Ti dhe Kur’ani- thënie të urta dhe këshilla praktike rreth trajtimit të Kur’anit 

13
Jul

Ti dhe Kur’ani- thënie të urta dhe këshilla praktike rreth trajtimit të Kur’anit 

Abdullah Ibn Mes'udi këshilloi:
"Kërko zemrën tënde (D.m.th. testo gjallërinë e saj) në tri gjëra: në leximin e Kuranit, në vendtubimet ku përmendet Allahu, dhe në veçim tënd me Zotin. Nëse nuk e gjen në këto gjëra, atëherë lute Zotin të ta dhurojë një zemër (ngase ajo që ke, të ka vdekur)."[el-Fewaid, fq. 148]

Kjo thënie e urtë e këtij njeriu të mençur mund të shërbejë si standardi i kërkuar i gjallërisë së zemrës, ku si kriter kryesor gjejmë të jetë leximi i Kuranit. Dhe natyrisht së me lexim këtu si qëllim është përjetimi i porosisë gjatë leximit dhe ndikimi i pastajmë i tij.

Hasan el-Basriu tregoi: "Ata që ishin para jush (sahabët), e trajtuan këtë libër si një mesazh që u erdh nga Zoti i tyre. Ata reflektonin rreth (mesazhit të) tij gjatë natës, ndërsa ditën inspektonin gjendjet e tyre me anë të tij."[et-Tibjan li Adabi Hameleti-l-Kur'an, fq. 54]

Kjo, pra, ishte mënyra e trajtimit të Kuranit e të parëve në besim. Ata nuk e trajtonin thjesht si një libër të shenjtë, që nuk bën ta prekësh sido e kurdo, e as vetëm si një prej mundësive të përfitimit të sevapeve me leximin e shkronjave të tij. Ajetet e tij ata i trajtuan si mesazhe dhe i përhapnin vazhdimisht në mesin e njerëzve, në mënyrë që, nëpërmjet reflektimit, të kuptohej çfarë kërkonte prej tyre Ai që ua dërgoi. Ndryshe nga kjo, nëse ndokujt prej nesh do t'i alarmonte telefoni për ndonjë njoftim, ai sigurisht se do të shpejtonte që ta hapte për të parë kush e ka dërguar dhe çfarë ka kërkuar. Edhe më me zell do ta hapte telefonin, nëse do të ishte duke pritur ndonjë lajm të rëndësishëm; atëherë, me siguri, nuk do ta lëshonte telefonin nga dora, prej frikës se mos po i ikën mesazhi. Pra, e tëra ka të bëjë me të kuptuarit e drejtë të këtyre mesazheve dhe rëndësinë që ka për ne dërguesi i mesazheve. Për të parët tanë nuk kishte asgjë më të rëndësishme sesa të kuptuarit e drejtë të asaj çfarë kërkonte Zoti prej tyre, ndërsa në kohën tonë, me sa duket, kemi një renditje tjetër në prioritetet e leximit të mesazheve.

Ibn Kajjimi thotë: "Kur lexuesi i Kuranit të kalojë nëpër ndon ajet që i duhet për shërimin e zemrës dhe përmirësimin e vetvetes, duhet që ta përsërisë leximin e atij ajeti qoftë dhe njëqind herë. Leximi i një ajeti me reflektim dhe përpjekja për ta kuptuar drejt është më i dobishëm për të, sesa një hatme e tërë, gjatë së cilës ai nuk reflekton fare e as nuk kupton ndonjë gjë. Pikërisht leximi i Kuranit me reflektim dhe të kuptuarit e asaj që lexon është ajo, që i bën dobi zemrës dhe mundëson shijimin e ëmbëlsisë së besimit."[Miftahu dari seade 1/187].

Kjo thënie nuk duhet assesi të zbehë interesimin për të lexuar Kurani qoftë dhe vetëm për të bërë hatme, sidomos në kohët e vlefshme si muaji ramazan, dita e xhuma, etj. Porosia e kësaj thënieje është se nuk bën të mjaftohemi vetëm me lexim duke e bërë leximin qëllim në vete ose sa për të bërë garë se kush po e përfundon më shpejt dhe më shpesh leximin e Kuranit.

Hoxhë Enis Rama, Ndikimi i Kuranit, fq. 121-124

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët