Kur ta përfundosh Hatmen - Ethere nga Selefi

28
Mar

Kur ta përfundosh Hatmen - Ethere nga Selefi

Kur ta përfundosh Hatmen! – Ethere nga Selefi

🖇 Transmetohet nga Hakem ibn Utejbeh se ka thënë:

"Muxhahidi, Abdeh bin Ebi Lubabeh dhe disa të tjerë e kontrollinin mus'hafet¹. Kur vinte dita që kishin vendosur për ta bërë hatme, ata më dërguan fjalë mua dhe Selames, duke thënë: 'Ne kemi qenë duke i kontrolluar mus'hafet dhe tani që jemi në përfundim, dëshiruam që ju të ishit të pranishëm."

Sepse thuhej: "Kur e bën hatme Kuranin, mëshira e Allahut zbret dhe është e pranishme në atë moment."

🖇 Katade tregon:

"Në Medinë ishte një njeri që e lexonte Kuranin nga fillimi deri në fund para shokëve të tij. Prandaj, Ibn Abasi caktonte njerëz për ta mbikëqyrur dhe, kur vinte momenti i përfundimit të Kuranit, ai vetë shkonte dhe merrte pjesë."

🖇 Transmetohet nga Ibrahim et-Tejmij, se Abdullah Ibn Mesudi, radijAllahu anhu, ka thënë:

"Kush e bën hatme Kuranin, e ka një dua të pranuar."

Prandaj, kur Abdullahu e përfundonte Kuranin, ai e mblidhte familjen e tij dhe bënte dua, ndërsa ata thoshin "Amin" për duatë e tij.

🖇 Po ashtu, transmetohet se Enesi, radijAllahu anhu, e mblidhte familjen e tij kur e përfundonte hatmen e Kuranit.

🖇 Transmetohet se Ibrahim Tejmiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

"Thuhej: ‘Nëse njeriu e përfundon Kuranin në fillim të ditës, melekët luten për të gjatë pjesës së mbetur të ditës së tij, dhe nëse e përfundon atë në fillim të natës, melekët luten për të gjatë pjesës së mbetur të natës së tij.’"

"Prandaj, ata e pëlqenin që ta përfundonin Kuranin në fillim të ditës ose në fillim të natës."

🖇 Transmetohet nga Muhamed ibn Xhuhadeh, se ka thënë:

"Ata e pëlqenin që, nëse e përfundonin Kuranin gjatë natës, ta përfundonin atë në dy rekatet pas namazit të akshamit, dhe nëse e përfundonin gjatë ditës, ta përfundonin atë në dy rekatet para namazit të sabahut."

🖇 Kur Enes bin Maliku, radijAllahu anhu, ishte afër përfundimit të Kuranit gjatë natës, ai linte një pjesë të vogël prej tij derisa të zbardhte mëngjesi. Pastaj i mblidhte familjarët e tij dhe e përfundonte Kuranin bashkë me ta. (Sunen ed-Darimij)

🖇 Sulejman Ameshi ka thënë:

"I kam parë se shokët tanë e pëlqenin që ta bënin hatme Kuranin në fillim të ditës ose në fillim të natës." 

¹ I kontrollin mus’hafat nga fillimi deri në fund duke i lexuar për t’u siguruar që nuk kishin ndonjë lëshim apo ndryshim në ta.

📖 Ebu Ubejd el-Kasim, në "Fadail el-Kuran",
📌 Përktheu: Eralb Havolli

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët