Cilësitë e atyre që i kanë zemrat e lidhura me xhaminë

20
Nov

Cilësitë e atyre që i kanë zemrat e lidhura me xhaminë

Në vazhdim do t'i përmendim disa nga cilësitë e personave që i kanë zemrat e lidhura me xhaminë, duke e lutur Allahun e Madhërishëm të na bëjë prej tyre.

1. Dashuria për namazin me xhemat. 

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: "Namazi me xhemat është më i vlefshëm sesa namazi vetëm për 25 shkallë. Ngase kur merr abdes, e bën atë sa më mirë, pastaj niset për në xhami, e nuk del për asgjë tjetër vetëm se për namaz, nuk bën asnjë hap e të mos i ngrihet me të një shkallë (në Xhenet) dhe t'i fshihet një mëkat. Kur fal namazin, melaiket do të luten për të përderisa ai vazhdon të jetë në vendfaljen e tij dhe thonë: “O Zot fale, o Zot ki mëshirë ndaj tij", derisa të vazhdojë në namaz apo duke pritur namazin."(1)

Është transmetuar nga Seid bin Musejibi se ka thënë: “Nuk më ka ikur namazi me xhemat 40 vjet."

Rebi bin Hujthemi edhe pse ishte paralizuar, mundohej të shkonte në xhami. Njerëzit i thoshin: "Allahu të liroi të falesh në shtëpi" Ai thoshte: "Ashtu është siç thoni ju, por unë turpërohem të dëgjoj thirrësin e Allahut "eja në namaz, eja në shpëtim”, e të mos i përgjigjem”.

Ndërsa Shiraziu thoshte: "Nëse thirret ikameti për namaz dhe nuk më shihni në saf, atëherë më kërkoni në varreza”. 

Subhanallah, ku janë ata e ku jemi ne të nderuar?! A e shihni si dashurohet xhamia, se si është i lidhur muslimani me xhaminë?

2. Ardhja në xhami, edhe në kushte të vështira. 

Pejgamberi ﷺ ka thënë: "Përgëzoji me një dritë të plotë në Ditën e Gjykimit ata të cilët në errësirë shkojnë në xhami." (2)

A do dritë Ditën e Gjykimit, a do dritë natën e varrit? Atëherë mos e lë namazin me xhemat, në veçanti atë të sabahut dhe të jacisë, të cilët falen në terr të plotë. Nga Ebu Musa (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shpërblimin më të madh në namaz e ka ai njeri që e ka më larg xhaminë. Ai njeri që pret namazin derisa ta falin me imam, ka shpërblim më të madh se ai që e fal namazin dhe pastaj fle."(3)

Ju të cilët e keni xhaminë larg nga shtëpia, ejani t'i falni namazet në xhami sepse shpërblimi është shumë i madh, të lumt ju!

3. Falja e namazit në kohën e tij. 

Abdullah bin Mes'udi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: "E kam pyetur të Dërguarin e Allahut ﷺ se cila punë është më e vlefshme? Ai ﷺ tha: "Namazi në kohën e tij". Pastaj cila? Ai tha: "Mirësjellja ndaj prindërve". I thashë përsëri: Pastaj cila? Ai ﷺ tha: "Lufta në rrugën e Allahut.”(4)

4. Kujdesi për safin e parë dhe tekbirin fillestar.

Enesi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që në emër të Allahut falet me xhemat 40 ditë me radhë duke mos e humbur tekbirin fillestar, i garantohen dy gjëra: mbrojtja nga zjarri dhe mbrojtja nga hipokrizia."(5)

E lusim Allahun që ta shkruajë këtë për të gjithë ne, ngase kjo është punë e vështirë, kërkon angazhim dhe kujdes të madh. Ebu Hurejra tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Sikur ta dinin njerëzit se çfarë (shpërblimi) ka për thirrjen e ezanit dhe për t'u falur në safin (radhën) e parë (në namazet me xhemat në xhami), edhe nëse nuk do të gjenin rrugë tjetër për ta por veçse duke hedhur short, atëherë vërtet që do të hidhnin short. Dhe po kështu, sikur ata ta dinin (shpërblimin e) namazit të drekës, do të bënin gara për të (për të shkuar herët). Dhe po ta dinin ata vlerën e faljes së namazit të jacisë dhe të sabahut, atëherë ata do të vinin t'i falnin këto namaze (në xhami) edhe sikur t'u duhej të zvarriteshin." (6)

Allahu na bëftë prej atyre që i duan xhamitë! E lusim Atë të na bëjë prej atyre që zemrat e tyre janë të lidhura me xhamitë si dhe të na strehojë nën hijen e Tij, ditën kur nuk ka hije tjetër veç hijes së Tij, amin!

Dr. Shefqet Krasniqi
"Shtatë grupet e lumtura Ditën e Gjykimit", fq. 179-183.

1-Shënon Buhariu me nr. 647.

2-Et Tergib ve et Terlib, Mundhiri 1/171. Ebu Davudi në Sunenin e tij me nr. 561.

3-Shënon Buhariu me nr. 651 dhe Muslimi me nr. (662) - 277. 

4-Shënon Buhariu me nr. 527, 5970. 

5-Sahihulxhami. Hadithi nr. 979. Es Sahihah, 2652.

6-Shënon Buhariu me nr. 615, Muslimi me nr. (437) - 129.

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët