Rregullat e të porsalindurit dhe akikas
بسم الله الرحمن الرحيم
Me emrin e Allahut, Mëshirëplotit, Mëshiruesit
Lexues i nderuar,
Në këtë artikull do të gjeni disa rregulla që duhet pasur parasysh në raport me fëmijën e porsalindur dhe akikën që theret për të.
- Duaja për fëmijën që Allahu ta ruajë nga shejtani, dhe kjo duke u argumentuar me lutjen e gruas së Imranit për vajzën e saj, Merjemen: “O Allah, ruaje atë nga shejtani i mallkuar!” (shih: Ali Imran, 35-36).
- Pëlqehet të lajmërohen dhe t’u jepet myzhde njerëzve për lindjen e fëmijës, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Madhërishëm për Ibrahimin: “Dhe atë (gruan e Ibrahimit) e përgëzuam me Is'hakun e pas tij Jakubin.” (Hud, 71), dhe ajetin tjetër: “... Allahu të përgëzon ty (o Zekerija) me Jahjën...” (Ali Imran, 39)
- Është e pëlqyer që kur dikujt prej muslimanëve t’i lindë një fëmijë, të bëhet lutje që Allahu ta bekojë, ta bëjë të begatshëm dhe lutje të tjera të mira.
- Pëlqehet këndimi i ezanit në veshin e djathtë dhe ikameti në veshin e majtë. Kjo, duke u argumentuar me hadithin e Ebu Rafiut – Allahu qoftë i kënaqur me të, - i cili ka thënë: “E kam parë Pejgamberin ﷺ t’ia këndojë ezanin në vesh Hasanit të birit të Aliut kur Fatimja e kishte lindur.” (Shënon Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
- Lejohet të bëhet aheng në ditën e lindjes. Transmetohet se Muavi ibn Kurreh – Allahu e mëshiroftë! - ka treguar: “Kur më lindi Ijasi, i ftova disa shokë të Pejgamberit ﷺ dhe u shtrova ushqim…” (Buhariu, Edeb el-mufred, 1255)
- Pëlqehet praktikimi i “tahnikut”. “Tahnik” do të thotë: të përtypet një hurmë dhe me pështymën e përzier me lëngun e saj t’i fërkohet goja fëmijës. Argument i kësaj është transmetimi i Ebu Musa Eshariut – Allahu qoftë i kënaqur me të! – ku ka thënë: “Më lindi një fëmijë dhe e çova te Pejgamberi ﷺ. Ai ia vuri emrin Ibrahim dhe mori një hurmë, të cilën e përtypi dhe me lëngun e saj ia fërkoi qiellzën. Pastaj u lut që ai të bëhet i begatë dhe ma ktheu.” (Buhariu, 6198)
- Dërgimi i fëmijës tek dikush që shpresohet se i pranohet duaja, që të lutet për të, siç transmetohet se përveç Pejgamberit ﷺ që ia binin fëmijët për t’u lutur për ta, ia sillnin edhe Aishes.
- Është e pëlqyer që foshnjës djalë t’i rruhen flokët dhe të jepet sadaka aq sa peshojnë flokët e tij në vlerë të arit apo argjendit ose një sadaka çfarëdo qoftë (sqarim: merren flokët e fëmijës dhe peshohen, pastaj për aq gram sa kanë peshuar, jepet sadaka në vlerë të arit apo argjendit). Kurse foshnjës femër nuk i rruhen flokët. Argument për këtë është transmetimi i Aliut – Allahu qoftë i kënaqur me të! – i cili tregon se, kur kishte lindur Haseni, Pejgamberi ﷺ i kishte thënë Fatimes: “Rruaja flokët dhe jep sadaka aq sa peshojnë flokët në vlerë të argjendit.” (Tirmidhiu, 1519)
- Pëlqehet t’i lyhet foshnjës koka me parfum pasi t’i rruhen flokët ose me diçka që ka aromë të mirë (si shamponë të caktuar të përshtatshëm për fëmijë). Transmetohet se Burejde – Allahu qoftë i kënaqur me të! – ka thënë: “Në kohën e injorancës, kur na lindte ndonjë fëmijë, e thernim një dele dhe ia lyenim kokën fëmijës me gjakun e saj, por, kur Allahu e solli Islamin, thernim dele, ia rruanim fëmijës kokën dhe ia lyenim me parfum.” (Ebu Davudi, 2843)
