27
Sep
Me Emrin e Allahut, të Mëshirëplotit, Mëshiruesit!
Lavd i qoftë Allahut, i Cili na udhëzoi për ta pasuar zotërinë e Pejgamberëve; na ndihmoi me udhëzim drejt të vërtetave të kësaj feje dhe na lehtësoi të ecim nëpër gjurmët e paraardhësve tanë të devotshëm derisa zemrat tona u mbushën me dritat e fesë dhe sqaruesit e qartë të së vërtetës, dhe na pastroi brendësitë tona nga prekja e tyre prej risive e shpikjeve në fe!
Atë e lavdëroj për dritën e bindjes që na dhuroi dhe Atë e falënderoj që kapjen për litarin më të fortë na mundësoi! Dëshmoj se s’ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, të Vetmit, të pashoq, dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, zotëria i të parëve dhe të fundit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të, familjen e tij, shokët e tij, si dhe bashkëshortet e tij të dëlira nëna të besimtarëve, deri në Ditën e Gjykimit!
E, më pas...
Tashmë është përsëritur mjaft shpesh pyetja e disa të nderuarve në lidhje me një tubim që disa njerëz e bëjnë në muajin Rabiul Evel (1), të cilin e quajnë “mevlud”: A ka ndonjë bazë në fe? Apo është thjesht një risi dhe shpikje në fe?
Them, duke iu mbështetur Allahut për sukses: “Nuk di të ketë ndonjë argument në Kuran apo sunet për mevludin, (2) e as është përcjellë ndonjëherë nga dijetarët e umetit se dikush e ka vepruar më parë. Ndërkohë, ata janë modeli ynë në fe, ata i janë përmbajtur gjurmëve të të parëve. Përkundrazi, një gjë e tillë është bidat (risi) të cilin e kanë shpikur të pavlerët (3), është pasim i egos me të cilin kërkuan të pasurohen grykësit, duke pretenduar se: “Kur po e fusim këtë nëpër pesë dispozitat bazë, po na del se: Ja është obligim, ja e preferuar, ja e lejuar, ja e urryer, ja e ndaluar.”
Por, ja që, kjo as nuk është obligim (vaxhib), me njëzëshmëri (të dijetarëve), as e preferuar (mendub), ngase definicioni i të preferuarës është: ajo që sheriati e ka kërkuar, pa e qortuar lënësin e saj; Pra, kjo (mevludi) është diçka që, as e ka lejuar sheriati, as e kanë bërë sahabët apo tabiinët, e as dijetarët e devotshëm pas tyre – në bazë të asaj që kam njohuri –, dhe kjo do të jetë përgjigja ime para Allahut të Lartësuar, po u pyeta për këtë.
E, as nuk konsiderohet si e lejuar (mubah), sepse risia (bidati) në fe, me njëzëshmëri të dijetarëve, nuk është e lejuar.
Rrjedhimisht, s’mbetet tjetër pos të jetë e urryer (mekruh) ose e ndaluar (haram), gjë që sjell diskutimin rreth kësaj çështje në dy situata, të cilat dallojnë nga njëra-tjetra:
E para: Që këtë ta veprojë njeriu me pasurinë e tij, me familjen, shokët ose të afërmit e tij, ku gjatë një tubimi të tillë nuk bëhet diçka më shumë sesa ngrënia e ushqimit së bashku, pa veprim të gjynaheve: kjo është ajo të cilën ne e quajmë bidat i urryer, madje ligësi e madhe, ngase një gjë të tillë nuk e ka bërë askush nga njerëzit që pasojnë të devotshmit, ata që njihen si njerëzit që e kanë kuptuar Islamin më së miri, dijetarët e njerëzimit, yjet e kohërave dhe zbukuruesit e ndejave.
E dyta: Që t’i fusin në këto ndeja edhe gjynahet, të mbledhin forcat dhe përkushtimin për këtë, saqë kur ndokujt prej tyre i dhurohet diçka, ai jepet me shpirt pas asaj gjëje, ndonëse zemra e tyre e ndjen dhembjen dhe plagët (e atij gjynahu), për shkak se padrejtësia sjell dhembje, e, për këtë edhe dijetarët kanë thënë: “Marrja e pasurisë me paturpësi është njëjtë si grabitja e saj me shpatë;” Sidomos, nëse kësaj i bashkëngjitet edhe këndimi, me barqe të mbushura e instrumente të pavlera, me def e klarinetë, të tubuar së bashku burra në moshë, djelmosha të moshave të reja dhe gra këngëtare, qoftë të përzier apo duke u shërbyer, duke i shtuar kësaj edhe vallëzimin duke dridhur trupin, të zhytur në kotësi, duke harruar krejtësisht Ditën së cilës duhet t’ia kemi frikën. (4)
E njëjta vlen edhe për gratë, të cilët tubohen (për këtë ditë) duke ngritur zërat e tyre, duke u zhytur në këndime, e duke tejkaluar kufijtë e asaj që lejohet fetarisht në fjalët dhe gjërat që përmendin aty, duke dalë krejtësisht nga e zakonshmja, të pavëmendshme ndaj Fjalës së Allahut:
إِنَّ رَبَّكَ لَبِالمِرصادِ
“Vërtet, Zoti yt është në pritë.” (Fexhr, 14)
Pra, kjo është ajo për të cilën s’ka dilemë se është haram, dhe askush që ka mendje të shëndoshë nuk e merr për të mirëqenë, por atë e lejojnë vetëm ata që zemrat u kanë vdekur, e të cilët se kanë dert shtimin e gjynaheve e mëkateve, madje, shkojnë deri aty sa që e llogarisin adhurim, as të urryer e as haram.
Të Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi.
“Islami ka filluar i huaj (me pak njerëz) dhe do të kthehet i huaj, ashtu siç ka filluar.” (5)
Imami Ebu Amër ibn Alai (Allahu e mëshiroftë!) e ka thënë bukur:
“Njerëzit do të vazhdojnë të jenë në mirësi, përderisa çuditen nga gjërat e çuditshme.”
E, përveç këtyre që i thamë, muaji në të cilin ka lindur Pejgamberi ﷺ – që quhet Rabiul Evel – është po i njëjti muaj në të cilin ka vdekur, andaj gëzimi gjatë këtij muaji nuk e tejkalon dot mërzinë.
Ajo që na mbetet të themi është: Prej Allahut të Lartësuar kërkojmë pranim të mirë!
Autor: Imam Ebu Hafs Taxhudin Fekahaniu
Përshtati në gjuhën shqipe: Hekuran Helshani
(1) Ndonëse ka mospajtim mes dijetarëve në lidhje me ditën e saktë të lindjes së Pejgamberit, ﷺ.
(2) Sa i përket argumentimit me agjërimin e ditës së Ashurës (në shenjë solidarizimi me fitoren e Musait ndaj Faraonit), një gjë e tillë është e pabazë, ngase dijetarët e shkencave të bazave të argumentimit (Usul) kanë shprehur qartë nëpër librat e tyre se është obligim i çdonjërit që hedh shikimin në një argument të mundshëm, që të shikojë qëllimin e dijetarëve të parë (selefit) se si e kanë kuptuar argumentin në fjalë, dhe vetëm ata pasohen.
(3) Gjegjësisht, shpikësit e kësaj ishin Fatimitë, sipas shumë transmetimeve të dijetarëve.
(4) Ditën e Kiametit kur njerëzit do të jenë të frikësuar.
(5) Muslimi, 145 (372).