Festat e muslimanëve

25
Jun

Festat e muslimanëve

Kur i Dërguari (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem!) mbërriti në Medinë pa që banorët kishin dy ditë të caktuara gjatë të cilave dëfreheshin. I Dërguari (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem!) u tha: "Allahu ua ka zëvendësuar ato dy ditë me dy festa më të mira se ato: me Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin." [Ebu Davudi, nr. 1134; Nesaiu, nr. 1556. Sahih, thotë Shejh Albani]. Pra, këto dy festa argëtimi e dëfrimi, Allahu i zëvendësoi me dy festa dhikr-i, falënderimi, mëshire e faljeje. Për aq sa janë në këtë botë, besimtarët kanë tri festa: njëra përsëritet në çdo javë, kurse dy të tjerat vijnë vetëm një herë në vit pa u përsëritur. Festa që përsëritet është dita e xhuma, që është festa e javës, e cila është rezultat i plotësimit të namazeve të obliguara të javës. Pjesëmarrja në namazin e xhumasë ngjan me haxhin. Është përcjellë se xhumaja është haxhi i të varfërve. Ndërsa për sa i përket dy festave të cilat përsëriten në çdo vit, ku secila prej tyre vjen vetëm një herë në vit, janë:

E para: Fitër Bajrami - fill pas mbarimit të ramazanit, që është rezultat i plotësimit të ramazanit, që është shtylla e tretë e Islamit.

E dyta: Kurban Barjrami, që është më i madh dhe më me vlerë se i pari, dhe është rezultat i mbarimit të haxhit. Haxhi përbën shtyllën e katërt të Islamit. Pra, kur muslimanët plotësojnë haxhin u falen mëkatet. Haxhi plotësohet me Arafatin dhe qëndrimin aty. Arafati është shtylla kryesore e haxhit, siç thotë dhe i Dërguari (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem!): "Haxh është qëndrimi në Arafat."[Tirmidhiu, nr. 889; Nesaiu, nr. 3016; Ibn Maxhe, nr. 3015. Sahih, thotë Shejh Albani].  Dita e Arafatit është dita e lirimit nga Zjarri. Atë ditë Allahu liron nga Zjarri ata që qëndrojnë në Arafat, por dhe ata muslimanë që nuk ndodhen në Arafat, por në vende të ndryshme. Për këtë arsye dita pasardhëse është festë për të gjithë muslimanët, për ata që kanë qenë në haxh dhe për ata që nuk kanë qenë, meqë i bashkon lirimi dhe falja në Ditën e Arafatit.

Haseni thotë: "Çdo ditë që nuk i bëhet mëkat Allahut është festë. Çdo ditë që besimtari e kalon në adhurim, në dhikr dhe falënderim ndaj Mbrojtësit të vet, ajo ditë është festë për të."

Duke qenë se Kurban Bajrami është më i madh dhe më i vlefshëm për shkak të pozitës që gëzon vendi dhe koha për haxhilerët, ai shoqërohet edhe nga disa festa para dhe pas tij. Përpara është festa e Arafatit, ndërsa më pas janë ditët e teshrīk-ut. Të gjitha këto ditë janë festë për haxhilerët. Kjo vërtetohet nga hadithi që përcjell Ukbeh ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se i Dërguari (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem!) ka thënë: "Dita e Arafatit, Dita e Kurban Bajramit dhe ditët e teshrīk-ut janë festë për besimtarët; janë ditë për ngrënie dhe pirje."[Ebu Davudi, nr. 2419, Tirmidhiu, nr. 773, dhe Nesaiu, nr. 3004, ndërsa Tirmidhiu e vlerëson si autentik (sahih)]. Për këtë arsye, për haxhilerët nuk është e ligjshme të agjërohet Dita e Arafatit, sepse ajo është festa e parë dhe tubimi më i madh. Njerëzit e kanë parë Profetin (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem!) duke ngrënë Ditën e Arafatit. Përcillet se ai e ka ndaluar agjërimin e Ditës së Arafatit për ata që ndodhen në Arafat. Tregohet se Sufjan ibn Ujejne qe pyetur për arsyen e kësaj ndalese, dhe ai pat thënë se "ata janë vizitorët dhe mysafirët e Allahut; kështu që nuk është e drejtë për Fisnikun t'i mbajë të uritur mysafirët e Tij.” Këtë domethënie gjen edhe te dy bajramet dhe te ditët e teshrīk-ut; sepse të gjithë njerëzit e pranishëm në gostinë e Allahut, sidomos në ditën e Kurban Bajramit, hanë nga mishi i kurbaneve të tyre; qoftë ata që janë në haxh e qoftë ata që nuk janë.

Ditët e teshrīk-ut janë tri, dhe janë ditë të Kurban Bajramit. Për këtë arsye, i Dërguari (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem!) çoi dikë në Mekë që t'i njoftonte njerëzit se ato janë ditë ngrënieje, pirjeje dhe dhikr-i; pra, të mos i agjërojë askush. Ndodh që dy festa të bashkohen në një ditë të vetme, si, fjala vjen, dita e xhuma me Ditën e Arafatit, ose me Ditën e Kurban Bajramit. Kështu asaj dite i shtohet respekti/shenjtëria dhe vlera për shkak të përkimit të dy festave. Kjo i ka ndodhur edhe të Dërguarit (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem!), kur gjatë haxhillëkut të tij, Dita e Arafatit qëlloi të ishte në ditën e xhuma, dhe në lidhje me këtë zbriti ajeti: "Sot jua përsosa fenë tuaj, plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj." (El-Māide, 3).

Ibn Rexheb
Leatif el Mearif 187-189

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët