07
Apr
🖇Transmetohet se Ebu Seid el-Hudrij, radijAllahu anhu, ka thënë:
''Disa prej sahabëve të të Dërguarit të Allahut ﷺ u nisën në një udhëtim, derisa zbritën tek një fis nga fiset arabe. Kërkuan që të priteshin si mysafirë, por ata refuzuan t’i mikpritnin.
Ndodhi që kryetari i atij fisi u pickua (nga një akrep).
(Njerëzit) u përpoqën ta mjekonin me çdo gjë, por asgjë nuk i bëri dobi.
Disa prej tyre thanë: "Sikur të shkonit tek ata njerëz që kanë zbritur këtu afër, ndoshta ndonjëri prej tyre ka ndonjë gjë (për shërim).''
Shkuan tek ata dhe thanë: “O ju njerëz, kryetari ynë është pickuar. Provuam çdo gjë për ta mjekuar, por nuk pati dobi. A ka ndonjëri prej jush ndonjë gjë (për shërim)?.”
Njëri prej tyre tha: “Po, pasha Allahun, unë bëj rukje. Por, pasha Allahun, ne kërkuam të na prisnit si mysafirë dhe ju na refuzuat. Prandaj, nuk do të bëj rukje pa na dhënë një shpërblim.”
Kështu që, u morën vesh për një tufë me dele si shpërblim.
Ai shkoi dhe i fryu: ''Elhamdulil-lahi rabbil-alemin'' (i bëri rukje me suren Fatiha!)
(Kryetari i fisit) u ngrit dhe filloi të ecte, pa ndier asnjë dhimbje, sikur të ishte zgjidhur një nyje. Kështu që u dhanë atyre shpërblimin për të cilin ishin marrë vesh.
Disa (nga sahabët) thanë: “T’i ndajmë (delet)."
Ai që bëri rukjen tha: “Jo, nuk do të veprojmë asgjë derisa të shkojmë tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe t’i tregojmë çfarë ndodhi, për të parë çfarë na urdhëron.”
Shkuan tek i Dërguari ﷺ dhe ia treguan ngjarjen.
Ai tha: “E ku e dije ti se ajo është rukje?”
Pastaj tha: “Ja keni qëlluar (saktë), ndajeni (shpërblimin) dhe më jepni edhe mua një pjesë.” – dhe qeshte i Dërguari i Allahut ﷺ!
Këtë hadith e transmeton Buhariu dhe Muslimi
🖇 Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
''Ky ilaç (Surja Fatiha), ndikoi në këtë sëmundje dhe e zhduku atë sikur të mos kishte ndodhur fare. Është ilaçi më i lehtë dhe më i thjeshtë (të gjithë mund ta përdorin).''
''Po ta përdorte robi Suren Fatiha me bindje dhe përkushtim si ilaç, do të vërente efekte të jashtëzakonshme në shërim.''
''Unë qëndrova në Mekë për një kohë, dhe isha i sëmurë. Nuk kisha as ilaç, as mjek. Kështu, fillova të mjekoja veten me Suren Fatiha dhe ndjeja një efekt të habitshëm. Ia rekomandoja këtë edhe të tjerëve që kishin dhimbje – dhe shumë prej tyre shëroheshin shpejt.''
📖 Ibn Kajjim el Xheuzije në "Ed-Da ued-Deua"
📌 Përktheu: Eralb Havolli