Kur Islami e shkel shkencën – Gadishulli Arabik dikur ishte i gjelbër!

16
Apr

Kur Islami e shkel shkencën – Gadishulli Arabik dikur ishte i gjelbër!

🖇 Transmetohet nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

"Nuk do të ndodhë Kiameti derisa toka e Arabisë të rikthehet në livadhe të gjelbëruara dhe lumenj." (Sahih Ibn Hiban)

Fjala (العود) e ardhur në hadith nënkupton rikthimin e diçkaje në gjendjen që ka qenë më parë. Pra, kuptimi është se toka e Arabisë dikur ka qenë me livadhe dhe lumenj, dhe pas një periudhe kohe do të kthehet përsëri e tillë!

Në shekullin XX, shkenca moderne ka zbuluar diçka që i Dërguari ynë ﷺ e kishte përmendur shumë shekuj më parë. Së fundmi, në një studim të realizuar nga arkeologët e Universitetit Australian Griffith, janë hulumtuar shpellat në rajonin e Rijadit, ku në vitin 2019 u morën 22 mostra shkëmbore. Këto mostra dëshmojnë për praninë e bimësisë që kishte ekzistuar për një kohë të gjatë në Gadishullin Arabik.

“Detet e rërës që jemi mësuar t’i shohim nuk kanë qenë gjithmonë kështu,” thotë arkeologu Michael Petraglia, drejtor i Qendrës Australiane, në Universitetin Griffith.

Studime të detajuara janë kryer gjithashtu nga arkeologë të Universitetit të Maltës dhe universiteteve të tjera ndërkombëtare, të specializuara në fushën e arkeologjisë, të cilat njëzëri dëshmojnë se toka e Arabisë dikur kishte qenë një tokë e gjelbër dhe e pasur me lumenj. (Sipas raportimeve të National Geographic)

Dr. Salih Ahmed Rada thotë:

''I gjithë Gadishulli Arabik ka qenë i mbuluar me livadhe të gjelbëruara, dhe lumenjtë kanë rrjedhur me ujë të bollshëm. Madje edhe shkretëtira "Er-Rub’ el-Hali", e cila sot konsiderohet si një nga vendet më të thata në botë, është vërtetuar se përmban një numër liqenesh të thara dhe shtretër lumenjsh të mbuluar nën rërën e saj. Këto liqene kanë qenë të mbushura me jetë deri në kohën e popullit të Adit.''

''Ky popull ndërtoi në jug të Gadishullit Arabik një qytetërim që nuk krahasohej me asnjë tjetër të kohës së vet. Dhe Kur’ani na tregon se pejgamberi Hud ishte dërguar tek ata, i kishte këshilluar dhe i kishte përkujtuar për mirësitë e Allahut ndaj tyre (E ndër to edhe bimësinë dhe ujërat):

وَٱتَّقُوا۟ ٱلَّذِىٓ أَمَدَّكُم بِمَا تَعْلَمُونَ

Frikësojuni Atij, i Cili ju ka dhuruar ato që i dini:

أَمَدَّكُم بِأَنْعَـٰمٍ وَبَنِينَ

ju dhuroi juve bagëti dhe fëmijë,

وَجَنَّـٰتٍ وَعُيُونٍ

edhe kopshte, edhe burime. (Esh-Shu'ara': 132-134)

Këto të vërteta shkencore, njeriu nuk ka mundur t’i zbulojë veçse në fund të shekullit XX. Ndërkohë, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Nuk do të ndodhë Kiameti derisa toka e Arabisë të rikthehet në livadhe të gjelbëruara dhe lumenj.”

Atëherë, nga e kishte marrë këtë dije ai ﷺ për këto teori që janë zbuluar vetëm në kohët e fundit, nuk ka shpjegim tjetër përveçse ai ishte një Pejgamber i zgjedhur. Këtë dije ai e kishte marrë nga Allahu i Lartësuar, Krijuesi i qiejve dhe i tokës. Ai e përforcoi të Dërguarin e Vet ﷺ me këtë mrekulli që të jetë provë e qartë kundër mohuesve — në çdo kohë dhe në çdo vend.

📖 Kitab I'xhaz es-sunneh en-nebevijeh - Shejh Salih Ahmed Rada
📌 Përktheu dhe Përmbledhi: Eralb Havolli

 

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët