ADHUROJE ZOTIN TËND DERISA TË TË VIJË VDEKJA!

28
Mar

ADHUROJE ZOTIN TËND DERISA TË TË VIJË VDEKJA!

Ja pra, me sy të përlotur po i themi lamtumirë muajit ramazan. I Lartësuar qoftë Allahu! Më duket se dje ia filluam agjërimit. Por, ky është ligji i Allahut rreth adhurimeve; ku namazi është ditor, agjërimi e zekati është vjetor, ndërsa haxhi është një herë në jetë. 
    
Muslimanët e agjëruan këtë muaj me shumë kënaqësi, e tash e lusin Allahu t’ua pranojë adhurimet: “O Zoti ynë, pranoje prej nesh!”

Kishte të atillë që puna i stërmundonte, por qëndruan stoikë, e nuk e prishën agjërimin, se e dinin se në varësi të mundimeve që i hasnin gjatë agjërimit, Allahu do t'ua shtojë shpërblimet.

Lum për ata që e agjëruan muajin ramazan me besim dhe shpresë në shpërblimet e premtuara nga Allahu!

Lum për ata që u janë falur mëkatet, e janë liruar nga zjarri i Xhehenemit!

Besimtari më shumë merakoset për pranimin e veprës se vetë veprën, ngase lexoi Fjalën e Allahut:

 

إِنَّما يَتَقَبَّلُ اللَّهُ مِنَ المُتَّقينَ

"Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve." (El Maide, 27)

A thua vallë jemi të devotshëm?!

Devotshmëria, o vëllai im, nënkupton kryerjen e urdhrave të Allahut dhe largimin nga ndalesat e Tij.

Ramazani po shkon, por besimtari kurrë Allahun s'e harron. Ai gjithmonë Atë e adhuron, me namaz e sadakë tek Ai afrim shpreson. 

Dije o musliman! Allahu duhet të adhurohet gjithmonë; në ramazan dhe jashtë tij. Sa njerëz të këqij janë ata që Allahun e njohin vetëm në ramazan.

Andaj,

وَاعبُد رَبَّكَ حَتّىٰ يَأتِيَكَ اليَقينُ

"Adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja." (Hixhr, 99)

 

Shkroi: Burim Koçinaj

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët