Muslimani i madh, në udhëkryqe të vogla! 

30
May

Muslimani i madh, në udhëkryqe të vogla! 

Para disa ditësh më pyeti një mik i vjetër diçka, në lidhje me një debat fetar të zhvilluar diku në një sokak prej sokaqeve të dunjasë. Njëri i kishte thënë tjetrit, e tjetri-tjetrit. Ai ishte përgjigjur në përgjigjen me kunja. Tjetri ishte zemëruar e kishte sharë e nënçmuar të tjerët, të tjerët ishin nevrikosur dhe gjithçka kishte përfunduar aty edhe ku ishte nisur: në Asgjëkund. 

Thashë, vet me vete, qëkur muslimanët debatojnë në sokaqe të dunjasë për çështje madhore islame? Pse dituria nuk dëshiron bashkëpunim me ‘’muslimanin bashkëkohor’’. Nuk dëshiron sepse muslimanit bashkëkohor e ka harruar diturinë rrugës për t’u përkryer si njeri, apo nuk e ka marrë fare? Pyetjeve të shumta, natyrisht që nuk mund t’i gjeja përgjigje në sokaqe.. as nga ata që debatojnë në sokaqe e as ata që rruga i ka mësuar ‘diturinë’.. përgjigjja për pyetjet e mëdha, gjendet tek njerzit e mëdhenj. E, a ka njerëz më të mëdhenj sesa dijetarët muslimanë? 

Vëllau im i dashur musliman, dijetari të pati porositur me dhjetra herë, të mos merresh me atë që ka qëllim të merret me ty, sepse ai që është i sinqertë merret me të Vërtetën e jo me krijesat, me ty, mua, tjetrin, tjerët. Ai që e tha këtë fjali me peshë, është në errësirën e dunjasë e në dritën e ahiretit. Fjala e tij rron ende, edhe nëse Abdulazizi jo. 

Merr ilaçet e zemrës dhe bëhu serioz, se je musliman i madh dhe barrën që e ke në qafë me këtë epitet, nuk i ka hije dikujt ta bartë e që zemra e të cilit nuk dergjet për t’i shërbyer Allahut dhe rrugës së Tij. Njësoj si i urituri që dërgjet për ushqim e pije, pas qindra kilometrave nën zjarrmin e diellit, ashtu edhe muslimani dergjet për diturinë, qoftë në pasuri e varfëri, të të nxehtë e në të ftohtë, në rini e në pleqëri. Muslimani është i madh, jo pse është meritor në atë që është si krijesë, por sepse mbi të është vënë kapela e krenarisë, mirësia, e Vërteta, Dituria. 

Nga të kuptuarit e fesë, është mënyra sesi ecë muslimani dhe mënyra sesi takon e përshëndet dijetarët – thonte Ebu Derda. Pyet vetën, a i takon muslimanit të përshëndet dijetarët në sokaqet e dunjasë, të shpifë e të genjejë për ta? A të takon gjykimi ty për veprimet e tjetrit gjersa ti nuk ke vendosur akoma për vetën tënde një rrugë të qartë? Kush je ti, nëse në dorën e zullumqarëve ke vënë jetët e muslimanëve për të vënë në dorën tënde dinarin? Kush je ti, atëherë? Ose thënë më mirë, çfar ka mbetur në ty pastaj? 

Mëso të pyetësh, të jesh i edukuar mirë dhe të jesh i butë edhe kur pyet një njeri të zakonshëm. Mëse të pyetësh sepse gjysma e diturisë gjendet aty, ndërsa gjysma tjetër është qetësia e aftësia mendore. Dëshiron të mbetesh tërë jetën duke shkelur udhëkryqet e dunjasë për të kërkuar se më kë të debatosh për gjërat që vet nuk i di mirë? Dëshiron të mbetesh në qorrsokak, duke i nënvlerësuar dijetarët e bashkë me nënvlerësimin ndaj tyre ta nënvlerësosh edhe ahiretin?  

Ku mbeti autoriteti i muslimanit, kur nënçmon vëllezërit e tij? 

Ku është krenaria e muslimanit, nëse dëshiron të mësojë dije, të thyej gunjët pas dijetarëve, ndërsa i mungon edukata. A nuk të këshilloi El Bushenxhiu kur të tha, - Kush dëshiron të mësojë dijen pa mësuar eduktën, ka kaluar në genjeshtra ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij? A nuk të porositi Imam Shafiu, - Mësoje edukatën siç kërkon një nënë djalin e saj që i ka humbur? 

Muslimanëve u ka humbur dituria duke qëndruar në udhëkryqe dhe grindje boshe. Në vend se të kërkojnë për ‘’djemtë e humbur’’, kanë vajtur e kanë humbur bashkë me ta. Edukata jote, o musliman, arrihet me punë, synime të larta, durim e ngulmim, arrihet me shpresa të mëdha e ëndrra.  

A nuk të mjaftojnë tërë këto dituri të transmetuara ndër vite tek ti? Fudajl ibn Ijadit i mjaftoi një ajet për tu penduar, El Mutenebit i mjaftoi një përkujtim nga shërbëtori për të mos e lënë fushbetejën, të zemëruarit i mjaftoi heshtja si ilaç,  falja i mjaftoi si hakmarrje Zejnul Abidinit, e ty çfar të bën për t’u penduar pas gjithë kësaj kohe për kohën e çuar dëm? Për netën në debate të shtjerrura, për ofendimet, për lëshimin e fushëbetejës me të keqën, me zemërimin me vëllëzërit e dijetarët, me hakmarrjet boshe, pa shkas? 

Zgjohu, se jeta jote është vlerë instrumentale, nuk ka vend për materializëm e Perëndim bashkëkohor në të. Udhëtimi yt drejt diturisë është domosdoshmëri, është pastërti, besim, fuqi, krenari, madhështi. Mungesa e saj, të vëndos në udhëkryqe të tjera, të tjetërson nga përsosmëria burimore që ta dha Allahu. 

Zgjohu, me optimizëm zgjohu. Merr pak ‘’jetë’’ nga optimizmi i Musait edhe kur Faraoni po e ndiqte, ik nga mendimi i keq për Allahun siç iku Musai në Medjen, ik nga rrugaçëria e debatet me injorantë por mos ik asnjëherë nga mendimi pozitiv për Allahun, planin përfekt dhe Madhështinë e Tij. 

Më trego,  

A i takon muslimanit të mos ketë ambicie të mëdha? 
A i takon muslimanit të mos jetë serioz në punën e tij? 
A i takon muslimanit të mos jetë entuziast dhe të mos përpiqet? 
A nuk porositi Mësuesi i njerëzimit mbarë për optimizëm e kundër tersit? 
A nuk drejton feja në optimizëm? 
 
Zgjohu! 

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët