Edhe problemi yt ka zgjidhje

02
Jul

Edhe problemi yt ka zgjidhje

 -S'ka dyshim që secili nga ne kalojmë nëpër situata të atilla ku problemet na duken që nuk kanë zgjidhje, krizat nuk kanë rrugëdalje, hallet dhe brengat nuk kanë fund... Këto situata shkaktohen nga faktorë të ndryshëm, nganjëherë është vetë gjendja emocionale nëpër të cilën kalojmë, por ndodh që të jetë edhe si pasojë e vetë veprave tona. Kur funksionon ndërgjegjja e njeriut, ajo vërtet krijon një zymtësi në rast se njeriu nuk ka bërë vepra të mira sa duhet, apo i ka dhënë vetes liri të tepruar në gabime dhe mëkate. Në rrethana të këtilla ana djallëzore përpiqet ta ushtrojë ndikimin e vet ashtu që mos ta lejojë njeriun të kthehet te Allahu Fuqiplotë. Vërtet, mëkati është ai, i cili krijon distancë mes njeriut dhe mëshirës së Allahut, por në asnjë mënyrë ajo distancë nuk duhet lejuar që të rritet.

Përkundrazi ajo duhet të zvogëlohet, ndërsa këtë mundësi Allahu na e jep në vazhdimësi duke na thirrur që të pendohemi tek Ai.

Allahu i Madhërishëm na thërret plot dashamirësi:

"Dhe pendohuni tek Allahu të gjithë, o ju besimtarë, nëse doni shpëtimin. " [En-Nur, 31].

Pra, kur njeriu ndodhet i mbërthyer në vorbullën e mëkateve, ndoshta i duket se gjendja e tij është pa rrugëdalje, megjithatë i Gjithëmëshirshmi kujdeset edhe në situatën e këtillë për robin e Tij. Allahu nuk heq dorë nga njeriu edhe kur ai mëkaton, harron, shkujdeset dhe kur nuk është i përpiktë.

Njëherë e pyetën Ali ibën Ebi Talibin, Allahu qoftë i kënaqur me të: "Ç'ndodh nëse e bëjmë një mëkat dhe pendohemi për të."

Ai u përgjigj: "Kjo është gjë e mirë ngase Allahu e fal atë që pendohet."

Pastaj e pyetën: "Po nëse e përsërisim të njëjtin mëkat?"

Ai tha: "Duhet ta ripërtërini përsëri pendimin."

Pyetën prapë: "Po nëse e përsërim?"

Ai vazhdoi: "Përsëri duhet të pendohemi."

Derisa pyetësi i tha: "Deri kur kështu?"

Ai përfundoi: "Derisa shejtani të mos heqë dorë nga cytja dhe nxitja që ju të mëkatoni, atëherë as ju mos hiqni dorë nga insistimi që Allahu Fuqiplotë t'ju falë."

Ndodh që disa njerëzve përsëritja e mëkatit dhe ripërtëritja e pendimit t'iu duket një lloj loje. Megjithëse kjo në relacionet ndërnjerëzore mund të duket si mungesë serioziteti, në relacion me Allahun numri i mundësive nuk është i kufizuar, që i bie se nëse i harxhojmë mund të mbetemi në qorrsokak. Përkundrazi, Allahu pas secilës krizë, pas secilit mëkat dhe gabim, ta ofron një mundësi të re dhe kështu që dështimi më i madh është që njeriu ta konsiderojë se i ka harxhuar të gjitha mundësitë dhe ofertat.

Prandaj, brengën e pyetësit "E deri kur kështu...?", duhet kuptuar saktë nga përgjigjja e Aliut: "Derisa shejtani të mos heqë dorë nga cytja dhe nxitja që ju të mëkatoni, atëherë as ju mos hiqni dorë nga insistimi që Allahu Fuqiplotë t'ju falë."

vërtet e Prandaj, ti o vëlla i nderuar dhe motër e nderuar, nëse të duket vetja ke tepruar me vepra të liga, me gjërat, të cilat Allahu i Plotfuqishëm nuk i do, me të cilat ti nuk krenohesh dhe nuk ndihesh komod nëse del para Allahut me këto vepra, vetëm këtë gjë kuptoje: "Dera e pendimit nuk mbyllet asnjëherë, derisa e ke shpirtin dhe komoditetin e jetës, derisa nuk ka ardhë koha e Kijametit të vogël apo të madh, dera e pendimit është e hapur dhe për t'u penduar nuk është asnjëherë vonë. Mos lejo që të të manipulojë djalli i mallkuar duke ta humbur këtë mundësi! Neve na mjafton që djalli t'na shtyjë që herë-herë të mëkatojmë, mirëpo kjo nuk nënkupton që ta lejojmë t'na shkëputë nga lidhja jonë me Allahun Fuqiplotë, e as që t'na humbë shpresën nga mëshira e Tij.

Ekrem Avdiu  “Rrëfimi për mëshirën e Zotit”, fq. 59-63.

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët