë dhe ikametin në të majtin.” (Abdurrezaku në Musanef)
📃 Është sunnet që pas lindjes së fëmijës të organizohet një gosti, ku shtrohet ushqim për të afërmit, si shenjë gëzimi dhe falënderimi ndaj Allahut për këtë dhuratë. Muavije ibn Kurrah, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kur më lindi Ijasi, i ftova disa prej shokëve të të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe u shtrova ushqim...” (Buhariu në Edebul Mufred)
📃 Është sunnet të bëhet “tahniku” për foshnjën e porsalindur – që nënkupton përtypjen e një hurme dhe më pas fërkimin e saj në qiellzën e gojës së foshnjës me gishtin e lagur. Aishja, radijAllahu anha, tregon: “Silleshin te i Dërguari i Allahut ﷺ foshnjat e porsalindura; ai lutej për to, e pastaj u bënte tahnik.” (Muslimi)
📃 Është sunnet që foshnja e porsalindur të dërgohet te dikush për të cilin shpresohet se i pranohet duaja, në mënyrë që ai të bëjë lutje për të. Kjo praktikë mbështetet në hadithin e përmendur më herët, ku foshnjat sillen te i Dërguari i Allahut ﷺ, e ai lutej për to.
📃 Është sunnet që në ditën e shtatë pas lindjes t’i rruhen flokët foshnjës mashkull, dhe për aq sa peshojnë ato, të jepet sadaka në vlerë të argjendit apo arit. Pra, flokët mblidhen, peshohen, dhe sipas peshës së tyre jepet sadaka në vlerën përkatëse. Ndërsa foshnjës femër nuk është e nevojshme t’i rruhen flokët.
Aliu, radijAllahu anhu, tregon: “Kur lindi Hasani, i Dërguari i Allahut ﷺ i tha Fatimes: ‘O Fatime, rruaja flokët (Hasanit) dhe jep sadaka për aq sa peshojnë flokët, në vlerë të argjendit.’ (Ibn Maxhe, Tirmidhiu etj.)
📃 Është sunnet që pas rruajtjes së flokëve të foshnjës, koka e tij të lyhet me parfum. Aishja, radijAllahu anha, tregon: “Në kohën e xhahilijetit, foshnjave u lyhej koka me gjakun e deles...” Ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Në vend të gjakut, vendosni parfum.” (Ibn Hibani, Bejhakiu)
📖 Shkëputje nga libri "El Mulahas el-Fikhij" dhe "El ifade bima jushrau filuhu ejamel vilade"
📌 Përktheu: Eralb Havolli