- Emërtimi: lejohet emërimi në ditën e parë ose të tretë deri në ditën e shtatë, ditën e akikas, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit ﷺ : “Më ka lindur sonte një djalë dhe ja vura emrin e babait tim Ibrahimit.” (Muslim, 6025); Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Emrat më të dashur për Allahun e Lartësuar janë: Abdullah dhe Abdurrahman.” (Ebu Davud, 4949); Ai, po ashtu, ka thënë: “Emërtoni me emra të pejgamberëve.” (Ebu Davudi, 4950)
- Synetimi: kjo është prej suneteve të natyrshmërisë, për të cilat i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sunetet e natyrshmërisë janë pesë: synetimi, rruajtja e pjesëve të turpshme, shkurtimi i mustaqeve, prerja e thonjve dhe shkulja e nënsqetullave.” (Buhariu, 5891) Njashtu, kur Pejgamberit ﷺ i erdhi një person dhe i tha: “O Pejgamber i Allahut jam bërë musliman.” Ai ia ktheu: “Hiqi, pra, qimet e kufrit dhe bëhu synet!” (Ebu Davudi, 356) Sa i përket kohës së synetimit, ka mendim që të bëhet në ditët e para të javës së parë të lindjes, apo se mund të bëhet deri në kohën para hyrjes në pubertet, mirëpo më e pëlqyera është dita e shtatë, duke u argumentuar me hadithin e Xhabirit – Allahu qoftë i kënaqur me të! - ku thotë: “Pejgamberi ﷺ theri akika për Hasenin dhe Husejnin dhe i bëri synet në ditën e shtatë.” (Bejhekiu, 8/324)
- Akika quhet kurbani që theret për fëmijën e porsalindur. Prerja e akikës llogaritet sunet i fortë. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo fëmijë është peng i akikës së vet, e cila theret në ditën e shtatë, emërtohet dhe i rruhen flokët.” (Ebu Davudi, 2838) Ai, njashtu, ka thënë: “Nuk më pëlqen pabindja (el-ukuk). Atij që i lind ndonjë fëmijë dhe dëshiron të therë kurban për të, le ta bëjë: për djalë, dy desh, e për vajzë, një.” (Imam Ahmedi, 6822)
- Koha e therjes së akikës: Burejde – Allahu qoftë i kënaqur me të! – transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Akika theret në ditën e shtatë, apo të katërmbëdhjetën apo të njëzet e njëtën.” (Bejhekiu, 9/303) Pra, më e pëlqyera është therja e akikës në ditën e shtatë, nëse kjo i ikën, atëherë në ditën e katërmbëdhjetë, e nëse edhe kjo i ikën, atëherë në ditën e njëzet e një. Por, nëse për shkak të rrethanave nuk arrin ta therë në asnjërën nga këto ditë, atëherë mundet ta therë kurdo, sa më herët aq më mirë.
- A lejohet që njeriu të therë akika për veten e tij, në rast se prindërit e tij nuk kanë therur për të?
Enesi – Allahu qoftë i kënaqur me të! – tregon se Pejgamberi ﷺ kishte therur akika për veten e tij, pasi ishte bërë pejgamber. (Taberaniu në Eusat, 1/994) Atai ibn Ebu Rebahu, Hasen Basriu dhe Muhamed ibn Sirini kanë thënë se është e pëlqyer që njeriu të therë akika për veten e tij, në rast se prindërit e tij nuk kanë therur.
Përmbledhje:
Menjëherë pas lindjes:
- Pëlqehet përgëzimi (myzhdeja) dhe lajmërimi i njerëzve.
- Pëlqehet këndimi ezanit në veshin e djathtë me zë të ulët dhe ikameti në të majtin.
- Pëlqehet tahniku me një hurme apo diçka të ëmbël.
Në ditën e shtatë:
- I rruhen flokët foshnjës djalë dhe jepet sadaka sipas peshës së flokëve në ari ose argjend.
- Emërtimi (lejohet edhe prej ditës së parë).
- Synetimi (lejohet edhe në ditën 14, 21 apo edhe më vonë).
Akika:
- Është sunet i fortë, prehet në ditën e shtatë, katërmbëdhjetë apo njëzet e një, po ashtu lejohet edhe më vonë;
- Për femrën theret një dele apo dhi, për mashkullin dy dele apo dhi;
- Prindi e ka borxh ndaj fëmijës ta presë akikën për të.
Përmbledhje nga libri: “El-ifade bima jushra’ fi’luhu ejjam el-vilade”